Armët e përkrenarja Skënderbeut, 40 mijë vizitorë në një ditë

Nov 29, 2012 | 14:27
SHPËRNDAJE

Radhë të gjata para Muzeut Historik Kombëtar.

Interesimit të publikut, Muzeu i është përgjigjur me një shërbim 24 orësh.

Dje në pritje për të vizituar armët e Skënderbeut në Muzeun Historik Kombëtar

Një dyndje e jashtëzakonshme njerëzish për të vizituar armët dhe përkrenaren e Gjergj Kastriot Skënderbeut në Muzeun Historik Kombëtar.  Të mbledhur në sheshin “Skënderbej” për të qenë pjesë e festimeve të organizuara me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, me mijëra njerëz shfrytëzuan rastin që të vizitonin edhe Muzeun. Menaxhimi i gjithë asaj turme njerëzish do të kishte qenë i pamundur vetëm nga punonjësit e MHK-së, të cilët kishin thirrur në ndihmë edhe forcat e rendit, që këto ditë kanë qenë të shumtë në numër. Njerëzit kanë pritur në radhë me orë. Burra e gra me fëmijë në krahë, të rinj, por edhe të moshuara me shami të bardha në kokë, pritën me durim. Hyrja ishte organizuar në grupe. Ndërsa një grup njerëzish dilte nga pjesa e pasme e Muzeut, grupi tjetër drejtohej për në Pavijonin e Mesjetës, ku ishte edhe interesi më i madh i vizitorëve.
Numri i vizitorëve
Mësohet se nga dita e ekspozimit, 22 nëntor, deri në mbrëmjen e 27 nëntorit, numri i vizitorëve i kalonte 100 mijë, ndërsa dje ishte dyndja më e madhe. Sipas punonjësve, numri i vizitorëve gjatë ditës së djeshme ka kapur numrin e rreth 40 mijë vetëve. Për t’iu përgjigjur kërkesave të shumta të njerëzve, shumë prej të cilëve kanë ardhur edhe nga Kosova, Muzeu Historik Kombëtar ka hapur dyert 24 orë. Jo vetëm gjatë ditës, por edhe përgjatë orëve të natës, Muzeu ka qenë i hapur. Hyrja është e lirë. Në fillim u diskutua edhe mundësia e hyrjes me biletë, por me atë dyndje do të kishte qenë e pamundur pajisja me biletë. Duket se MHK nuk ishte i përgatitur për një vizitueshmëri kaq të lartë. Gjatë ditëve të para kanë shkuar për ta vizituar të organizuar nxënës shkollash e studentë. Ardhja në Shqipëri e armëve të Skënderbeut ka ngjallur një kuriozitet të jashtëzakonshëm për të parë nga afër objektet e Heroit Kombëtar, gjatësinë e shpatave, njollat e gjakut që thuhej se ende dukeshin mbi tehun e shpatës, përkrenaren me kokën e dhisë… E kuptohet komentet ishin nga më të ndryshmet. Kënaqësi e përzier me habi. Shumica e njerëzve që vizituan dje Muzeun Historik Kombëtar, kurrë më parë nuk kishin hyrë në një muze. U deshën armët e Skënderbeut që të vërshonin mijëra njerëz në dyert e Kombëtarit.
Objektet
Dy shpatat, përkrenarja, një gravurë dhe faqet e kodeksit erdhën në Tiranë nga Muzeumi i Vjenës, ku qëndrojnë për gati 5 shekuj. Këto objekte, të cilat janë vlerësuar 35 milionë euro, janë siguruar nga kompania e sigurimeve “Sigal Uniqa”. Ato u vendosën nga specialistët austriakë në një vitrinë të xhamtë, e cila është sjellë nga Austria dhe do të jenë po ata që do t’i lëvizin prej aty. Pavijoni i Mesjetës, ku janë vendosur objektet e Skënderbeut, është pajisur me kamera sigurie, të cilat janë nën vëzhgim 24 orë në 24 dhe survejohen në kohë reale edhe nga Muzeu i Vjenës. Gjithashtu godina është pajisur me sistem alarmi, që sinjalizon për çdo lëvizje në ambientet e Muzeut, pas mbylljes së tij. Në marrëveshje me qeverinë austriake, ato do të qëndrojnë të ekspozuara deri në datën 13 janar, për t’u kthyer sërish në Kunst Historisches Museum në Vjenë, në sallën e “Maksimilianit” (XXV). Objektet e Skënderbeut përmenden për herë të parë në një letër të datës 15 tetor 1578, ku duka i Urbinos Marius Sforca, i shkruante arqidukës Ferdinand të Tirolit, i cili shquhej si koleksionist i veshjeve dhe armëve të princërve dhe prijësve luftarakë, se do t’i dërgonte armët e Skënderbeut. Më 15 maj të 1579, ky i fundit e falënderon dukën e Urbinos për armët e Skënderbeut. Këto objekte përmenden sërish në letrën e dukës Von Arescot më 25 korrik 1588. Armët e Heroit nuk ishin të shënuara në inventarin e vitit 1585, por në vitin 1593, në fletën 69 shënohet: “Dy shpata dhe përkrenarja e ‘Georgen Scanderbegg’”.

“Meshari”, dje 3 mijë vizitorë

Dje në Bibliotekën Kombëtare

Një numër të madh vizitorësh priti dje edhe Biblioteka Kombëtare, ku është ekspozuar “Meshari” i Gjon Buzukut dhe të tjerë libra, që shënojnë fillimet e shqipes së shkruar. Ndonëse shumë më i vogël në numër se në Muzeun Kombëtar, për ambientet e Bibliotekës bëhej fjalë për një numër shumë të madh. U përkasin të gjitha moshave dhe interesave, që nga më të moshuarit, te një fëmijë 5 vjeç, që nga studiuesit, te kuriozët e thjeshtë. Sipas punonjësve të BK-së, vetëm dje Biblioteka ka pritur 3 mijë vizitorë, ndërsa që nga momenti i ekspozimit, deri mbrëmjen e 27 nëntorit, ky numër llogaritej në 14 mijë. Kur mbërriti në Tiranë, ishte vendosur që “Meshari” të qëndronte i ekspozuar deri më datë 28 Nëntor, pra dje duhet të ishte dita e fundit, por duke parë interesin e vizitorëve, në marrëveshje me Vatikanin, ekspozimi i “Mesharit” shtyhet deri më 5 dhjetor. Më datë 6 dhjetor, libri i parë shqip, që i takon vitit 1555, do të kthehet në kushte të larta sigurie në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura