Ç’do ndodhë më 18 shkurt?/ ‘Skenari rumun, pse Basha nuk premton dot Bukureshtin’

Feb 9, 2017 | 17:10
SHPËRNDAJE

Pas thirrjeve të vazhdueshme të opozitës dhe liderit të PD-së, Basha për rrëzimin e qeverisë, për protestën masive më 18 shkurt dhe paralelizmin me skenarin rumun, analisti Andi Bushati argumenton se çfarë do të ndodhë atë ditë.

ANDI_BUSHATI_PORTRET_96

Në një opinion të publikuar në Lapsi.al, Bushati analizon pse paralelizmi nuk ka asnjë lidhje dhe pse Basha apo opozita nuk mund të premtojë dot Bukureshtin, ndezjen e sheshit atje kundër qeverisë.

“Ngjarjet e fundit në Rumani dhe përpjekja për t’a asociuar protestën më të madhe popullore që prej rrëzimit të Çausheskut me atë që opozita po përgatit në 18 shkurt në Tiranë, kanë ngjallur një entuziazëm të pa bazuar tek militantët e PD. Ai u bë edhe më i madh pasi lideri demokrat, Basha, ashtu siç bëri Berisha para zgjedhjeve të vitit 2005 me revolucionet me ngjyra (në Ukrahinë dhe Gjeorgji) i ftoi mbështetësit e tij të inspirohen nga ajo që po ndodh në vendet e ish-lindjes komuniste”- shkruan ai.

Sipas Bushatit, rumunët u ngritën kundër një mënyre qeverisjeje të ushtruar me dekrete okulte dhe pa përfillur opinionin publik dhe me këtë sipas tij, ngjasimet me rastin shqiptar përfundojnë.

“Sepse po të shihet me vëmendje ajo që po ndodh në Rumani, nuk është se opozita jonë ka shumë me ç’të krenohet. Një vëzhgim me imtësi na tregon se kryeministri Sorin Grindeanu dhe lideri real i partisë në pushtet ndaj të cilit është ngritur furia popullore, Liviu Dragnea, përdorin të njëjtën gjuhë dhe komunikim si shumë nga drejtuesit e opozitës. Ata e shohin zemërimin popullor, njësoj si Viktor Urbani në Hungari, apo si Jarosllav Kazinski në Poloni, pra si të manipuluar nga levat e multimiliardertit Xhorxh Soros. Ata kanë denoncuar perdorimin e protestuesve nga Brukseli dhe nga qarqet perendimore. Ata para një drejtësie që funksionon sipas modeleve të botës demokratike, kanë ekzaltuar sovranitetin kombëtar”- shkruan Bushati.

Ai thekson se qëndrimet dhe diskursi i opozitës shqiptare është shumë më i ngjashëm me ato të atyre ndaj të cilët protestuesit janë ngritur në Rumani.

Sipas Bushatit, PD-ja nuk ndan as të njëjtat vlera, as të njëjtin vizion me qindra mijëra njerëz që e kthyen Bukureshtin në një festë demokracie.

“Në tre vite opozitë ajo pothuase nuk ka milituar asnjë çast që diçka të bëhet më mirë, që ky sistem të ndryshojë, që kjo mënyrë 25 vjeçare e të bërit politikë të shembet. Ajo thjesht ka dashur vendin që zaptoi Edi Rama në 2013. Pikërisht për këtë arsye, opozita e sotme nuk mund të bëhet flamurtarja e një skenari Rumun. As mund të bëhet mbartësja e një zemërimi shperthyes në 18 shkurt”- shkruan ai.

Bushati parashikon se demokratët do të protestojnë të shtunën e ardhshme për shumë më pak sesa ato që kërkojnë homologët e tyre rumunë.

“Ata do ta bëjnë këtë, për të mbledhur forca dhe për t’u dhënë zemër militantëve për të shkuar drejt zgjedhjeve, por vetëm kaq. Sepse me ato që kanë bërë për tetë vite me radhë në pushtet dhe për mënyrën sesi nuk kanë reflektuar në opozitë, ata nuk kanë fuqi të premtojnë Bukureshtin”- shkruan ai.

Në përfundim, sipas tij, “ata presin më shumë nga rënia e Sorosit, nga ndryshimi i ambasadorëve, nga përmbysja e konjukturës botërore, sesa nga forca e asaj që mund të prodhojnë të shtunën e ardhshme”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura