Artisti rebel Ergin Zaloshnja: Ne nuk duhet të futemi në BE, por në Amerikën Latine

Nov 19, 2019 | 12:34
SHPËRNDAJE

ANILA DEDAJ/ Fëmijët janë veshur me jelekun portokalli të rezistencës e ajo që duhej të ishte një orë e “Edukimit përmes artit” në Galerinë Kombëtare të Arteve, në sajë të manipulimit të imazhit, kthehet në “Edukim përmes protestës”.

36278643_10157625208360884_6545652569966903296_n

Artisti bashkëkohor, Ergin Zaloshnja, në një kohë, që siç thotë, situata rrezikon të rrëshqasë në Autoritarizëm dhe censurë të fjalës së lirë, kritikon përmes artit strukturat e pushtetit dhe ndalet edhe në atë që duhet të ishte institucioni më i afërt i artistëve pamorë. Me posterin e 14 të “Sputnik” (fanzinë e pavarur artistike), siç tregon për “Panoramën”, i përgjigjet arrogancës institucionale të GKA-s.

Një institucion, që sipas tij, tanimë vendos në mënyrë arbitrare pa pyetur aspak për komunitetin artistik në veçanti. “Është një vepër e realizuar, por edhe për të treguar se ajo Galeri i përket qytetareve/artistëve që guxojnë të thonë të vërtetën”, thotë Zaloshnja. Rebelimi i artistit shkon më tej dhe ligjin “shkak-pasojë” të Karmës e aplikon, përmes forcës së imazhit, në katër institucionet përgjegjëse për sagën e banorëve të Unazës; simbolin “X” që shënoi pragun e dyerve të shtëpisë të planifikuara për t’u shembur e paraqet përballë ndërtesës së Kryeministrisë, Bashkisë së Tiranës, selisë së Partisë Socialiste dhe Parlamentit.

“Simboli ogurzi i kryqit të kuq i kthehet mbrapsht përgjegjësve ose autorëve të megaskandalit”, tregon artisti për veprën “BACKFIRE” të prodhuar nga platforma e pavarur artistike “Debatikcenter”. Në veprat artistike të Zaloshnjës gjejnë vend problematika të forta, ku informacioni, shpesh edhe paralajmërues, qëndron në harmoni me artin. I tillë është edhe fenomeni i “PPP-ve” të famshme (i paraqitur në një nga posterat e tij më të fundit), që siç artisti thotë, tanimë “po i vërtitet edhe UKTsë”. Sigurisht që, vigjilent ndaj çështjeve me ndjeshmëri të lartë, Zaloshnja nuk qëndron indiferent as ndaj refuzimit të negociatave.

BACKFIRE_1

Ai ripropozon një foto të shkrepur kohë më parë, që pasqyron një betoniere të pikturuar me yjet e ngjyrat e flamurit europian në aksion. “Betoniere që shërbejnë edhe si lavatriçja më perfekte për të pastruar paratë e krimit dhe mafias të lidhur me politikën”, shprehet artisti. Zaloshnja ndalet gjithashtu edhe te zemërimi i shfaqur ndaj “Jo-së” së Macron-it dhe Francës, në lidhje me hapjen e negociatave, duke thënë se: “Askush në Europë, botë apo në sistemin tonë diellor nuk na ka për borxh mosndërtimin e shtetit të së drejtës!”…

Ergin, tanimë është bërë e zakonshme të dëgjojmë të flitet për shqiptarët si një popull me një “aftësi” të veçantë të mbarsur ndoshta edhe nga diktatura, atë të nënshtrimit. Çka e nxit një artist si ju, që kryefjalë të punëve bën aktualitetin, t’u veshë fëmijëve, të gjendur në GKA për “Edukim përmes kulturës”, jelekun e rezistencës e me forcën e imazhit të flasë për kulturën e protestës?

Unë mendoj se kjo vjen nga një tjetër fenomen i lidhur ngushtë me “nënshtrimin”, atë të “pandëshkueshmërisë”. Mbase jemi i vetmi vend në Europë dhe më gjerë, që nuk e kemi shlyer borxhin ndaj historisë! Sot, mbas 29 vitesh, në të ashtuquajturin sistem “demokratik”, ne nuk kemi dënuar apo ndëshkuar asnjë nga ish-funksionarët e lidhur me ish-regjimin totalitarist. Madje disa prej tyre, sot i kemi në postet kyçe të politikës dhe shtetit! Çka na bën të kuptojmë se ne jemi të “nënshtruar” ndaj së njëjtës kastë njerëzish prej më se 74 vitesh. Shoqëritë si kjo e jona, që zakonisht vuajnë “simptomën e Stokolmës”, pra simptomën e nënshtrimit ose “dashurisë” ndaj dhunuesit (pushtetit në rastin tonë), e kanë të vështirë ose gati të pamundur, të krijojnë antikorpe ndaj shenjave që tregojnë se është duke u instaluar një diktaturë e re në horizont, sepse i është hequr nervi (si te dentisti).

Pa nerv nuk ka rezistencë, nuk ka disidencë… dhe detyrimisht mbetet nënshtrimi. Faktor tjetër mendoj se është edhe shpërbërja totale e komunitetit dhe e qelizës kolektive, lëvizjet demografike nga fshatrat nëpër qytete nuk krijuan kohezion midis njerëzve, por ndodhi e kundërta! Shqiptarët sot e urrejnë publiken ose bashkëpunimin në një komunitet për të mirën e përbashkët, sepse kjo i kujton (jo pa faj) sistemin totalitarist që trashëguam.

BACKFIRE_3

Nuk mund të mos përmend këtu edhe shkatërrimin e nivelit arsimor, gjë që për hir të së vërtetës është një nga faktorët kryesorë të mosorganizimit studentor. Edhe ato pak shenja të rezistencës studentore janë të grupuara në organizata me orientim tërësisht ideologjik dhe të paaftë për të organizuar masa të mëdha studentore, që të mund t’i bënin presion të vërtetë pushtetit aktual. E ashtuquajtura “shoqëri civile” është thjesht sa për emër, sepse këtu te ne ajo është tërësisht e kapur prej pushtetit dhe donatorëve të huaj që financojnë grupe të interesit pa ndonjë ndikim të madh në shoqërinë tonë.

Por le t’i kthehemi aktualitetit. Posteri nr. 14 i SPUTNIK me titull: ONUFRI XXIV “Edukimi përmes protestës” na paraqet një imazh (të manipuluar) të orëve të leksionit mbi artin në GKA, që iu jepet nxënësve të shkollave fillore në bashkëpunim me ish-Galerinë Kombëtare (sot Muze i artit). Imazhi pasqyron momente nga protesta e banorëve të Unazës se Re që prej një viti tashmë po protestojnë çdo mbrëmje në mbrojtje të shtëpive të tyre, ndaj shkatërrimit që do të ndërmarrë qeveria Rilindase dhe Bashkia Tiranë, në kundërshtim të hapur me ligjin dhe konventat Europiane për të drejtat e njeriut.

BACKFIRE_4

Aty tregohet se si ky projekt abuziv dhe tërësisht korruptiv prej rreth 40.000.000 € për 2 km rrugë, menaxhohet nga firma private fantazma (off-shore) me të famshmen platformë tashme të njohur si P.P.P! Fëmijët në posterin e 14-të SPUTNIK janë të veshur me jelekun e famshëm portokalli, simbol i rezistencës së banorëve të Astirit.

Ata janë të ulur në dyshemenë e galerisë dhe vizatojnë pa pushim në letra A4 imazhe, simbole, dhunën e ushtruar nga Policia, emra ministrash dhe drejtorësh të implikuar në aferën korruptive, bomba molotov, pranga, shkopinj bejsbolli etj., simbolika të protestës.

Jo më kot është titulluar ONUFRI XXIV; bëhet fjalë për ish-ekspozitën vjetore ONUFRI, që u fshi përfundimisht nga programi i GKA-s me dëshirën e drejtorit aktual, Erzen Shkololli, me heshtjen e Ministrisë së Kulturës dhe me bekimin e ndonjë kuratori, që na jep leksion nga vendet nordike mbi “shoqërinë e hapur”, ngrohjen globale apo Trampizmin! Pra, e shpjeguar më qartë, posteri i 14 i Sputnikut është një përgjigje ndaj arrogancës institucionale të GKA-s, që vendos në mënyrë arbitrare pa pyetur aspak për komunitetin artistik në veçanti, por edhe për t’i treguar njëherazi se ajo Galeri i përket qytetareve/artistëve, që guxojnë të thonë të vërtetën. Ky numër i SPUTNIK i dedikohet ONUFRIT të munguar.

“X” i kuq në pragun e shtëpive të banorëve të Unazës u bë gati një simbol ogurzi, që paralajmëronte shembjen e shtëpive. Përmes artit, ju e zhvendosni këtë simbol në Kryeministri e institucione të tjera, a thua kërkoni të paralajmëroni se karma do të bëjë të vetën…

Simboli i “X” të kuq në muret dhe çatitë e shtëpive të banorëve të Unazës së Re, më kujtoi një tjetër simbol ogurzi, atë të yllit me gjashtë cepa (simbolin hebraik) që S.A-të dhe S.S naziste shënonin nëpër muret e dyqaneve dhe shtëpive të hebrenjve që ishin programuar për t’u deportuar nëpër kampet e përqendrimit gjatë luftës së Dytë Botërore. Mirëpo në rastin tonë, simboli i “X” të kuq u vendos për të shembur shtëpitë e banorëve dhe për t’i hapur rrugë një projekti tërësisht korruptiv dhe me dritëhije të dyshimta, që implikojnë vetë Kryeministrin e qeverisë së Rilindjes dhe ministrin e Infrastrukturës, Damian Gjiknurin. Vepra, në fakt, titullohet “BACKFIRE”, ose në shqip “iu kthye mbrapsht”! Vepra u prodhua nga DebatikCenter (një nga të paktat iniciativa artistike e pavarur) dhe paraqet katër foto; të ndërtesës së Kryeministrisë, Bashkisë së Tiranës, selisë së Partisë Socialiste dhe Parlamentit, ku është fotografuar një kartolinë me simbolin e “X” të kuq, që pushteti ua vendosi banorëve të Unazës. Ne kemi edhe një thënie tjetër që mbase mund ta përshkruajë më mirë konceptin në fjalë: “Kush kërkon t’i bëj gropën tjetrit, bie vetë brenda”. Pra, simboli ogurzi i kryqit të kuq, i kthehet mbrapsht përgjegjësve ose autorëve të megaskandalit.

maxresdefault

Propagandës i përgjigjeni me “Artivizëm” dhe një “krismë” për ujin e munguar, flet përmes artit të rrugës. Marrëveshje PPP, deri edhe për ujin, shfaqen në mesazhin drejtuar qytetarëve të Tiranës. Tek kush mendoni se mbërrijnë më shpejt mesazhe të tilla, tek ata që duan t’i fshijnë apo ata që duhet t’i dëgjojnë?

ARTIVIZËM ishte një projekt i organizuar nga ArtKontakt mbi problematikat e qeverisjes vendore në Bashkinë Tiranë, i fokusuar në territorin e Njësisë Administrative nr. 2. U ftuan 5 artistë me 5 projekte të ndryshme për të realizuar Work Shop-e dhe më pas ndërhyrje në hapësirat publike. Projekti që unë ndërmora, pati si qëllim denoncimin e propagandës nga ana e Bashkisë, për sa i përket problematikës me Ujin e (pa)pijshëm në qytetin e Tiranës. U krijuan tri imazhe antipropagandë, të cilat u printuan në nëntë kopje secila në format A0, si dhe 200 adezive me po të njëjtat imazhe, të cilat u ngjitën nëpër muret dhe depozitat e banesave të Njësisë nr 2. Imazhi i parë në sfond të kaltër paraqet një pistoletë kërcënuese e drejtuar nga qytetari, nga ku pikon një pikë uji (uji na paraqitet me forcën e plumbit nëse është në duar të gabuara). Imazhi i dytë në sfond të kuq paraqet dy duar që shtrëngojnë njëra-tjetrën në formën e një marrëveshjeje, atë të Partneritetit Publik Privat që po vërtitet, edhe për sa i përket UKT-së. Në pjesën fundore të imazhit, paraqiten qytetarë të ulur në gjunjë në rresht, duke u lutur për një pikë uji që do të kushtojë si floriri, nëse do të bjeri në duart e ndonjë kompanie private. Imazhi i tretë në sfond portokalli paraqet rubinete nga ku pikojnë pika uji vdekjeprurëse dhe tuba gjarpërues, që kullojnë nga amortizimi në kohë. Pikat me shenjën e vdekjes simbolizojnë faktin se uji i papijshëm, që na shitet si i pijshëm, rezulton të jetë në nivele të larta bakteriale dhe mbart sëmundje të rënda nga papastërtitë. Të tre posterat kanë të shkruar me germa kapitale në pjesën e sipërme “QYTETARË TË TIRANËS”, ndërsa në pjesën fundore “MESAZH NGA BASHKIA JUAJ” shoqëruar me logot e Bashkisë Tiranë dhe UKT. Për sa i përket pyetjes se ku mbërrin më shpejt mesazhi, tek ata që duan t’i fshijnë, apo te qytetari që të ndërgjegjësohet… mjafton të them që posterat u hoqën të nesërmen e aksionit. Besoj se përgjigjja është e qartë.

77113563_1178948872494790_7503090794169892864_n

Me flamurin e BE-së në makinat e betonit, dëshira e shqiptarëve për në Europë, si dhe zemërimi i tyre për moshapjen e negociatave, duken donkishoteske. E mendoni realisht kështu, që pa zgjidhur ne vetë problemet në shtëpi, asnjë union politik a ekonomik s’do të na ngarkojë mbi vete?

Në fakt, ajo foto ka kohë që është shkrepur. Por ditën mbas lajmit për mos hapjen e negociatave me Bashkimin Europian, m’u duk me vend momenti për ta publikuar. I shtyrë nga komente apo postime të inatosura dhe gati-gati linçuese ndaj Presidentit Macron dhe Francës në veçanti, duke e akuzuar këtë të fundit si racist dhe fashist! Shoqëria jonë, për hir të së vërtetës, ende nuk do të përballet me të vërtetën e hidhur: Me faktin se askush në Europë, botë apo në sistemin tonë diellor nuk ta ka për borxh mosndërtimin e shtetit të së drejtës, kapjen e politikës dhe institucioneve nga mafia dhe krimi i organizuar, trafikun e lëndëve narkotike,Partneritetin Publik Privat, thellimin e hendekut midis të pasurve dhe të varfërve, korrupsionin galopant etj., etj. Në këto 30 vite, ne kemi treguar një mungesë të theksuar në ndërtimin e një shteti ligjor dhe një shoqërie demokratike. Shteti ynë në këto tri dekada është drejtuar nga feudalë që e kanë trajtuar shtetin si çifligun e tyre. Institucionet publike kanë shërbyer më së shumti si reparte të punësimit të militantëve partiakë dhe aspak si institucione në shërbim të qytetarit. Në të njëjtën kohë, politikat neo-liberale e kanë zhytur vendin në varfëri të tejskajshme dhe pabarazi të njëjtë me vendet e Amerikës Latine. Në fakt, po ta mendosh, ne nuk duhet të futemi në Bashkimin Europian, por në Amerikën Latine! Ngjasojmë më shumë me një “shtet bananeje”, sesa me vlerat që mbart kontinenti Europian. Fotoja në fjalë pasqyron të gjithë paradigmën tonë sot si shoqëri, si shtet. Nuk po futemi dot në Europë, por po futemi në makinën gjigande të betonit (betoniere që si për ironi të fatit kanë të pikturuara yjet dhe ngjyrat e flamurit europian!). Betoniere që shërbejnë edhe si lavatriçja më perfekte për të pastruar paratë e krimit dhe mafies të lidhur me politikën. Për ta përmbyllur përgjigjen ndaj pyetjes në fjalë: Jo, asnjë Union apo Federatë shtetesh me vlera dhe parime demokratike për shtetin e së drejtës dhe respektimin e lirive të individit nuk do të na pranojë të bëjmë pjesë në gjirin e tyre. E vetmja rrugë, është shkulja e kësaj kaste njerëzish dhe dënimi i tyre për krimet e kryera gjatë këtyre viteve te tranzicionit. Rrugë tjetër nuk ka! Ndryshe do të ngelemi gjithmonë një Tortuga e Europës (Tortuga – ishull piratësh në Karaibe).

77228150_1409686552527347_1065158099930710016_n

Për të gjitha këto, sa vlerë ka të thuhet e vërteta, pavarësisht pengesave për t’u dëgjuar apo perceptuar si duhet dhe mbi të gjitha një lloj kostoje që një shoqëri me nuanca të theksuara servilizmi si e jona ia faturon çdo kritike?

“Nëse fjala liri do të kishte kuptim, atëherë do të kishte kuptim e drejta për t’u thënë njerëzve atë që nuk duan të dëgjojnë”. E nisa përgjigjen me një thënie të George Orwell jo pa qëllim. Në novelën distopike “1984”, ai na paraqet një shoqëri të së ardhmes, duke spekuluar mbi të tashmen e asaj kohe (sepse libri u shkrua në 1949), që praktikisht i është nënshtruar diktaturës totalitare të një partie-shtet dhe ndaj një diktatori (Big Brother), imazhi i të cilit shfaqet pa pushim nëpër ekrane të shumta të vendosura në çdo cep të Oqeanisë (vend ‘fiction’ me kryeqytet Londrën). Liria e shtypit e ndaluar. Survejimi qeveritar i kudondodhur. Ministria e së vërtetës! Propagandë masive, Policia e mendimit dhe kulti i individit pasqyrojnë historinë e “1984- ës” dhe padyshim që i referohet ish- Bashkimit Sovjetik dhe gjithë sferës së ideologjisë socialisto-totalitariste. Kush lexon novelën sot, kupton fare mirë që Shqipëria socialiste e pasqyronte më së miri këtë ‘fiction’ që Orwell ka shkruar vite më parë, para se ideologjia totalitariste të tregonte fytyrën e saj të vërtetë në mbarë botën. Por, le t’i kthehemi pyetjes në kontekstin tonë kohor: Ashtu si në regjimet diktatoriale, edhe në kohën e sotme, qeveritë apo liderët me tipare të theksuara autoritariste tentojnë të shtypin kritikën dhe fjalën e lirë më së pari. Nxjerrin ligje, aprovojnë normatura, censurojnë, kërcënojnë median e lirë dhe ushtrojnë presion mbi pronarët e këtyre të fundit, që të mbyllin emisionet kritike ndaj qeverisë… Personalisht, mendoj se në një situatë si kjo e jona, që po rrëshqet në Autoritarizëm dhe censurë të fjalës së lirë, të thuash të vërtetën, është një akt revolucionar. Prandaj na duhen zërat e pavarur dhe kritikë, prandaj na duhen Artistë që nuk i shërbejnë “Oborrit”, prandaj na duhen lëvizje politike të pavarura nga OJF-të me axhenda të dyshimta, apo nga mafia dhe Oligarkët, prandaj na duhet një sistem arsimor i shëndoshë dhe meritokrat, një sistem drejtësie i pavarur që të parandalohet një “1984” Oruelliane, ose një tjetër regjim totalitarist stil Fashist/ Erdoganist. Prandaj duhet thënë e vërteta, që të parandalohet e keqja.

75627427_1695036980628721_8591768774963625984_n

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura