Dinamika e sulmit te shtëpia e prindërve të gazetares, edhe pse qëllohej akoma, familjarët dolën për të parë, por…

Aug 31, 2018 | 21:33
SHPËRNDAJE

ETLEVA DELIA/ Sulmohet me breshëri kallashnikovi banesa e prindërve të gazetares së “News 24”, Klodiana Lala. Fatmirësisht, nga ngjarja nuk ka persona të plagosur, edhe pse në momentin e ngjarjes në shtëpi kanë qenë prindërit, vëllai, motra, dy vajzat e saj të mitura, si dhe disa të afërm.

klodiana lalaaaaa

Vetë gazetarja nuk ndodhej aty në momentin e sulmit. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 03:00, në zonën e Laknasit, ndërsa të gjithë anëtarët e familjes kanë qenë në gjumë. Burime nga Policia e Tiranës thanë se autori ose autorët kanë qëlluar nga një distancë rreth 30 metra përballë shtëpisë, aty ku janë gjetur edhe gëzhojat. Ndërsa është qëlluar në drejtim të pjesës ballore të shtëpisë, në mure dhe në derën kryesore.

Madje, dy predha kanë depërtuar edhe në një dhomë gjumi që ndodhet përballë derës, ku shenjat e plumbave janë të dukshme në xhama dhe në parmakët e saj. Familjarët e gazetares janë zgjuar të terrorizuar sapo kanë dëgjuar të shtënat, për të cilat fillimisht kanë menduar se ishin fishekzjarrë, pasi në lagjen e tyre kishte pasur një dasmë.

Madje, edhe pse autori vazhdonte të qëllonte, ata kanë nxituar të dalin jashtë për të parë se çfarë po ndodhte, duke rrezikuar seriozisht jetën.

Megjithatë, siç kanë deklaruar ata në Polici, nuk kanë dëgjuar zhurmë makinë apo motori duke u larguar nga vendngjarja.

Burimet thonë se personat që kanë qëlluar me armë mund të jenë larguar në këmbë menjëherë pas sulmit, më pas mund të kenë përdorur ndonjë mjet për t’u “zhdukur”. Në zonën ku ndodhi ngjarja nuk ka pasur biznese apo banesa me sistem kamerash sigurie, që mund të ndihmonin Policinë për identifikimin e autorëve. Megjithatë janë sekuestruar kamerat e disa bizneseve, në një distancë relativisht të largët nga shtëpia, që mund t’i vijnë në ndihmë grupit hetimor.

Lala

Policia e Tiranës tha dje se për ngjarjen është ngritur grupi hetimor, nën drejtimin e prokurorit, ndërsa janë angazhuar ekspertët dhe oficerët më të mirë për zbardhjen e saj. Megjithatë deri tani ende nuk ka persona të shoqëruar apo të dyshuar konkretë në lidhje me sulmin për shkak të detyrës së Klodiana Lalës. Vetë Lala ka pasur telefonata nga drejtuesit më të lartë të institucioneve ligjzbatuese, të cilët i kanë siguruar se do të bëhet ç’është e mundur për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe arrestimin e autorëve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura