Debati i habitshëm në komision, si vetëlavdërohen deputetët. Peleshi i kthehet Beqajt: Mos e bëni si ajo historia, ‘nuk dua t’u them që Bardhoshja e ka ditëlindjen…’

May 6, 2020 | 17:31
SHPËRNDAJE

Pas propozimit për pagat e administratës e pensionet suplementare dhe abstenimit në projektligjin për shtesën në kontratën për koncesionin e portit të Porto Romanos, ish-ministri Ilir Beqaj ka vijuar me qëndrimet kundër vijës së përgjithshme të PS-së në komisionet parlamentare.

Dje, gjatë mbledhjes së Komisionit të Veprimtarive Prodhuese
Dje, gjatë mbledhjes së Komisionit të Veprimtarive Prodhuese

Këtë herë, në diskutimin e projektligjit “Për përmirësimin e zonave të biznesit (BID)”, Beqaj nuk e kurseu ironinë për kolegët e tij socialistë, të cilët, duke folur për avantazhet e kësaj nisme ligjore, paraqitën për ilustrim punën e bërë me herët nga ata në pozicionet që kanë mbajtur si ministra.

Beqaj tha se puna e fondacionit shqiptaro-amerikan ka pasur mangësi dhe në këtë kontekst, ai solli si shembull një propozim të tijin për të përfshirë edhe llixhat e Peshkopisë, por që nuk ishte pranuar. Por këtij diskursi lakonik të Beqajt iu përgjigj kryetari i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, Niko Peleshi, që tha se sjella e eksperiencës është gjithmonë e mirëpritur. ar.ho

DISKUTIMI NË KOMISION

Fadil Nasufi: Unë po marr pjesë në këtë komision si anëtar zëvendësues, për të dhënë shembullin e projektit BID në qytetin e Beratit në vitin 2013, të financuar nga fondacioni shqiptaro-amerikan për zhvillim dhe është një nga eksperiencat më mbresëlënëse dhe më produktive të karrierës sime si kryetar bashkie. Më vjen mirë që ligji për përmirësimin e zonave të zhvillimit apo edhe zonat e turizmit vjen pas një përvoje të shkëlqyer që është bërë më herët në Tiranë, Shkodër, Korçë, Krujë, Berat, Gjirokastër dhe Vlorë. Edhe rilindja urbane u mbështet në këtë përvojë që nisi ky projekt. Po ju sjell një shembull nga qyteti i Beratit, që falë këtij projekti pësoi ndryshime të mëdha. Bulevardi qendror i qytetit, i cili ishte vend për parkime të makinave dhe kaotik pa asnjë vizion, u transformua.

Niko Peleshi: Dua t’ia jap fjalën zonjës Gjermeni, e cila ka një eksperiencë të vyer nga koha kur ka qenë ministre e Zhvillimit Urban.

Eglantina Gjermeni: Përvoja ime 4-vjeçare si ministre e Zhvillimit Urban më ka dhënë mundësinë të punoj me fondacionin shqiptaro-amerikan në zhvillimin e disa zonave të biznesit në qytete të ndryshme. Mund të them që kemi qenë afër këtij procesi dhe kemi nxitur këto gjëra. Tani flas edhe si deputete e Krujës dhe shpreh mirënjohjen e gjithë asaj zone për kontributin e fondacionit për përmirësimin e zonës së pazarit të Krujës. E konsideroj këtë projektligj shumë të vlefshëm dhe në këto kohë që po kalojmë, merr një rëndësi të veçantë.

Ilir Beqaj: Së pari kryetar, unë do t’ju ftoja që të mos shfrytëzonit pozicionin për të risjellë në vëmendje punën që keni bërë në detyra të ndryshme, sepse na vini në siklet ne të tjerëve. Ne e dimë se çfarë është bërë në Krujë, Korçë, Berat dhe e shijojmë, por unë nuk mund të jem cinik dhe t’ju them që hajdeni dhe shikoni se sa të mira janë bërë sallat e operacioneve, kështu që të mos bëjmë konkurrencë me ato që kemi punuar dikur. Së dyti, unë mendoj se ne nuk paskemi nevojë për ligj, pasi ajo që u tha këtu tregoi se çdo gjë ka funksionuar mirë edhe pa ligj dhe kur gjërat shkojnë mirë pa ligj, nuk ka pse të bëjmë ligj. Për mendimin tim, në gjithë këto vite modelet e krijuara janë pak a shumë të ngjashme, ku qendrat historike të qyteteve tona janë rivitalizuar dhe u kanë dhënë vlerë zonave ku janë bërë. Unë vetë nuk e falënderoj dot fondacionin, për një arsye shumë të thjeshtë. Para tri vitesh, unë i kam propozuar fondacionit shqiptaro-amerikan të shfrytëzonte të njëjtën ide, por pak më ndryshe, siç janë llixhat e Peshkopisë. Edhe atje mund të bëhej një gjë e tillë, pasi ka vlera jo vetëm historike, por edhe mjekësore e çlodhëse dhe nëse do e kishin marrë për bazë propozimin tim për llixhat e Peshkopisë, vitin tjetër, kur mund të mbarojë Rruga e Arbrit, dikush mund të niset nga Tirana dhe brenda ditës shkon e kthehet nga Peshkopia.

Niko Peleshi: Zoti Beqaj, faleminderit edhe për këshillën, të cilën duhet të ta kthej mbrapsht, pasi nuk e quaj të pavend që të sjellim përvojën e kolegëve në punët e kaluara, nuk ka asgjë të keqe, pasi vjen këtu me një histori pune nga pas që mund t’i vlejë komisionit. Sa i përket vetes sime, unë mund të sjell eksperiencën time, por jo duke thënë sa mirë e kam bërë, por sa kam mësuar. Edhe punën tuaj z.Beqaj, pasi ne nuk na lidh shumë puna me shëndetësinë, por do t’ju ftoj që ta ndani eksperiencën tuaj, por jo ta thoni siç e thatë tani, si ajo historia që nuk dua t’u them që Bardhoshja e ka ditëlindjen..

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura