BRIKENA METAJ/ Një vajzë 12-vjeçare ka humbur jetën pas zjarrit që përfshiu banesën ku jetonte, ndërsa babai i saj ka mbetur i plagosur.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Derviçan të Gjirokastrës, mbrëmjen e së dielës. Viktima është shtetasja, Krisanthi Ndrico, ndërsa babai i saj, shtetasi Irakli Ndrico ka përfunduar në spital ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Viktima dyshohet të jetë person autik dhe nuk ka mundur të dalë nga banesa në momentin kur shpërthyen flakët. “Rreth orës 20:30, në sallën operative ka ardhur një telefonatë se në fshatin Derviçan, Dropull, ka rënë zjarr në banesën e shtetasit I. N.
Në momentin kur banesa është përfshirë nga flakët, brenda saj kanë qenë shtetasi I. N., 49 vjeç dhe vajza e tij 12-vjeçare H.N, ku si pasojë janë dëmtuar dhe janë transportuar në Spitalin Rajonal Gjirokastër. Pas mbërritjes në spital, 12- vjeçarja si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë, ndërsa shtetasi I.N. ndodhet jashtë rrezikut për jetën”, sqaroi Policia. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
SHKAKU
Shkak i ngjarjes së rëndë në familjen Ndrico është bërë një qiri, nga i cili kanë shpërthyer flakët e zjarrit në banesë. Mbrëmjen e së dielës, zona ka pasur mungesë të vazhdueshme të energjisë elektrike. Pasi flakët u shpërndanë në banesë, 12- vjeçarja Krisanthi Ndrico u fut në tualetin e shtëpisë, për t’i shpëtuar zjarrit, por nuk ka mundur dot. Së bashku me vajzën në banesë ishte edhe babai i saj, Irakli Ndrico, i cili ndodhet në spital.
Rasti u denoncua edhe nga deputeti i PD-së, Tritan Shehu, i cili tha se kjo është një ngjarje e paralajmëruar, pasi prej kohësh në këto zona sa herë bie shi, ka edhe mungesë të energjisë. Shehu shkruan në një postim në “Facebook”, se përdorimi i mjeteve primitive të ngrohjes ka bërë që të bjerë zjarri në banesë. Ai thotë se për të përmirësuar situatën e energjisë elektrike nuk ka asnjë projekt, ndërsa institucionet heshtin dhe nuk kanë asnjë reagim.
DËSHMITË
Edhe banorët e fshatit konfirmuan mungesën e energjisë elektrike në zonë për orë të tëra si pasojë e motit të keq. Ata kanë theksuar se kanë parë nga larg flakët në banesën e 49-vjeçarit, ndërsa vajza sipas tyre ishte fshehur në banjë, por fatkeqësisht nuk ka mundur të mbijetojë pasi është asfiksuar nga tymi.
“Një njeri më tha mua se vajza u fut në banjë, iu zu fryma dhe vdiq. Edhe babai tentoi ta ndihmonte, asnjë nga komshinjtë nuk e ka parë”, tha një banor i lagjes. “Çfarë të të them? S’kishim drita, të tërë ishim nëpër shtëpi, i pamë flakët nga larg”, dëshmoi një banore tjetër.
© Panorama.al











