Dënimi absurd i Mitrush Kutelit/ “Nuk isha fashist, por një socialist i turbullt” -Zbardhet biseda e shkrimtarit me hetuesin një vit pas arrestimit

Feb 12, 2022 | 13:15
SHPËRNDAJE

procesverbali-Mitrush-Kuteli1Në shkurt 1948, gati një vit pas arrestimit (15 maj 1947) Dhimitër Pasko, në ambientet e zyrave të Sigurimit të Shtetit, merret në pyetje nga një hetues dhe e gjithë biseda, pyetje-përgjigje, shkruhet në një procesverbal.

VIJON NGA NUMRI I KALUAR (LEXO KETU)

Në këtë dokument janë të pasqyruara qartësisht të gjitha akuzat e ngritura ndaj shkrimtarit, por edhe të gjitha përgjigjet e tij autentike. Një panoramë që zbardh të vërtetën e montimit të akuzave, që të gjitha pothuaj të pashoqëruara me prova, dhe që thelbësisht godisnin momentet në biografinë e Paskos kur ai kishte menduar e vepruar duke pasur “paqartësi politike”.

Procesverbali vërteton karakterin e guximshëm të pandehurit, por edhe mënyrën krejt banale të sjelljes së hetuesit. Ja përmbajtja e tij.

Procesverbal I mbajtur kundër Dhimitri Paskos (Mitrush Kuteli)
I biri i të ndierëve Pandi e Pole, vjeç 41, i martuar me Efterpi Skëndi, pa fëmijë, profesioni shkrimtar, rrjedh nga një shtresë e mesme qytetare, i pa proceduar, i pa dënuar, kombësia, babai vlleh Rumun dhe nëna shqiptare, shtetësia shqiptare, i cili deklaron si më poshtë.

Shkollën fillore e kam bërë në Pogradec, të mesmen tregtare në Selanik, universitetin në Bukuresht në 1934, ku kam marrë doktoratë në shkenca ekonomike. Si mbarova shkollën kam punuar në Bukuresht në një depo verërash, kam punuar gjithashtu në gazetën “Shqipëria e Re” që dilte në Kostancë.

Mandej në zyrën e studimeve të financës dhe kreditin industrial. Në Shqipëri jam kthyer më 1942 dhe hyra si drejtor – administrator pa të drejtë firme në S.A.S.T.E.B. për një vit, por u largova pasi dhashë dorëheqjen në muajin pestë. Mandej hyra në Bankën Kombëtare deri më gjashtë tetor 1944, datë që u arratisa dhe shkova në Berat pranë Ministrisë së Financave. Kur u ktheva në Tiranë hyra në Bankë deri në gusht 1946 dhe prej kësaj date deri sa u arrestova kam punuar pranë Institutit të Studimeve.

Pyetje: Ke qenë t’i anëtar i “Rojës së Hekurt” në Rumani?
Përgjigje: Kam qenë simpatizues i kësaj organizate për një kohë të shkurtër, por anëtar jo.
Pyetje: Pse e simpatizoje këtë lëvizje fashiste?
Përgjigje: E simpatizoja për parullat e saj socialiste, si p.sh. puna është nder dhe lipset të jetë baza e jetës, zhvillimi i kooperativave për të luftuar spekulimin e tregtarëve, puna vullnetare me krahët e intelektualëve etj., të cilat shoh sot se i kishin marrë nga komunizmi dhe i kishin përvetësuar.
Pyetje: Ishte socialiste kjo lëvizje sipas mendimit tënd?
Përgjigje: Atëherë besoja se po, sot kuptoj se jo.
Pyetje: Kishte lidhje me gjermanët kjo organizatë dhe a e dije t’i një gjë të tillë? Përgjigje: Nuk e dija, por më vonë e mora vesh se kishte lidhje.
Pyetje: Dije gjë t’i atëherë për Bashkimin Sovjetik dhe çfarë mendimi kishe për këtë shtet?
Përgjigje: Gjë të saktë nuk dija. Libra nga Bashkimi Sovjetik nuk vinin dhe mendimet e mia ishin shumë konfuze, ashtu siç i krijonte shtypi i brendshëm (rumun) që ishte reaksionar dhe fjala bolshevik në shtyp përdorej për të keq.
Pyetje: Nga këto del se t’i ke qenë fashist i vjetër, anëtar i “Rojës së Hekurt”, prandaj fol drejt!
Përgjigje: Nuk kam qenë fashist, por një socialist i turbullt, pa gjetur vijën e caktuar. Pyetje: Ti kishe të gjitha mundësitë të kuptoje të mirën dhe të keqen, kishe mbaruar shkencat ekonomike dhe pse tash paraqitesh si inoçent, prandaj fol!
Përgjigje: Universiteti ishte i shumanshëm dhe nuk jepte mundësi të orientoheshim edhe për strukturën ekonomike, për punët që zhvilloheshin (në B.S.) nuk flitej fare, ose kur flitej e quanin kaos. Këto ishin kurset që bëheshin në universitet.
Pyetje: Domethënë ti je rritur me tendenca reaksionare?
Përgjigje: Dëshira ime ka qenë gjithmonë gjetja e një rruge për drejtësi shoqërore, ambienti ishte konfuz, reaksionar dhe unë mbeta i disoreintuar.
Pyetje: Ke qenë ti vullnetar në Bashkimin Sovjetik më 1941?
Përgjigje: Jo, nuk kam qenë dhe as mendoja, por më morën disa muaj ushtar me forcë dhe prita rastin e parë që të largohem, pasi ndieja se lufta që bëhej ishte e padrejtë, agresive. Atje kam qëndruar dy muaj e gjysmë dhe punoja si sekretar i II-të dhe me anën e bankës u lirova, pasi kërkova vetë një gjë të tillë.
Pyetje: Në Shqipëri kur je kthyer dhe me cilët autoritete je takuar?
Përgjigje: Jam kthyer në shtator të 1942 dhe jam takuar me plot njerëz si dhe me Dhimitri Beratin, ish-president i S.A.S.T.E.B-it dhe kam biseduar me të çështje familjare. Në dhjetor hyra në S.A.S.T.E.B., dhe sikur e kam thënë qëndrova pesë muaj megjithëse kontrata ishte për një vit, dhashë dorëheqjen dhe pasi kapitulloi Italia kam punuar në Bankën Kombëtare.
Pyetje: Puna që ke bërë ti ka qenë në shërbim të okupatorëve?
Përgjigje: Unë kam menduar si kundër okupatorit, për të mos dhënë mjete financiare, për të larguar ose ngadalësuar ato që jepte Qeveria, për të siguruar rezervën e arit që të mos emetohej monedhë e re, etj.
Pyetje: D.m.th., ti e paske paralizuar aparatin e shtetit nazi-fashist?
Përgjigje: Po e kam sabotuar.
Pyetje: Çfarë shkrimesh ke shkruar në kohën e gjermanëve?
Përgjigje: Kam shkruar artikuj ekonomik dhe letrar në gazetën “Bashkimi i Ko- mbit”, kjo ishte e Qeverisë, por artikujt e mi ishin kritikë kundër Qeverisë për çështje financiare dhe ekonomike.
Pyetje: Si të linin ty që të shkruaje kundër Qeverisë si pretendon, kurse e vërteta është se ti ke qenë bashkëpunëtor i bashkimit të kombit dhe i Qeverisë kuislinge?
Përgjigje: Ata nuk kuptonin. S’kishte kontroll, ishin budallenj, kishte anarki. Tash titujt nuk më kujtohen, por ishin mbi financën, kundër shpenzimeve të kota që kalonin mundësitë financiare të vendit.
Pyetje: Pas çlirimit ç’punë ke bërë dhe pse ike nga banka?
Përgjigje: Kam punuar në bankë dhe ika se kam qenë i sëmurë, nevrastenik dhe mandej kam punuar nja dy muaj për përgatitjen e programit të studimit të folklorit në Institutin Pedagogjik.
Pyetje: Ç’marrëdhënie ke pasur me Kol Kuqalin?
Përgjigje: Ato që rridhnin nga detyra si anëtar administrativ në bankë.
Pyetje: Je takuar shpesh me të lartpërmendurin?
Përgjigje: Në bankë kur ishte po, mandej kam shkuar në shtëpi kur i kanë sjellë eshtrat e djalit nga Prishtina më 1946, ky ka ardhur ke shtëpia ime një herë për … dhe për urime martese. Kur erdhi më tha se nuk jam nisur direkt tek ty, por pasi isha në një shtëpi këtu afër, u ktheva për urime.
Pyetje: Tjetër herë ke qenë në shtëpi të tij?
Përgjigje: Po kam qenë për të bërë bibliografinë e librave të rinj që më kishte ngarkuar Instituti i Studimeve më 1947, për këtë punë kam qenë edhe në komunitetin mysliman edhe atë ortodoks, në depot e librave etj.
Pyetje: Takoheshe me Kolën ndonjëherë tjetër e çfarë bisedonit?
Përgjigje: Mund të jem takuar rastësisht rrugës dhe e pyesja shpesh për të birin që i kishte vdekur, pasi doja të shkruaja diçka për dëshmorët e Prishtinës. Unë kërkoja punë dhe kisha shpresë që do të gjeja, por ai thoshte me ironi se ty nuk të japin punë.
Pyetje: Fliste ndonjëherë kundër pushtetit ose tregohej i pakënaqur Kola?
Përgjigje: Me mua nuk bisedonte ndonjë gjë kundër, por ai vetë dukej i ftohtë.
Pyetje: Po Kostë Boshnjakun prej sa kohe e njeh dhe ç’biseda ke bërë me të? Përgjigje: Kostë Boshnjakun e njoh qysh në Rumani më 1931-1932 dhe shkruanim në gazetën “Shqipëria e Re” në Kostancë e mandej jam takuar me të në Priskë, kur u arratisa në tetor 1944 dhe më vonë në Tiranë.
Pyetje: Sa herë ke qenë në shtëpinë e të lartpërmendurit?
Përgjigje: Kam qenë nja dy herë. Një herë kam qenë për të marrë firmën e Bilancit të Bankës dhe një herë tjetër për tu takuar me një plak nga Ballkameni i Follorinës, i cili dinte shumë këngë popullore, për këtë më kishte thënë Kosta, por pasi plaku atë ditë ishte i sëmurë dhe banonte në një shtëpi me Boshnjakun, hyra te Kosta dhe qëndrova një gjysmë ore, por nuk më kujtohet çfarë kemi biseduar.
Pyetje: Tjetër herë je takuar me të?
Përgjigje: Jam takuar pranë Librarisë… dhe kishte në dorë revistën “Krediti” dhe më tha nëse e kisha kënduar një artikull që thoshte diçka mbi disa anëtarë të ish-këshillit administrativ se ata donin, thoshte, artikulli që me anën e bankës të merrnin fuqinë në dorë. Unë i thashë nuk e kam kënduar. Ai ma tregoi dhe tha çuditem se Ministri i Financës na falënderoi kur dolëm nga Këshilli për punën e zhvilluar në Bankë dhe qeshi me çudi. Pyetje: Ç’ke biseduar me të kundër pushtetit sepse neve e dimë se ti ke bashkëpunuar për të rrëzuar pushtetin me Kostë Boshnjakun e Kol Kuqalin, prandaj fol drejtë?
Përgjigje: Tjetër gjë nuk kam biseduar përpos këtyre që tregova as me të parin as me të dytin. Sa u thanë më sipër janë të vërteta dhe pasi mu lexuan fjalë për fjalë i firmoj me vullnet të lirë.
I pandehuri. Dhimitër Pasko (firma) Hetuesi. Beqir Ndou (firma)

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.

LEXO KETU:

Dokumenti/ Mitrush Kuteli, zbulohet dënimi absurd: Ka qenë nazist në Rumani! Anëtar i organizatës “Roja i Hekurt”, në Shqipëri bashkëpunoi me tradhtaret e…

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura