Atentat shqiptarit në Gjermani, kërkohen 2 autorë me xhupa të errët. Mbi 30 oficerë dhe hetues gjermanë në betejë me kohën për arrestimin e vrasësve

Nov 30, 2022 | 11:51
SHPËRNDAJE

NIKOLETA KOVAÇI/ Një atentat mafioz ka trazuar qetësinë në qytetin e Krefeld të Gjermanisë mbrëmjen e së hënës.

gjermani-policia

Viktima e një prite fatale të ngritur nga dy persona është një shtetas shqiptar, emrin e të cilit autoritetet gjermane nuk e kanë bërë të ditur përgjatë gjithë ditës së djeshme. Për dyshimet dhe për hetimet e aktit kriminal ka folur një nga prokurorët më të njohur të vendit, i cili mësohet se gjendet në krye të një skuadre hetimore që po koordinon të gjithë punën kërkimore për kapjen e personave që i morën jetën shqiptarit. Të dhënat flasin për një atentat të pastër, ku dy autorët kanë lëvizur për në vendin e ngjarjes dhe më pas janë larguar, me një mjet të vjedhur.

Por ajo që ka rëndësi për hetimin, deri orëve të vona të mbrëmjes së djeshme është fakti që ekzekutimi ka jo vetëm pamje filmike por edhe dëshmitarë. Ata kanë folur për policinë gjermane duke dhënë jo vetëm detajet e veshjes së dy atentatorëve, të cilët i morën jetën shqiptarit teksa kthehej për në banesë menjë biçikletë, por edhe për karakteristikat fizike të tyre. Policia vendase ka dhënë pak detaje për viktimën, përveç moshës, kombësisë dhe faktit që ai ishte një person i njohur për ta, për shkak të dy precedentëve të mëhershëm penal që kishte pasur në shtetin gjerman. Por viktima ishte liruar pasi kishte kryer dënimet respektive dhe jetonte i qetë në qytetin ku edhe u vra.

NGJARJA SIPAS MEDIAVE VENDASE

Sipas të dhënave që ka bërë publike “Bild”, bëhet me dije se ngjarja e rëndë është shënuar rreth orës 19:50 minuta të së hënës. Shqiptari, një shtetas i moshës 42-vjeçare, ka qenë duke u kthyer në banesë, me një biçikletë, në momentin kur është sulmuar nga dy persona. Ai është qëlluar menjëherë nga pas shpine me katër të shtëna, një prej të cilave e ka marrë në kokë duke i marrë edhe jetën në vend. Dëshmitarët në vendin e ngjarjes i kanë thënë policisë gjermane se kanë fiksuar dy persona, të cilët kanë ecur me vrap në errësirë dhe më pas kanë parë një makinë “Peugeot” blu, e cila është larguar me shpejtësi.

Sipas të dhënave të mediave vendase bëhet me dije se Policia gjermane është në kërkim të dy personave që dyshohet se kanë marrë pjesë në ekzekutimin e shqiptarit mbrëmjen e 28 nëntorit 2022 në qytetin Krefeld të Gjermanisë. Kjo, bazuar dhe në dëshminë e personave që kanë dëgjuar të shtëna rreth orës 19:50 minuta të 28 nëntorit 2022, të cilët kanë raportuar në polici se dy personat ishin larguar në errësirë duke vrapuar nga skena e krimit drejt unazës Alter Deutscher, thanë hetuesit ditën e djeshme. Një zëdhënës i policisë tha se 42- vjeçari ishte i njohur për policinë për krime në fushën e drogës dhe pronës. “Ne nuk mendojmë se ai është viktimë e një vrasjeje aksidentale”, ka thënë zëdhënësi i Policisë.

IDENTIKITI I AUTORËVE

Gjithashtu, Policia ka bërë dhe një përshkrim të dy autorëve të dyshuar: Personi i parë ka një gjatësi dhe trup normal. Ai kishte veshur një xhaketë të errët, pantallona dhe kapele ngjyrë të çelur. Burri i dytë ishte gjithashtu me gjatësi normale. Ai kishte veshur një xhaketë të errët me një logo të spikatur në shpinë, pantallona të errëta dhe një kapele të errët. Një ditë më pas, në vendngjarje policia ka gjetur dhe vrima plumbash në një kuti postare dhe një telefon në një fasadë shtëpie në vendin ku ndodhi vrasja. Rreth 30 oficerë policie e kërkuan për armën e vrasjes nën makina të parkuara, në parqe dhe në një argjinaturë hekurudhore. Oficerët e vrasjeve morën në pyetje banorët e zonës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura