Çfarë kemi pasur në mendje këto ditë?

Jun 2, 2022 | 7:59
SHPËRNDAJE

EMANUEL SALINAS Emanuel-Salinas_World-Bank

Të dashur lexues. Më lini ta nis duke u prezantuar. Unë kam privilegjin të jem  menaxheri i Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri, kështu që, puna ime, në thelb, nënkupton dy gjëra: e para, të sigurohem që programi i Bankës Botërore të përqendrohet te përparësitë më të rëndësishme për zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë dhe, së dyti, të garantojmë mbajtjen e premtimeve që japim sa më shpejt dhe në mënyrën më efikase të mundshme.

Tani, më lini t’ju tregoj diçka personale: fëmijë, u rrita në një lagje të varfër të qytetit Meksiko dhe isha përfitues i një projekti të Bankës Botërore, që ndërtoi shkollën time fillore dhe na siguronte ushqimin e përditshëm. Falë këtij projekti m’u çel rruga për t’i ikur varfërisë e m’u hap një botë mundësish. Pse jua them këtë? Sepse e kam të vërtetuar që një e ardhme më e mirë është e mundur dhe di, po ashtu, që, së bashku, mund të ndryshojmë jetë.

Megjithatë, e di edhe që duhet të veprojmë shpejt! E nisa punën në këtë detyrë gjashtë muaj më parë dhe, me gjasë, nuk keni dëgjuar shumë prej meje. Përpara se të jepja mendime, doja ta filloja duke njohur Shqipërinë, jo ekonominë, por ajo çka është më e rëndësishme, vendasit. Ka qenë përvojë mahnitëse e më ka shijuar shumë. Do të vazhdoj me kënaqësi të mësoj sa kohë jam këtu. Sidoqoftë, në këtë pikë, dua t’ju flas për disa prej çështjeve për të cilat po punojmë, për ato që planifikojmë t’i bëjmë pjesë të punës në të ardhmen dhe për idetë që duam t’i ndajmë me ju.

Dëgjojmë nga të katër anët lajme shqetësuese dhe pasiguri nga çdo cep i botës, ndaj, me vetëdije, po përpiqem të mos përqendrohem tek ajo çfarë është shqetësuese dhe ku nuk kemi asnjë ndikim, por tek ajo çka është e rëndësishme e mund ta ndryshojmë. Ka plot për të folur dhe nuk dua t’ju ngarkoj me një listë të gjatë gjërash, ndaj sot do nis të ndaj disa mendime dhe do vazhdoj ta bëj këtë edhe herë të tjera. NJË PROJEKT Shqipëria është e bekuar me natyrën dhe peizazhet më mahnitëse, nga lumenjtë dhe bregdeti te malet dhe trashëgimia kulturore. Nuk është habi që vendi po bëhet një destinacion kryesor turistik.

Megjithatë, është gjithnjë shumë e trishtë kur udhëton nëpër Shqipëri të shohësh plehrat e hedhura edhe në zonat më të bukura. Po ashtu, ka një ndotje më pak të dukshme, por më shumë shqetësuese që janë ujërat e ndotura nga shtëpitë dhe bizneset që derdhen drejtpërdrejt në lumenj dhe dete. Kësisoj, u gëzuam kur na u bë kërkesë nga autoritetet për të punuar me ta për të rehabilituar dy fusha kryesore: ndotjet nga ujërat e zeza përgjatë lumit Vjosë dhe ndotjet nga mbetjet e ngurta (kryesisht nga mbetjet e ndërtimeve) përgjatë bregdetit të Vlorës. Po kështu, ne po mbështesim Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit për ndalimin e qeseve plastike – meqë ra fjala, respekt për qeverinë shqiptare për hapin e guximshëm që hodhi për këtë çështje.

NJË REZULTAT

Me gjithë çmendurinë që ka përfshirë botën, ndonjëherë COVID-19-a duket si kujtim i largët. Të shpresojmë dhe të kryqëzojmë gishtat, por mund të themi se në pjesën më të madhe Shqipëria ia ka dalë pandemisë dhe duket si diçka që i takon së shkuarës. Sidoqoftë, kjo nuk ishte çështje fati. Kemi qenë vetë dëshmitarë të përpjekjeve të jashtëzakonshme të punonjësve të shëndetësisë në të gjitha nivelet dhe të përkushtimit të lartë dhe orientimit efikas të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Dua të ndalem pak e t’i falënderoj të gjithë për kujdesin e treguar ndaj atyre prej nesh që u prekën nga sëmundja dhe për ndihmën që dhanë për të marrë kthesën nga kjo pandemi përmes vaksinave dhe përkujdesjes.

Ju faleminderit. Ne në Bankën Botërore ishim shumë të lumtur që mbështetëm Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale me blerjen e pajisjeve (përfshi ambulancat, tomografitë e kompjuterizuara, pajisjet ekografike, një sistem angiografie, pajisje ekzaminimi me ultratinguj dhe pajisje për analiza) dhe rindërtimin e tri spitaleve (spitalit pediatrik, spitaleve rajonale të Laçit dhe Kukësit). Na ka mbetur edhe një gjë pa bërë: rindërtimi i Klinikës së Sëmundjeve Infektive (KSI) brenda Spitalit Universitar “Nënë Tereza” në Tiranë. Kjo u vonua ca, pasi ishte vendi kryesor ku trajtoheshin pacientët me COVID-19 dhe kemi në plan ta përfundojmë në dy muajt e ardhshëm.

NJË IDE: TË NDRYSHOSH SJELLJET

E përmenda që na vjen mirë që do të punojnë për rehabilitimin nga ndotjet në Vlorë dhe në Vjosë, por vazhdoj të mendoj se kjo nuk do të jetë aspak e mjaftueshme për të ruajtur bukurinë natyrore të Shqipërisë për brezat e ardhshëm. Na duhet një ndryshim madhor i mënyrës sesi kontribuojmë secili prej nesh për këtë. Për ta thënë thjesht, vend më i pastër nuk është ai ku plehrat mblidhen shpejt nga lumenjtë dhe toka. Vend më i pastër është ai ku askush nuk i hedh plehrat pa kujdes.

Ndaj, ndërkohë që është mirë të ndryshohen ligjet dhe të investohet në infrastrukturën e nevojshme për të pastruar lumenjtë dhe bregdetin, më e rëndësishmja është të ndryshojmë sjelljen. Për të ardhmen, ne kemi në plan të bëhemi më aktivë lidhur me atë që quhet “ekonomia e sjelljes”. Është një fushë magjepsëse ku kombinohen ekonomia dhe psikologjia, për të kuptuar si dhe pse sillemi ashtu në botën reale. Ekonomia e sjelljes ndryshon nga ekonomia tradicionale (e cila supozon se njerëzit sillen në mënyrë ‘racionale’), duke pranuar se, shpesh, ne marrim vendime, të cilat janë ‘irracionale’ ose që mund të na dëmtojnë, edhe pse e kemi informacionin për të marrë vendimin e duhur.

Ekonomia e sjelljes është një mënyrë për të vrojtuar mirëfilli sjelljet në jetën e vërtetë dhe për të bërë pyetje që na ndihmojnë të identifikojmë se pse sillemi në një mënyrë të caktuar dhe ç’duhet bërë që kjo sjellje të ndryshojë. Më lini t’ju them një histori që ilustron këtë: me sa duket, shumë vite më parë, në Londër, dikujt i lindi ideja të vizatojë një vijë të bardhë që ndante rrugën e Urës së Kullës (Tower Bridge) në dy korsi. Kjo i dha zgjidhje problemit masiv të bllokimit të trafikut vetëm duke e ndarë atë në dy kahe. Ajo që më pëlqen nga kjo histori është se, për të zgjidhur trafikun dhe kaosin, do të mendonim normalisht se do të duhej një urë tjetër, por kjo tregon se zgjidhjet për mjaft probleme janë shumë më të thjeshta dhe të lira – të lira aq sa një kuti boje. Në të ardhmen, ne do të nisim t’i përfshijmë qasjet e ekonomisë së sjelljes në projektet tona në Shqipëri.

Me gjasë, kjo do të jetë më e vështirë sesa të ndërtosh gjëra (pasi nuk ka recetë për këtë), por mendoj se duhet të përpiqemi. Kemi disa ide sa për fillim, por duam të dëgjojmë edhe idetë tuaja. Mendoni për sjelljet që duhet të përpiqemi të ndryshojmë dhe ndajini këto idetë me ne. Kaq për këtë herë. Na shkruani në ”Facebook” (World Bank Albania) ose në [email protected] për të na thënë mendimet, pyetjet ose idetë tuaja.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura