Ditari i Enver Hoxhës në ‘82: Vito Kapo shprehu dyshime për vdekjen e Hysni Kapos

Oct 23, 2011 | 11:45
SHPËRNDAJE

ENVER HOXHA DHE HYSNI KAPO NË VITET ‘70. MAJTAS, VITO KAPO

LIBRI I BLENDI FEVZIUT/ DIALOGU I ENVER HOXHES ME TE VENE E HYSNI KAPOS: KANCERIT NUK KEMI Ç’T’I BEJME
Vetë diktatori interesohej për zhdukjen e eshtrave të “tradhëtarëve” të pushkatuar

Ai ishte i interesuar që asnjë gjurmë e tyre të mos mbetej mbi dhe. E dinte se nuk do të jetonte përjetësisht mbi dhe, ndaj donte që të bënte hi e pluhur gjithçka dhe pasi ai të ikte, të mos mbetej asgjë pas. Në një nga krerët e biografisë “Enver Hoxha” të gazetarit Blendi Fevziu na tregohen jo vetëm spastrimet e mëdha në parti, por edhe kujdesin e diktatorit që eshtrat e tyre të mos gjendeshin kurrë. Tronditëse dëshmia e Kadri Hazbiut në hetuesi. As ai vetë nuk e dinte se ku ishin eshtrat e “tradhtarëve” Beqir Balluku, Hito Çako dhe Petrit Dume. Ai ishte kujdesur vetë që ata të mos gjendeshin më. Me urdhër nga vetë Hoxha ai duhet të shihte nëse trupat ishin dekompozuar e pasi të ndodhte kjo eshtrat të rivarroseshin në një tjetër vend të panjohur. Madje në një rast ishte përdorur edhe acidi për shpërbërjen e kufomave. Por kjo është vetëm një nga momentet makabre në librin e jetës së diktatorit.
Në gati 400 faqe, për herë të parë gazetari Blendi Fevziu na jep biografinë e plotë të ish-diktatorit Enver Hoxha. I ka vënë thjesht emrin e ish-kreut komunist: “Enver Hoxha”. Në 25 kapituj jepet e gjithë jeta e tij, qysh nga fëmijëria, deri ditën që mbylli sytë në vilën e tij në ish-Bllok. Për ndërtimin e këtij libri, botim i “UET Press” në bashkëpunim me “Klan”, Fevizu ka shfrytëzuar një materialë të gjerë ku përfshihen arkiva publike dhe personale, intervista e ditarë të vetë Enver Hoxhës. Shumë nga historitë tashmë janë të njohura, por ka edhe nga ato që vijnë për herë të parë për lexuesin. Nuk mungojnë edhe fotografitë që botohen për herë të parë, ku tregohet Enver Hoxha në vitet e para të pushtetit, apo në pushime me familjen.                                                                                                                                a.m

Pjesë nga libri
Spastrimet e mëdha

Enver Hoxha me ne krah Mehmet Shehun, Beqir Ballukun e Kadri Hazbiun, te tre te eleminuar

Në mars të vitit 1973 një grup të rinjsh nga Lushnja botuan në gazetën “Zëri i rinisë” një “letër të hapur”, në të cilën kritikonin ashpër Festivalin XI në RTSh, që ishte zhvilluar në dhjetor 1972. Festivali kishte ngjallur mjaft entuziazëm në kryeqytet, sidomos te rinia në përgjithësi. Ai ishte konceptuar ndryshe nga festivalet e dalëmode të deri asaj dite. Atmosfera e tri ditëve të zhvillimit të tij pati përcjellë një frymë më  liberale: muzika ishte më e gjallë, më ritmike dhe këngëtarët ose spikerit kishin dalë në skenë me veshje më moderne, të ngjashme me ato europianet. Por Festivali XI nuk ishte ngjarje kulturore e vetme dhe as e veçuar. Në dy vitet e fundit jeta në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë jepte shenjat se po bëhej më “liberale”. Në Tiranë lejohej të shihej Televizioni italian. Flokët e gjata, të palejuara deri ato ditë, kishin filluar “të toleroheshin”. Në bar-lulishtet orkestrat dhe këngëtarët qenë bërë më të guximshëm.
Një erë e re e ngrohtë po frynte në Tiranën e ngrirë nga ndikimi i Revolucionit Kulturor Kinez. Por iluzionet për një “hapje drejt Perëndimit” që po qarkullonin në Tiranë rezultuan të kota. Letra në gazetën “Zëri i rinisë” ishte paralajmërimi i parë për  drejtuesit e kulturës. Todi Lubonja, Fadil Paçrami dhe një radhë e tërë nën ta u shkarkuan dhe u arrestuan. Në kujtimet e tij Todi Lubonja dëshmon:
“Liberalizmi u bë murtaja e kohës. Elementët më aktivë u bënë tradicionalistët, konservatorë të mykur, vjetërsira të kohës, antinovatorët, të patalentuarit, me të cilët për shkak të terrorit u bashkua edhe ndonjë i talentuar, si për të mos bërë përjashtim nga rregulli se “asnjë talent, sado i shquar të ketë qenë, nuk ka shpëtuar pa futur qafën nën zgjedhën e çdo regjimi”.
Në plenumin IV të KQ, që zhvillohej në Pallatin e Brigadave, d.m.th. në ish-Pallatin Mbretëror, u dha paralajmërimi i parë. Ishte Plenumi më i ashpër i gjithë asaj radhe plenumesh që do pasonin ndëshkimet e mëvonshme. Ndoshta edhe sepse ishte i pari. Përsëri në kujtimet e tij Lubonja e kujton kështu fjalën e Hoxhës aty dhe akuzat ndaj tij:
“Me një ton prej bishe ai godiste muret e pallatit. Para syve të tij nuk kishte njerëz. Byroja Politike kishte rënë përmbysë mbi tavolinën e Presidiumit. Të gjithë mbanin shënime pa ditur se çfarë shkruanin. Ata që kishin folur para tij po dridheshin sepse diskutimet e tyre kishin qenë shumë anemike. Shumë larg anatemave që lëshonte Enver Hoxha. Ai ulërinte: Ju jeni kozmopolitë, antikombëtarë, antisocialistë, anti anti anti…! Ju jeni krimba, kërmij… Ju i përkisni Moskës dhe Leningradit! Parisit,  borgjezëve dhe kapitalistëve. Beogradit… Do t’ju shtypim si krimbat, ju jeni plehra, lecka!…”
Lubonja dhe Paçrami përfunduan në burg bashkë me familjarë të tyre. Dënimi u duk i skajshëm, por ai që vinte pas, ai që priste protagonistët e fushave të tjera të jetës shqiptare ishte edhe më tronditës. Në korrik të 1974ës drejtuesit kryesorë të ushtrisë, ministri i Mbrojtjes Beqir Balluku, shefi i Shtabit të  Përgjithshëm të Ushtrisë Petrit Dume dhe ushtaraku i lartë Hito Çako u arrestuan. Pas një gjykimi të shpejtë u njohën fajtorë, organizatorë të një “grushti shteti”, u quajtën “Grupi i puçistëve” dhe të tre u dënuan me vdekje. Askush nuk di të thotë sot se cili ishte mëkati i tyre i vetëm, përveç besnikërisë së provuar pa ndërprerë për Enver Hoxhën.
Çudia më e madhe sesi në rastin e ushtarakëve, ashtu edhe në raste të tjera, Enver Hoxha dëfton një mani të pashembullt për të mbajtur të fshehur vendin ku varroseshin viktimat e tij. Gjatë gjyqit në vitin 1983 ish-ministri i brendshëm Kadri Hazbiu, i pyetur nëse e dinte se ku qenë varrosur Beqir Balluku, Hito Çako dhe Petrit Dume, u përgjigj:
“Atë e di si vend, por jo si pikë ekzakte. Këtë e di, sepse u interesova që të bëhej e pamundur gjetja e kufomave të tyre sido që të ndodhte, sepse kështu ishte dhe porosia…”.
Më pas, i pyetur nga hetuesi nëse ishte interesuar, pas ekzekutimit të “komplotistëve” e “sabotatorëve”, për varret e tyre, Kadri Hazbiu përgjigjej:

Një nga fotot e retushuara pas vitit 1982, pas ekzekutimit të disa prej krerëve më të lartë komunistë. Në foton e dytë mungojnë Mehmet Shehu, Fiqerete Shehu dhe Kadri Hazbiu, ndërsa është shtuar një ushtarak (në të majtë), që nuk ishte në foton e mëparshme

“Jam interesuar, me sa kujtoj, pasi kam shkuar si ministër i Mbrojtjes para vetëvrasjes së tradhtarit Mehmet Shehu, kam biseduar me tradhtarin Feçor Shehu në telefon dhe e kam porositur që të shikonte nëse ishin dekompozuar kufomat e tradhtarëve që ishin ekzekutuar në vitin 1975. Mbas disa kohësh tradhtari Feçor Shehu më njoftoi se kishin shkuar dhe kishin hapur varret e dy sabotatorëve që ishin ekzekutuar e ishin varrosur në rajonin e Tiranës, të cilët sipas Feçorit nuk ishin dekompozuar. Ai më tha se kishin hedhur në varr klor ose acid, nuk e kujtoj mirë, për të shpejtuar shpërbërjen e kufomave. Me të e lamë që hapja e varreve të puçistëve të bëhej mbas një kohe. Këtë interesim unë e kam treguar sepse doja që, pasi të dekompozoheshin kufomat e tyre, eshtrat t’i zhvarrosnim nga vendi i parë dhe t’i varrosnim në një vend tjetër për të bërë të pamundur gjetjen e tyre, sepse kështu e kishim porosinë…”.
Historia e eshtrave të ushtarakëve nuk ishte as e para dhe as e fundit paranojë e regjimit komunist dhe, me sa kuptohet, personalisht e Enver Hoxhës. Në së paku dy raste Hoxha u kujdes vetë që eshtrat e Mehmet Shehut të mos gjendeshin asnjëherë. Vetë kryeministri u varros dhe u çvarros tri herë po me urdhër të tij. Mëria e komunizmit me eshtrat e viktimave mbetet historia më e pakuptueshme e atyre viteve të mbushura edhe me shumë makabritete e absurditete.
Bashkë me Ballukun u arrestuan 461 ushtarakë, midis të
cilëve 54 oficerë: “Ushtria Popullore” besnike e Hoxhës mori goditjen më të madhe që nga krijimi i saj në korrik të vitit 1943. Por goditjet ndaj Ushtrisë, si edhe ndaj Ministrisë së Punëve Brendshme, vijuan. Në vitin 1982 u arrestuan Muhamet Prodani gjeneral-leitnant, Halim Ramohito gjeneral-major dhe u internuan në Roskovec; Sadik Bekteshi gjeneral-leitnant, që u internuar në Sheqëz të Beratit, Abaz Fejzo gjeneral-major, të cilin e çuan për “punë fizike” në SMT-në e Gramshit. Jehona e pushkatimit të drejtuesve të Ushtrisë nuk ishte shuar ende, kur në maj të 1975-ës u arrestuan si “sabotatorë” drejtuesit kryesorë të ekonomisë. Zëvendëskryeministri Abdyl Këllezi, ministrat Koço Theodhosi dhe Kiço Ngjela. Dy të parët u dënuan me vdekje dhe u pushkatuan po atë vit, ndërsa Kiço Ngjela u burgos deri në vitin 1991. Familjet e të dënuarve u internuan, djemtë e rritur  pothuajse të gjithë u burgosën. Të afërmit e tyre u distancuan ose pësuan degradime sipas rangut që kishin. Në këtë kohë lindi moda e ndarjes së familjeve: pas dënimit të bashkëshortit ose bashkëshortes, për t’iu shmangur ndëshkimit, ai që nuk qe dënuar ende divorcohej dhe denonconte veprimtarinë e njërit me të cilin kishte kaluar kaq vite të jetës së tij, nënës ose babait të fëmijëve të tij.
Më 1976-1978 u duk sikur situata po qetësohej. Hysni Kapo dhe Mehmet Shehu kishin mbetur dy njerëzit më të rëndësishëm pas Hoxhës. Shihej qartë që njëri ose tjetri do të ishin trashëgimtarët e tij, së paku deri në fillim të verës së vitit 1979, kur Hysni Kapo, që ndodhej për pushime në Pogradec, filloi të ankohej për dhimbje të forta në shpinë dhe më pas në bark. Mjekët ishin të pavendosur dhe të ndarë për t’i vënë një diagnozë, prandaj Enver Hoxha ndërhyri personalisht që ai të dërgohej në Paris. Deri atë ditë Hoxha nuk i parapëlqente udhëtimet jashtë për mjekim të drejtuesve të lartë, orvatej t’i shmangte ato. Por atë mëngjes, si të parandiente diçka të keqe, këmbënguli që nisja të bëhej sa më parë.
Hysni Kapo udhëtoi për Paris, ku shumë shpejt u diagnostikua i sëmurë me kancer në pankreas. Enver Hoxha ndodhej ende në Pogradec kur mori radiogramin sekret që e njoftonte për sëmundjen e njeriut të afërt të tij dhe pamundësinë që Kapo të jetonte për një kohë të gjatë. Vdekja ishte e afërt. Dëshmitarët që merreshin me sigurinë e tij rrëfejnë se, me të marrë radiogramin, ai doli jashtë vilës shumë i mërzitur dhe mjaft i nervozuar. Ndoshta kishte nevojë për ajër. Ose donte të reflektonte për një vdekje që i prishte ekuilibrat e pushtetit në Tiranë. Enver Hoxha nuk e takoi dot më Hysni Kapon të gjallë.
Përpjekjet për ta shpëtuar, përfshi operacionin e vështirë në Paris, dështuan dhe njeriu nr. 3 i regjimit ndërroi jetë më 23 shtator të vitit 1979 në një klinikë në kryeqytetin francez. Ka pasur shumë komente në Shqipëri, që nga momenti kur Kapo ndërroi jetë e deri më sot, se ai ishte helmuar ose eliminuar nga  Sigurimi i Shtetit me urdhër të Hoxhës. Janë komente që i vërteton vetë Hoxha në Ditarin e tij, në shënimin e datës 27 shtator 1982, ku përshkruan takimin me Vito Kapon, të venë e Hysni Kapos:
“E Hënë, 27 shtator 1982.
Thirra Vito Kapon dhe i tërhoqa vëmendjen për çështjen se është përhapur në të gjithë vendin tonë sikur shokun Hysni Kapon e kanë vrarë dhe nuk paska vdekur nga kanceri. Kjo thënie nga dikush duhet të ketë dalë, i vura në dukje Vitos, por unë sot po të qortoj se ke qenë vetë ti që ke ardhur tek unë dhe më ke shprehur dyshimin se mos Hysninë e kanë vrarë. Të jam përgjigjur me këtë rast, duke u bazuar në shkencën mjekësore, se shkaku ose mikrobi i kancerit akoma nuk është zbuluar dhe ai nuk mund të inokulohet, ndryshe do t’i ishte gjendur ilaçi dhe, për t’ia arritur këtij qëllimi, po punojnë gjithë shkencëtarët e botës. Pra, faktet vërtetojnë se Hysniu ka pasur kancer dhe nuk mund të shpëtonte”. Pas vitit 1990 komentet mbi eliminimin e mundshëm të Hysni Kapos u shtuan ndjeshëm. Janë shkruar dossierë dhe janë përmendur emra, por asnjë dokument nuk e vërteton këtë. Asnjë dëshmi nga ato që kanë dalë dhe janë botuar në shtyp nuk rezultojnë bindëse.  Mundësia më e madhe, për të mos thënë e vetmja, është që Kapo të ketë vdekur realisht nga kanceri në pankreas, i diagnostikuar me vonesë, pa pasur mundësi shpëtimi dhe pa asnjë lloj ndikimi nga Hoxha. Vdekja e Hysni Kapos kishte lënë për Shqipërinë vetëm një pasardhës: Mehmet Shehun. Kryeministër, anëtar i Byrosë Politike, besnik deri në absurd i Hoxhës dhe njeri temjase i ashpër, Shehu po çimentohej në hierarkinë e Partisë Komuniste. Më 1980 ai  kishte më shumë poste se kurrë, kishte raporte të përkryera me Hoxhën dhe ai që vinte pas tij, Ramiz Alia, 14 vjet më i vogël se Shehu dhe 17 më i vogël se Hoxha, nuk merrej seriozisht nga askush me përjashtim të atyre që e dinin se në mes të viteve ’70 Alia e kishte konsoliduar raportin e tij me Hoxhën përmes një krushqie në dukje të thjeshtë: vajza e vëllait të tij ishte martuar me djalin e madh të Enver Hoxhës. 1 maji i vitit 1981 do të ishte fundi publik i “miqësisë së çeliktë” mes Hoxhës dhe Shehut: një moment dashurie i afishuar ku të dy përqafohen fort dhe ngrenë duar të bashkuara lart.
Rrënimi i kryeministrit do të niste pikërisht ca muaj më pas, në fillim të shtatorit të 1981-it.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura