Deputetët që s’votuan ligjin e arsimit të lartë. PDIU, Blushi, Angjeli, Braçe e Gaçi nga PS

Jul 23, 2015 | 8:10
SHPËRNDAJE

Votimi i projektligjit të shumëdiskutuar “Për arsimin e lartë në Shqipëri” është realizuar në orët e para të ditës së mërkurë dhe mister mbeten personat që e votuan pro nismën e qeverisë. Në total, sipas votimit me elektronikë, nisma e qeverisë mori 78 vota pro dhe asnjë kundër.

Kuvendi i Shqiperise
Kuvendi i Shqiperise
Ndërsa opozita është larguar nga salla disa minuta para nisjes së votimit, duke e kundërshtuar procesin, por duke lënë vetëm kartat e votimit në fole për të quajtur prezencën në sallë.

Por, veç të djathtëve që ikën, sipas sistemit të votimit të Parlamentit janë dhe 12 deputetë të maxhorancës së majtë, të cilët edhe pse rezultojnë sipas elektronikës prezentë në sallë, nuk kanë votuar.

Pra janë 4 deputetë të Partisë Socialiste, që nuk kanë marrë pjesë në votim dhe një deputete e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Konkretisht, sipas dokumentit zyrtar të votimit, deputeti i PS-së, Ben Blushi, nuk ka marrë pjesë në votim, po ashtu edhe deputetët e majtë Anastas Angjeli, Erion Braçe dhe Artan Gaçi.

Kurse nga LSI-ja nuk ka marrë pjesë në votim deputetja Monika Kryemadhi. Projektligji i arsimit të lartë nuk është votuar as nga aleatët e rinj, pesë deputetët e Grupit Parlamentar të Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet.

Në dokumentin zyrtar të votimit, deputeti Shpëtim Idrizi quhet si prezent në sallë, por nuk ka votuar. E njëjta gjë edhe për deputetët e tjerë, Omer Mamo, Tahir Muhedini, Aqif Rakipi dhe Dashamir Tahiri.

Ndërsa nga deputetët pa grup parlamentar, nuk ka votuar Tom Doshi, Vangjel Dule dhe Nard Ndoka. I vetmi që rezulton si mungues në sallë është deputeti Mark Frroku, i cili është në gjendje arresti. Bashkë me emrat, janë edhe kodet personale të secilit deputet në Kuvend.

NUK VOTUAN

Deputetët e PS-së

1. Ben Blushi
2. Anastas Angjeli
3. Erion Braçe
4. Artan Gaçi

Deputetët e LSI-së

5. Monika Kryemadhi

Deputetët e PDIU-së

6. Shpëtim Idrizi
7. Omer Mamo
8. Tahir Muhedini
9. Aqif Rakipi
10. Dashamir Tahiri

Pa grup parlamentar

10. Nard Ndoka
11. Vangjel Dule
12. Tom Doshi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura