Sa “anglo-saksone” është reforma e arsimit të lartë në Shqipëri

Jul 13, 2015 | 12:11
SHPËRNDAJE

ARJAN GJONÇA  
Ka një periudhë të gjatë kohe që në debatin publik për reformën e arsimit të lartë, midis çështjeve të tjera, diskutohet edhe çështja se “në çfarë modeli mbështetet reforma dhe projektligji i arsimit të lartë në Shqipëri?” Kjo ndoshta nuk është shumë e rëndësishme për publikun e gjerë, për arsye se nuk mundet një individ që nuk ka shumë lidhje me arsimin në përgjithësi dhe arsimin e lartë në veçanti të shqetësohet për “modelin” e arsimit të lartë.

Arjan Gjoncaj

Ata janë të shqetësuar për cilësinë e tij. Ata që shqetësohen për “modelin” presupozohet që janë në gjendje të lexojnë literaturën në gjuhë të ndryshme dhe ka pasur aq shumë kohë sa duhet t’ia kishin dhënë përgjigjen vetë kësaj pyetjeje nëpërmjet leximit. Sidoqoftë në kapacitetin e personit që drejtoi këtë reformë jam i detyruar t’i jap përgjigje kësaj pyetjeje me një qëllim më madhor se ky, me atë se pse ky “model” (“sistem” do të përdor unë gjatë këtij artikulli), është zgjedhur dhe pse ky sistem do të japë atë që duam të gjithë, një arsim më cilësor për fëmijët tanë dhe një arsim të matshëm me vendet që sot janë më të zhvilluara.

KONCEPTE DHE PËRKUFIZIME
Jo pa qëllim fjalën “model” e kam vënë në thonjëza, se nuk përdoret në terminologjinë e arsimit të lartë. Ajo që ne flasim në arsimin e lartë janë sisteme të ndryshme. Një sistem i arsimimit të lartë ka tre aspekte kryesore: Aspekti i parë janë institucionet e arsimit të lartë, publike apo private, universitetet apo akademitë, fakultetet dhe departamentet e tyre, pedagogë e studentë. Aspekti i dytë janë organizmat që financojnë dhe menaxhojnë arsimin e lartë, që mund të jetë shteti, privati, industria, bashkia, donatorë e të tjera institucione.

Aspekti i fundit janë rregullat e veprimtarisë dhe sjelljes në institucionet e arsimit të lartë, qofshin pedagogë apo studentë, investitorë apo financues. Kombinimi i këtyre tre aspekteve përbën sistemin. Në këtë prizëm, çdo sistem është unik, si ai anglez, amerikan, francez apo italian. Madje, ka edhe sisteme të ndryshme brenda një vendi. Të kthehemi te termi “anglo-sakson” dhe të japim një shpjegim të shkurtër për këtë term, sepse abuzohet shumë dhe një pjesë e atyre që e përdorin nuk e kanë të qartë se çfarë përfaqëson. Ky term përdoret nga vendet jo anglishtfolëse kryesisht në tre drejtime.

I pari u referohet vendeve me popullsi anglishtfolëse, që kryesisht e kanë origjinën e tyre nga ishulli britanik. Ky është kuptimi i drejtpërdrejtë i termit. Së dyti dhe në mënyrë më të gjerë ky term përdoret në fushën e ekonomisë për të karakterizuar ekonomitë e këtyre vendeve (por jo vetëm atyre) që zbatojnë të ashtuquajturin kapitalizëm liberal, që predikon midis të tjerave taksimin e ulët, ndërhyrjen e ulët të shtetit si rregullator i tregut, ligje të forta dhe respektim të pronë- sisë e të tjera. Origjina e tij shkon në shekullin XVIII me ekonomistin e konsideruar si “babain e ekonomisë së tregut”, Adam Smith, dhe deri te shkolla e neo-klasikëve të Çikagos, në vitet shtatëdhjetë.

E njëjta terminologji përdoret edhe në fushën e drejtësisë, por jo kaq shpesh, duke adresuar me termin anglosakson mënyrën e ndryshme se si funksionon e drejta në Britaninë e Madhe (dhe më pas Shtetet e Bashkuara), në krahasim me sistemet e tjera kryesisht në Europë. Por për të mos u zgjatur më gjatë me shpjegime terminologjie, le të fillojmë diskutimin mbi sistemet e edukimit dhe të shtjellojmë atë sistem që ne kemi materializuar në projektligj, dhe që besojmë është më i përshtatshëm, dhe pse jemi bazuar në eksperiencën britanike.

Në përgjithësi, literatura rreth sistemeve të edukimit është shumë e komplikuar dhe kërkon më shumë se faqet e një gazete dhe një artikulli për t’u shpjeguar, por meqë ka interes të madh nga kolegët e mi shqiptarë, po shpenzoj disa rreshta për ta shpjeguar. Sistemet e ndryshme të edukimit në literaturë dallohen nga tre aspekte. I pari është mbulimi i popullsisë nga sistemi, i thënë thjesht sa i masivizuar është sistemi. Në vendet anglo-saksone dhe ato skandinave kemi një tendencë prej disa dekadash të masivizimit të sistemit arsimor të lartë.

Në të kundërt, në Europën kontinentale, me gjithë një lëvizje të lehtë drejt masivizimit, arsimi i lartë shihet si elitar. Në këtë drejtim zgjidhja për ne ka qenë dhe mbetet politike. Si qeveria e më- parshme, edhe kjo e sotmja besojnë në masivizimin e sistemit arsimor, por me një ndryshim kjo e fundit mbi bazën e meritës (qeveria e kaluar i lejonte të gjithë të shkonin në universitet pavarësisht notave). Unë personalisht besoj në një masivizim mbi bazën e meritës, sepse arsimi i lartë, ashtu si edhe shëndetësia, janë një e drejtë njerëzore, por e para mbi bazën e meritës.

Aspekti i dytë i ndryshimeve mes sistemeve është subvencionimi nga shteti. Në këtë pikë ka ndarje midis sistemit (kryesisht) anglez dhe amerikan që nuk subvencionojnë, por financojnë një pjesë të kostove të arsimit të lartë, atij kontinental që mbulon 100% të kostove pavarësisht efikasitetit të sistemit dhe atij skandinav që mbështetet në sistemin anglez (pra, në financim, por me investime shumë herë më të mëdha nga shteti). Në këtë drejtim reforma që ne sugjerojmë është detyrimisht jo kontinentale, dhe i përafrohet sistemit britanik, ligjërohet financimi nga shteti, por kërkon që ky të matet sipas efikasitetit të përdorimit të fondeve. Elementi i tretë që dallojnë sistemet është kush e mbart koston e arsimit të lartë, shteti apo publiku, pra, ka apo nuk ka tarifa studimi. Ky diskutim është më shumë teorik, sesa praktik dhe është i lidhur me pikën e dytë.

Edhe këtu në sistemet e Europës kontinentale është shteti që mbulon gjithçka, por duke pasur parasysh që taksimi është i lartë në këto vende, argumenti është që publiku i mbulon në mënyrë indirekte këto kosto. Sistemet anglez, amerikan dhe skandinav këtu ndryshojnë nga mënyra se si ia pasojnë këtë kosto publikut. Analiza e sistemeve tregon se lëvizja është e tillë që vendet europiane po lëvizin nga sisteme elitare drejt masivizimit, por çështja është se kush do të mbulojë këtë masivizim: shteti apo publiku. Në kushtet e zhvillimit ekonomik gjasat janë që do të jetë publiku, por “the jury is still out” dhe në vitet në vijim do të shohim se në çfarë drejtimi do të shkojnë këto vende.

Edhe për reformën në Shqipëri zgjedhja ishte bërë nga qeveritë e mëparshme, se ne kishim një sistem ku shteti paguan një pjesë të kostos së arsimit të lartë dhe pjesa tjetër (vjen kryesisht nga pagesat e studentëve, megjithëse janë të ulëta për koston e jetesës). Gjithashtu sistemi kishte lejuar dhe një lloj “amerikanizmi”, duke lejuar një sektor privat të arsimit të lartë, por është e rëndësishme të përmendet pa kontroll standardi në hyrje.

ÇFARË KEMI NDRYSHUAR NE NË FILOZOFINË E KËSAJ REFORME?
E para, ne besojmë në masivizim, por mbi bazën e një standardi në hyrje; jo të centralizuar, pra, duke hequr kuotat nga qeveria. Ne, gjithashtu, besojmë që shteti është dhe duhet të mbetet financuesi kryesor. Por ne nuk mund të pretendojmë që do të jemi në gjendje të hedhim nga 6 deri në 8 për qind të PPBsë në arsim në pesë vitet e ardhshme. Kjo duhet të arrihet në një periudhë 5 deri në 10 vjet nga momenti që jemi.

Në këto kushte duhet t’u lihet vend burimeve të tjera të financimit, në mënyrë që financimi në arsimin e lartë të jetë i qëndrueshëm dhe rezistent ndaj krizave ekonomike. Ne, gjithashtu, besojmë në një sektor të fortë publik, por edhe kompetitiv, për këtë arsye duam që institucionet tona të arsimit të lartë të mbeten publike, jo shtetërore, dhe mundësisht ky të jetë drejtimi i së ardhmes, por jo i detyrueshëm. Të gjitha këto mendoj që janë reflektuar në projektligj. Ndoshta ky diskutim mbi teoritë e sistemeve dhe çfarë përfaqëson sistemi që ne propozojmë ishte i gjatë, por besoj i domosdoshëm.

PSE U MOR PËR BAZË SISTEMI ANGLEZ?
Në reformën dhe projektligjin që është paraqitur në parlament, ne mbështetemi fuqimisht në sistemin anglez, duke pasur parasysh disa faktorë të tij. Së pari, është pa dyshim një nga sistemet më të suksesshme në botë, pra, është sistemi që prodhon më shumë punë kërkimore shkencore për investim publik dhe prodhon disa nga diplomat më të njohura dhe më të suksesshme në botë. Së dyti, është një sistem që i ka mbijetuar kohës dhe krizave të ndryshme ekonomike për arsye të pavarë- sisë dhe përgjegjshmërisë së theksuar të tij, si në aspektin organizativ, edhe në atë financiar.

Së treti, është një sistem që e ka shumë të lidhur punën kërkimore shkencore dhe mësimdhënien në çdo institucion, çdo departament dhe në çdo individ. Së katërti, është një sistem që ka mbetur publik, pra, nuk ka fitim për individë apo grupe individësh nga sistemi. Duhet që të mos harrojmë që sistemet nuk kopjohen, por implementohen, në përshtatje me kushtet specifike të çdo vendi, dhe në këtë prizëm, tradita universitare në Shqipëri u respektua dhe u mishërua në projektligj. Le t’i kthehemi pak pyetjes se sa “anglez” është sistemi që ne propozojmë nga pikëpamja praktike, dhe unë do ta strukturoj përgjigjen ndaj kësaj pyetjeje në disa segmente: parimet bazë mbi të cilat është mbështetur sistemi, organizimi makro (arkitektura qeverisëse qendrore), organizimi (administrimi dhe struktura e ILA-ve), dhe në prizmin e statusit të institutit të arsimit të lartë të së ardhmes.

PARIMET E FUNKSIONIMIT TË ARSIMIT TË LARTË
Në raportin përfundimtar të reformës në arsimin e lartë u hodh ideja dhe u pranua që në arsimin e lartë në Shqipëri të ketë një institucion të pavarur (me autonomi të theksuar), i cili t’u përgjigjet kushteve të zhvillimit të së ardhmes së arsimit në Shqipëri dhe në hapësirën europiane. Pra, autonomia e theksuar ishte një nga elementet më të rëndësishme të dakordësuar në diskutimin njëvjeçar me qarqet akademike. Nuk dua të ndalem në nivelet e kësaj autonomie të theksuar, se do të duhet një artikull tjetër për ta analizuar, dhe është bërë një diskutim i gjerë rreth saj.

Universitetet britanike e kanë këtë autonomi të theksuar deri në pavarësi të plotë. Gjithashtu nga kjo reformë, arsimi i lartë u pa si e mirë publike ku shteti është jo vetëm prodhues, por mbi të gjitha dhe garantuesi i kësaj të drejte. Në këto kushte vizioni i reformës ishte i tillë që e pa arsimin e lartë si një e mirë publike që mund të prodhohet nga sektori publik dhe privat. Qëllimi ynë ishte që të krijohet një institucion me një status të zgjeruar, por që të jetë publik në qëllimin, përdorimin e fondeve dhe pronësinë e tij. Në këtë drejtim u morën për bazë statuset e institucioneve britanike që nuk janë shtetërore, por nuk janë as private, dhe kanë një status të veçantë si “charitable organisations”.

Një tjetër parim i rëndësishëm që u diskutua dhe u dakordë- sua nga të gjitha grupet e interesit është edhe fakti që arsimi i lartë nuk është një industri fitimprurëse, por një fushë e jetës sociale ku fitimi nuk mund të përbëjë qëllimin e zhvillimit të kësaj veprimtarie. Ky është një parim i marrë direkt nga universitetet britanike ku mbi 95% e tyre janë jofitimprurëse dhe kjo reflektohet veçanërisht në kapitullin 12 të projektligjit. Një parim tjetër i rëndësishëm i huazuar nga sistemi britanik është edhe krijimi i mundësive të barabarta për studentët tanë.

Krijimi i një institucioni të njësuar nga pikëpamja e statusit krijon mundësi më të mira për të mbështetur studentët në nevojë. Gjithashtu për herë të parë qeveria krijon një fond të veçantë për studentët që janë në nevojë. Një tjetër parim i huazuar nga vendet e ashtuquajtura anglo-saksone mbi të cilën u mendua krijimi i një institucioni të pavarur është edhe rritja e konkurrencës në fushën e arsimit të lartë. Asnjë sistem tjetër më mirë se ai britanik nuk i vë IAL-të në kushte të barabarta për të konkurruar. Këtë gjë bën edhe kjo reformë dhe ky projektligj, duke u përpjekur të njësojë sistemin.

Së fundi, një tjetër parim që u diskutua dhe u reflektua në dokumentin e politikës së arsimit të lartë nga hartuesit e tij ishte edhe krijimi i një balance midis të drejtave dhe përgjegjë- sive të IAL-ve në reformën e re. Edhe ky parim i rëndësishëm, ai i “llogaridhënies” për financimin që merr, është i huazuar nga sistemi britanik. Ky parim në dhjetë vitet e fundit po flitet si një parim universal në të gjitha sistemet e edukimit, ku krahas të drejtave duhet të ketë edhe llogaridhënie.

NIVELI MAKRO I DREJTIMIT TË ARSIMIT TË LARTË – ARKITEKTURA QEVERISËSE
Po të shohim krijimin e arkitekturës së arsimit të lartë, ka disa çështje që duhen trajtuar. E para është çështja e sistemit se nga janë huazuar krijimi i agjencive të reja. Këto agjenci janë krijuar mbi eksperiencën e mirëfilltë britanike. Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA) është një version i “Undergraduate Courses at University and College” (UCAS) në Britaninë e Madhe, në fakt me funksione më të gjera se UCAS, duke përfshirë edhe matrikulimin e të dhënave në disa nivele, provimin e shtetit dhe shërbime të tjera. Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë (AKSHAL) është menduar të funksionojë si “Higher Education Funding Council for England” (HEFCE) me të njëjtat funksione.

Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor është menduar të mbështetet në organizma të ngjashëm në Britani të Madhe, si “Economic and Social Research Council”, “General Medical Council” e të tjerë. Në kushtet e Shqipërisë është menduar të ketë një agjenci të vetme për financimin e kërkimit shkencor dhe jo disa për arsye të tregut të vogël që kemi ne në arsimin e lartë, por edhe për të përmirësuar efikasitetin e aplikimeve dhe shpërndarjes së fondeve për kërkimin shkencor. E dyta është çështja e centralizimit të vendimmarrjes nga agjencitë e krijuara.

Kjo është kryekëput e gabuar, sepse vendimmarrja si për kuotat, si për përdorimin e financave, si për vendosjen e kritereve të pranimit të studentëve, për titujt, rrogat, emërimet e shumë aspekte të tjera të organizimit universitar i kalojnë IAL-ve. Çështja e tretë është ajo ku argumentohet se janë krijuar shumë struktura administrative të centralizuara. Në të vërtetë, kjo nuk është aspak e vërtetë, sepse këto agjenci zëvendësojnë drejtori ekzistuese në Ministrinë e Arsimit dhe agjenci ekzistuese. Për shembull, ASCAL-i është zëvendësim i APPAL-it, AKKSHIja zëvendëson AKTI-në, AKFAL-i është një agjenci e re, por që merr përsipër punën e drejtorisë së buxhetit në MAS.

E njëjta gjë është e vërtetë me QSHA-në, e cila zëvendëson dy drejtori të arsimit të lartë në MAS. Edhe ky argument nuk qëndron. Një çështje tjetër e diskutuar është sa të pavarura janë këto agjenci. Këto agjenci janë menduar dhe reflektuar në reformë si autonome. ASCAL-it i është rritur autonomia në shumë drejtime (në të njëjtën standard me simotrat europiane), por, mbi të gjitha, është ndryshuar varësia nga MAS në Kryeministri. Dy agjencitë e tjera, AKFAL-i dhe AKKSHI-ja, janë pjesë e Ministrisë së Arsimit, por me funksione krejt të pavarura, duke përfshirë këtu drejtimin dhe administrimin e tyre, i cili është menduar të organizohet nga borde të pavarura dhe që emërohen në një nivel më të lartë se ministria, nga Këshilli i Ministrave.

ADMINISTRIMI DHE STRUKTURA E INSTITUCIONEVE TË ARSIMIT TË LARTË
Në administrimin e strukturave universitare mund të themi me plot gojën që kjo reformë dhe ky projektligj kanë revolucionarizuar vendimmarrjen dhe kanë krijuar një bazë të fortë për të rritur efikasitetin e këtyre institucioneve si në fushën akademike, edhe në atë financiare, për të shtuar autonominë institucionale, për të zgjeruar vendimmarrjen në nivel departamenti, për të rritur jo vetëm autonominë, por edhe për të shtuar përgjegjshmërinë e këtyre institucioneve.

Disa nga të rejat e këtij organizimi po i përmend më poshtë. Risia e parë që sjell ky organizim është ndarja midis vendimmarrjes akademike dhe asaj financiare administrative të IAL-ve. Kjo është një ndarje që gjendet në shumicën e universiteteve amerikane dhe ato britanike. Në Britani të Madhe ndarja e këtyre funksioneve është diskutuar gjatë dhe përligjur në vitet 1980 me ndarjen e funksioneve midis Senateve dhe Këshillave (Bordeve në projektligjin e paraqitur). Kjo lloj ndarjeje midis organizimit akademik dhe qeverisjes administrative të IAL-ve është një nga elementet më të rëndësishme që rekomandohet nga të gjitha dokumentet e BE-së për të përmirësuar efikasitetin e IAL-ve në Europë.

Një tjetër e re e huazuar nga sistemi britanik është dhe zbritja e vendimmarrjes në nivel departamenti. Kjo ka të bëjë me të gjitha funksionet dhe përmbushjen e misionit të universiteteve, që nga përcaktimi i kurikulave, metodologjia e mësimdhënies, përcaktimi i prioriteteve të mësimdhënies dhe kërkimit shkencor, dokumenti i zhvillimit strategjik, përcaktimi i kapaciteteve dhe kuotave në të gjitha ciklet studimit e shumë funksione të tjera në lidhje me jetën akademike. Një e re tjetër është dhe kontributi në mbarëvajtjen dhe punën e IAL-ve. Sistemi shqiptar i arsimit të lartë ishte shumë i centralizuar dhe shumica e funksioneve ishin të përqendruara te profesori dhe Këshillat e Profesorëve.

Duke u mbështetur në sistemin britanik, është futur koncepti i komisioneve me pjesë- marrje të gjerë si nga stafi i ri akademik, por edhe nga ana e qeverisjes studentore. Kjo është një risi që rrit kontributin e çdo anëtari të stafit akademik në IAL, si edhe përgjegjësinë e tyre ndaj institucionit, që sjell studentët në vendimmarrjet ekzekutive dhe, mbi të gjitha, rrit demokracinë në funksionimin e IALve. Një tjetër element i ri i huazuar nga sistemi britanik është edhe krijimi i mekanizmave të brendshëm dhe të jashtëm të kontrollit të cilësisë për çdo institucion. Krijimi i një njësie për kontrollin e brendshëm sanksionohet në ligj. Sjellja e gjykimit studentor në këtë sigurim cilësie është një element i ri dhe gjithashtu i huazuar nga sistemi britanik.

INSTITUCIONI PUBLIK I PAVARUR I ARSIMIT TË LARTË
Më sipër folëm për një universitet mbështetur në disa parime të tilla, si barazia sociale, konkurrenca, një autonomi e theksuar, krijimi i një sektori publik ku fitimi nuk është qëllimi i tij, një institucion që të ketë aq të drejta sa edhe përgjegjësi. Të gjitha këto dëshirojmë t’i arrijmë me krijimin e një universiteti që në Raportin Përfundimtar u quajt Universiteti i së Ardhmes. Pyetja që shtrohet (që është diskutuar gjatë në publik edhe në komision) është nëse statusi ekzistues i universiteteve tona shtetërore u përgjigjet këtyre parimeve dhe drejtimeve ku ne dëshirojmë të shkojë arsimi ynë i lartë.

Në këto kushte statusi ekzistues i institucioneve publike të arsimit të lartë, të cilat nuk janë gjë tjetër vetëm institucione shtetërore të arsimit të lartë (ku çdo gjë varej dhe përcaktohej nga shteti), nuk i përgjigjej vizionit të reformës, këtyre parimeve dhe kërkesave të zhvillimit afatgjatë të arsimit të lartë në vend. Nga ana tjetër, ekzistenca e institucioneve jopublike të arsimit të lartë të tipit fitimprurës (të ashtuquajturat universitete private), u pa si një drejtim jo i duhur i vendit për dy arsye. E para, sepse eksperienca shqiptare e këtyre 15 viteve të fundit tregoi që pjesa më e madhe e këtyre institucioneve ishin industri fitimprurëse që nuk po e përmbushnin misionin e tyre për të siguruar një cilësi të lartë të kësaj të mire publike – arsimit të lartë.

E dyta u pa që në kushtet e Shqipërisë, tregu është i tillë që nuk mund të mbështesë në një periudhë afatgjatë një arsim të lartë privat konkurrues, për arsye të ndryshme, por, mbi të gjitha, nga mungesa e një “fuqie blerëse” në tregun shqiptar. Bazuar në këtë racionalitet u pa e domosdoshme që e ardhmja e arsimit të lartë në Shqipëri të jetë një institucion publik i arsimit të lartë jofitimprurës, që garanton parimet e mësipërme dhe që njëson sistemin në të mirë të standardit të siguruar për studentin. Kjo formë ekziston veçanërisht në Britaninë e Madhe, ku universitetet janë publike, por legjislatura e vendit i kategorizon si “organizata bamirësie” (me “Royal Charter” ose “Parliamentary Act” – mbi 95% e universiteteve në Britani të Madhe). Në vende të tjera, si SHBA-ja, Turqia, Franca apo Portugalia, kjo formë përkthehet në universitete të tipit “fondacion”.

ZGJIDHJA JURIDIKE
Në legjislacionin shqiptar nuk kishte një formë të tillë dhe përpjekjet për të gjetur një zgjidhje kanë qenë të mëdha nga ana e juristëve. Më e afërta si formë juridike ishte “fondacioni” që ne si komision nuk ishim të lumtur për arsye sepse në legjislacionin shqiptar “fondacioni” buron nga e drejta private dhe themelohet si entitet privat. Në këto kushte ne si komision kërkuam nga juristët që të kemi një institucion publik dhe jofitimprurës, por që të ketë të gjitha të drejtat dhe përgjegjësitë që të lejon të qenët i pavarur.

ÇFARË NËNKUPTON TË QENËT “PUBLIKE” E INSTITUCIONEVE PUBLIKE TË PAVARURA TË ARSIMIT TË LARTË (IALPP)?
Kjo përgjigje është e vështirë të shpjegohet në disa rreshta, si nga ana akademike, edhe nga ajo juridike. Nga ana akademike mund të themi që dy janë elementet e të qenët publik. E para, produkti që nxjerrin IAL-të tona është një e mirë publike; E dyta, pjesa më e madhe e tyre financohen nga investimet publike (taksapaguesit). Çështja juridike është më e ndërlikuar, dhe unë nuk i kam njohuritë për ta sqaruar plotësisht. Megjithatë mund të them dy gjëra.

E para, juridikisht një e mirë publike është e tillë nëse përdor të ardhura nga publiku dhe, e dyta, është çështja e pronësisë së tyre. Kjo e fundit është shumë e qartë në projektligj, se IALPP-të nuk mund të ndryshojnë drejtim/misionin, nuk mund të tjetërsojnë fondet, por të përdoren vetëm për misionin e institucionit, dhe, mbi të gjitha, në rast dështimi apo shkeljeje të çfarëdolloji, asetet i kthehen shtetit. Zgjidhja që i është dhënë në këtë projektligj është pikërisht kjo, pra, institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri mbeten publike (në rast dështimi ndërhyn shteti); të pavarura në të gjitha aspektet e jetës universitare, me të gjitha të drejtat e rekomanduara nga dokumentacioni ndërkombëtar (nga përdorimi i financave dhe deri te dhënia e titujve); duke qenë institucione të përgjegjshme (duke marrë përgjegjësitë e duhura nga ato financiare e deri tek ato akademike);jofitimprurëse (gjithçka që krijohet nga të ardhurat në këto institucione i kthehen vetë institucionit që i përdor qoftë për studentët në formën e bursës, qoftë për stafin në formën e të ardhurave, qoftë për ndryshimet infrastrukturore).

ARJAN GJONÇA
Drejtues i Komisionit për Reformën në Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor.

Department of Social Policy London School of Economics and Political Science

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura