Përplasje e fortë në TV për rrogat, debati i plotë Halili-Muzaka

Jan 9, 2017 | 11:22
SHPËRNDAJE

Refik Halili ka zhvilluar dje një debat të ashpër me Gjergj Muzakën për çështjen e rrogave të prapambetura. I ftuar në emisionin “Ora Skaner”, kreu i klubit të Tiranës ka pohuar se i ka detyrime të pashlyera lojtarit, por ka thënë gjithashtu se ai ka qenë i dëmtuar dhe se nuk mund të marrë rrogën të plotë. Halili ka kaluar edhe në akuza direkte ndaj ish-mesfushorit bardheblu, duke i thënë se kartoni nuk i vlen shumë se nuk është Maradona…

Refik Halili Skaner

Ndërkaq, shumë më i përmbajtur ka qenë futbollisti, i cili, gjithsesi, i ka bërë të qartë kreut të klubit se nuk ka ndër mend që të tolerojë asgjë nga kontrata dhe se për gjithçka do t’u drejtohet organeve kompetente.

Deklarata e Halilit…

“Kam 8 muaj që nuk dal në media, megjithatë thashethemet dhe jehona apo publiciteti që po i bëhet çështjes ‘Muzaka’ më solli këtu. Ka dizinformim dhe, mbi të gjitha, karshi meje. Muzaka si çdo futbollit tjetër ka një kontratë. Unë kam qenë i kujdesshëm me të, edhe pse duhet ta pranoj që kur u rikthye nuk isha dakord për një kontratë afatgjatë, megjithatë insistimi i drejtorit Devi Muka më bindi. Që të kthehem te çështja, në kontratën që unë kam, ka pika dhe këtë mund t’ua dëshmoj.

Këtu janë edhe pagesat e bëra dhe fakti është që ka një klauzolë në faqen e tretë, që thotë: ‘Në rast se lojtari bëhet i paaftë për të luajtur për arsye dëmtimi, sëmundjeje, përfshi edhe çrregullimet mendore, ai do paguhet për 4 muaj’. Pra, pas kësaj kohe, mund të mos marrë pagën.

Në një pikë tjetër thuhet: ‘Lojtari do të paguhet 70 milionë lekë të vjetër në vit, e ndarë kjo në 10 muaj. Dhe klubi do t’i paguajë lojtarit në të gjithë kohëzgjatjen e kësaj kontrate, një shpërblim maksimal mujor, e vlefshme për 70 milionë lekësh. Paga mujore me vlerë 1 milion lekë bruto dhe bonus 6 milionë lekë bruto’. Në bazë të kontratës që ai ka dhe kur dihet që ka qëndron i dëmtuar, nuk mund të marrë pagë plus bonus.

Halili ne studio

Dhe këtu qëndron problemi, pasi ai kërkon pagë 7 milionë edhe kur ka qenë i dëmtuar dhe jo 1 milion. I gjithë problemi qëndron këtu. Dhe, sipas kontratës, atij i takon vetëm paga. Për të qenë të qartë, këtë kontratën e ka bërë vetë Muzaka. Nëse ai thotë të kundërtën, atëherë unë iki përfundimisht nga ky klub.

Por kjo është e vërteta dhe rroga e tij është vetëm 1 milion lekë të vjetër. E gjithë kjo bëhet prej bonusit, pasi të gjithë e dinë që Muzaka ka qenë i dëmtuar. Njëherë kur u dëmtua në Laç dhe një tjetër në Ballsh. Dhe gjendja e tij faktohet nga sistemi i vet FSHF-së, sa ke luajtur, sa minuta, kartonë apo gola. Dhe nëse unë do të isha në vend të Muzakës, do thosha sa më takon dhe mbaronte puna”.

Mesazhi i Muzakës…

“Sa i përket çështjes së listës së Turqisë, dua të tregoj një mesazh që më ka sjellë, më datë 6 janar, ora 15:09, ku më thotë: ‘Mirëdita, isha në stërvitje dhe më komunikoi trajneri që nuk do udhëtoj me ekipin nesër. Si qëndron puna?’. Por, pas këtij mesazhi, nga FSHF-ja mua më vjen një mesazh, që unë duhet të paraqitsha të hënën në DHZK, sepse kishte një ankesë për mua.

Dhe bashkëngjitur, mua më dërgon edhe kërkesëpadinë e bërë nga Muzaka, të cilën e ka bërë më 30 dhjetor 2016. Pra, kallëzimi është bërë në fund të vitit dhe në një kohë mua më shkruan më datë 6, që nuk jam në listën e fazës përgatitore. Tani, si mund ta vendosja unë Muzakën në listë, në një kohë kur ai ka bërë kallëzim?! Por edhe vetë Gjergji, duhet të ishte më transparent dhe të thoshte të vërtetën. Pra, të tregonte që ka bërë padi dhe jo sikur klubi e përjashtoi.

Halili - Muzaka te Carcani

Në pagesat që i kemi bërë, kemi një kartelë për Muzakën, paga të bëra në bankë apo ‘kesh’, sepse ju e dini që ne kemi problemin me numrin e llogarisë bankare. Gjithsesi, ai ka ende për të marrë rroga. Por kemi pritur që Gjergji t’i jepte drejtim, pra të pranonte punën e 1 milion lekëve. Nëse do të zbatohej kontrata dhe ka qenë 7-8-9 muaj i dëmtuar, i bie që pas dëmtimit të marrë 7-8 apo 10 milionë”.

KARTONIN KUSH E BLEU?

“Gjergji nuk duhet të gënjejë, pasi unë jam bërë si prind për të dhe futbollistë të tjerë. Unë në 2008-ën, në zyrat e Albert Xhanit, te ‘Dy Kullat’, kemi paguar 95 lekë të vjetër për ta marrë Gjergjin te Tirana. Dhe ai e di më mirë këtë. Ai luajti te ne dhe kartonin 50% e kishte Refik Halili. Sa për t’ju kujtuar, ai shkoi tek ekipi i Dinamos, në kohën e donatorëve, dhe si lojtar i lirë. Përfitoi nga rasti që marrëdhëniet e mia me Federatën nuk ishin të mira, për faj të askujt, por prej faktit që ishim në fushatë, pasi pata kandiduar për presidencën e FSHF-së.

Pra, unë pagova për të, por paratë e shitjes i mori Muzaka. Ai te Dinamo kërkoi 30 mijë euro për kartonin dhe rrogë mujore. Pra, prej meje dhe klubit ka marrë vetëm ndihma. Ka marrë atë që ka merituar, por kartoni dhe kjo që kërkon tani nuk është haku i tij. Kjo kontratë mësoi që edhe në vazhdim t’i bëjë kështu, pra si të Gjergjit, jo luajti nuk luajti. Lojtarët përgjithësisht ndihmojnë shokët, edhe në lojë madje. Këtu i referohem gjendjes fizike të Muzakës.

Gjatë kohës që ekipi drejtohej nga Daja, a mos vallë i thashë unë që të mos luante? Por, ai nuk ka pasur minuta dhe unë mendoj se ka qenë prej anës së tij fizike, ashtu siç ndodhi edhe me Vucajn. Pastaj edhe me trajnerin tjetër, Josën, po njësoj. Ai ka luajtur më rrallë dhe si zëvendësues. Por kur lojtari nuk është mirë nga ana fizike dhe për të qenë i ndershëm, pisja që do të më thoshte ‘unë e mbylla, hajde bëjmë llogaritë bashkë’.

Të largohej dhe të bënte një ceremoni, t’i ofronim ndonjë post në klub, pasi kemi nevojë për njerëz me shkollë dhe të zotë. Pra, veç biznesit tjetër, të bënte edhe këtë. Unë i uroj mbarësi për punën e re, por sa ishte futbollist nuk do të ishte mirë që të bënte loto. Jo se kam dyshime, që t’i ndajmë gjërat. Pasi aty ka njerëz që çfarë diskutohet, i marrim vesh edhe ne. Unë uroj që të bëhet kapiten i Kombëtares, por jam i bindur që s’do luajë asnjë ditë”.

DEBATI ME MUZAKËN…

Halili-Muzaka

Muzaka: Unë jam në kontratë dhe çdo gjë e bëj me konsultë me klubin, ndaj po i marr leje publikisht: a mund të komunikoj në lidhje direke, që nesër apo pasnesër, të mos kem asnjë lloj problemi?

Halili: Po, patjetër.

Muzaka: Në radhë të parë, nuk di nga ta nis nga dëmtimi, paga apo çështja e kartonit për të cilën presidenti thotë që i ka paguar Partizanit. Faktikisht kartonin e kam paguar vetë dhe presidenti është në studio, ndaj mund ta vërtetojë, që unë kam luajtur një vit pa lekë te Tirana, plus 30 mijë euro që unë i kam paguar nga shtëpia, plus 20 mijë euro që presidenti i ka dhënë nga xhepi vetë, janë bërë 95 mijë euro që i janë dhënë Partizanit.

E dyta, unë jam dëmtuar më 11 maj, konkretisht të 2015-ës. Sipas kontratës ne paguhemi 10 muaj, pra qershor dhe korrik nuk marrim pagë. Presidenti mund ta thotë këtë. Unë kam nisur stërvitje në shtator dhe jam aktivizuar në tetor. Unë jam vrarë në një ndeshje zyrtare me skuadrën dhe, nga pretendimet e mia, mund të heqim një rrogë që unë s’jam aktivizuar me skuadrën, që mund të jetë gushti. Megjithatë, unë kam qenë gati në shtator. Pra, kam munguar vetëm qershor dhe korrik që, në bazë të kontratës, ne nuk paguhemi.

Halili: Do të ishte mirë që Muzaka të ishte në studio, pasi sqarimi nuk bëhet kështu, megjithatë po i jap një përgjigje. Më vjen shumë keq, por unë jam një njeri që ka dokumentacione të rregullta. Muzaka kartonin e ka pasur 50 me 50, pagesën e kam bërë një pjesë unë, një pjesë Muzaka, ndërsa tjetrën ia kemi mbajtur nga rroga. Vetë lojtari merrte, në mos gabohem, 500 apo 800 mijë lekë të vjetër, ndërsa 50% e kartonit ishte e imja.

Muzaka: Unë kam pasur kontratë 2-vjeçare asokohe dhe ju nuk mund ta kishit kartonin tim përjetësisht.

Halili: Mos ki merak, unë do ta jap, se kartoni yt nuk vlen 50 milionë, pasi nuk ke qenë Maradona.

Muzaka: Nuk ka rëndësi fare kjo.

Halili: Atëherë do ta sjellë edhe këtë çështje në DHZK. Gjergji, më lër të mbarojë, pasi nuk fiton ai që flet më shumë. Unë s’të ndërpreva. Edhe mandatin e pagesës dhe rrogën që ke marrë në 2008-2009, krahas do të shohësh që edhe kartoni është 50% i imi, përfshi këtu edhe financat që ke hedhur ti. Unë mbaj mend gjithçka, madje edhe çfarë më ka thënë Bert Xhani për ty, që ti rrije me djalin e tij të vogël.

Muzaka: Po, më vjen keq, çfarë lidhje ka djali i Bert Xhanit?!

Halili: Këtu po del që është gënjeshtër e hapur, puna e kartonit, të cilën do ta faktoj edhe në DHZK. Plus edhe pjesën e rikthimit pas dëmtimit. Këtu kam kartelën e tij dhe më rezulton se më 22 prill 2015 me Laçin është dëmtuar dhe ka filluar të luajë më 4 nëntor 2015. Urdhëro, shikoje! Ndaj Muzaka nuk mund të thotë që një muaj mund të mbahet. Vërtet nuk ka rroga qershor dhe korrik, por ti ke nisur në nëntor…

Muzaka: Unë nga shtëpia nuk mund të tregoj letra.

Halili: Këto janë nga FSHF-ja o zotëri, nuk mund të hedhësh hi!

Muzaka: Por, mund të ketë edhe një protokoll para asaj. Një ndeshje tjetër në tetor. Por këto janë gjëra koti, gjithsesi më vjen keq!

Halili: Janë të FSHF-së dhe thonë që për dy vjet ke bërë vetëm dy gola. Nuk mund të thuhet si do ti.

Muzaka: Nuk ka rëndësi sa gola kam bërë, ajo është një kontratë që ta solla unë të përpiluar. Por s’të detyrova që ta firmosje.

Halili: Nuk kam qejf, se është pa vlerë. Muzaka po të donte, të vinte këtu.

Muzaka: Dhe unë e thashë arsyen se përse nuk erdha. Nuk fola prej rregullave të klubit. Gjërat janë të thjeshta. Presidenti thotë që kam qenë i dëmtuar dhe pretendon që kam një pagë prej 1 milion lekësh. Unë jam dëmtuar në maj dhe në shtator u ktheva. Gjithsesi më vjen keq që u bë ky konfrontim publik.

Halili: E ke bërë ti, që e ke çuar në DHZK.

Muzaka: Unë nuk kam bërë padi, bëra thjesht një kërkesë zyrtare për pagat e prapambetura. Unë presidentin e kam kontaktuar shpeshherë. Kemi folur, jemi takuar, po asnjëherë nuk kemi pasur një zgjedhje për pagat. Ndaj bëra një kërkesë zyrtare për shlyerje detyrimesh, pra nuk është padi.

Halili: Një pyetje kam vetëm Gjergj: Kur ishit i dëmtuar, ju takon që të merrni 1 milion apo më shumë? Vetëm kaq kam…

Muzaka: Kjo është çështje që do sqarohet në DHZK.

Halili: (Qesh) Tani e the vetë, që mund të marrësh një rrogë. Përmbaju kontratës.

Muzaka: Do t’i përmbahem deri në pikën e fundit.

Halili: Po pra, të takon 1 milion. Kur je i dëmtuar, fatkeqësisht, të takon rrogë 1 milion lekë apo 7?

Muzaka: Kur kemi folur bashkë, sa e kam pasur rrogën? Për sa kemi rënë dakord?

Halili: Ore, ti e ke të qartë kontratën. Por më thuaj sa të takon?

Muzaka: Ju sapo thatë që këtë kontratë jua kam sjellë unë. Pra ju thjesht e keni firmosur. Ju kujtoni se unë nuk di çfarë përmban kontrata…?

Halili: Po, pra. Thuaje publikisht sa të takon kur je i dëmtuar?

Muzaka: Unë jam dëmtuar në ndeshje dhe mua më takon paga e plotë. Aq sa është, 7 milionë.

Halili: Po jo more, e ke aty të qartë: në rast dëmtimi, ti merr 1 milion lekë. Nuk thotë që në rast dëmtimi, rroga bazë plus bonus.

Muzaka: Ju më pyetet sa e kam rrogën, atëherë unë po ju pyes sa muaj kam pa u paguar?

Halili: Shiko, nxirre ti publikisht sa ke dhe unë të them nëse ke 1 më pak a 1 më shumë. Këtu i ke gjitha pagat.

Muzaka: Po ju pyes, sa rroga kam pa marrë?

Halili: Muzaka, ti rroga ke për të marrë. Por duhet të rregullosh këtë bilanc, 7 apo 1. Dhe për mua është 1. Se kështu thotë kontrata, këtë nuk e luan as topi. Dhe aktivizimi, që ti gënjeve. E ke këtu, ke nisur në nëntor. Pra ke qëndruar 4 muaj e ca i dëmtuar dhe nuk është kështu si thua ti. Këtë e thotë sistemi i federatës. Nuk mundesh të gënjesh.

Muzaka: Kjo është një çështje që nuk zgjidhet në lidhje direkte.

Halili: Për ty nuk zgjidhet.

Muzaka: Nuk ka rëndësi sa gola kam bërë apo sa kam luajtur, kush jam unë e kush jeni ju. Atë e di një opinion i tërë. Unë thjesht ndërhyra për sqarim.

Halili: Po nuk po na sqaron asgjë.

Muzaka: Po pra, ju më pyetët sa e ke rrogën, unë po ju pyes sa muaj kam pa u paguar?

Halili: Gjergji, të gjitha çfarë ti ke pa marrë dhe sa ke marrë, tepër dhe mangët, tani po të kujtoj dhe një gjë tjetër. Të kesh turp që në media thua që në ditën kur u dëmtove, nuk je paguar për rikuperim. Dhe unë t’i kam dhënë paratë kur ke ikur. Më ke thënë: “Po më ndihmon Igli Tare, do shkoj ta bëj atje operacionin, sepse ata janë shumë të mirë”. Të kam dhënë rreth 3-4 milionë lekë, në mos gaboj, dhe të kam dhënë edhe diferencën tjetër.

Muzaka: Më keni dhënë rrogën time.

Halili: Nuk janë lekët e mia jo, më dëgjo. Është rroga jote, por pagesën ta dhashë unë.

Muzaka: Më ke dhënë 7 milionë, aq sa kam edhe rrogën.

Halili: Po ta thashë pra, është rroga jote, por ta dhashë unë. Por ti ke thënë “ika dhe nuk mora lekët”. Është një pagesë që ta dhashë unë.

Muzaka: Unë nuk kam thënë asnjë, kjo është ndërhyrja ime e parë publike dhe private. Madje ju mora edhe leje edhe sot (dje), po jua theksoj. Nuk kam bërë asnjë deklaratë deri më sot. Jam shumë i kujdesshëm, pasi e di që situata ime është shumë delikate.

“Josa më tha që Gjergji i ka fikur motorët”

Refik Halili zbardhi edhe një prapaskenë për çështjen “Muzaka”. Sipas asaj që presidenti thotë, trajneri Mirel Josa e shihte larg formës prej kohësh.

“Josa e ka deklaruar listën në datën 6 janar, kur ua ka deklaruar edhe futbollistëve. Muzaka, aty e ka pasur Josën për të ditur pse nuk është. Megjithatë, po e them unë mendimin e Josës: ‘Ky e ka fikur motorin prej kohësh’. Gjë të cilën Josa ma ka thënë shumë kohë më parë.

Muzaka duhet ta gjejë të keqen te vetja, as tek unë dhe as te Josa, për sa kohë ai i kërkon gjithmonë trajnerit: ‘Presor, a të bëj një xhiro vrap rreth fushës se nuk jam shumë në formë?’. Ai të mos mendojë se këto të dhëna nuk i shkojnë presidentit dhe drejtuesve të klubit”, u shpreh presidenti.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura