Ambasadori që duhet t’i kërkojë ndjesë Voltana Ademit

Aug 15, 2019 | 11:20
SHPËRNDAJE

gjekmarkaj

AGRON GJEKMARKAJ/ Mbase jo më shumë se 5- 6 javë duhet të kenë kaluar që kur kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, tanimë simbol i rezistencës ndaj votimeve moniste të 30 qershorit, u pat dërguar një letër ambasadorëve kryesorë të akredituar në vendin tonë. Nga sa kemi lexuar e parë, vetëm ambasadori Atilio i Republikës së Italisë qe përgjigjur pozitivisht, duke i pritur e dëgjuar për shqetësimet që kryebashkiakët e djathtë kishin për ngjarjet e pazakonta që po ndodhnin. Ndoca zgërdhiheshin e bënin hokatarin për propozimin, që administratorë nga Brukseli të menaxhonin situatën në qytetin metropol të Veriut, ku kandidati i Rilindjes kishte marrë i vetëm 6%. Tani kësaj shifre therëse iu shtua edhe çështja e dekriminalizimit, ku njeriu i Ramës, i emëruar së fundmi edhe drejtues politik në vend të ish-ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, doli i përfshirë.

Edi Rama, siç vepron gjithmonë kur ndihet ngushtë, e lëshoi Valdrin Pjetrin. Tani, kjo histori atij, Edi Ramës, po i përsëritet kaq shpesh ndër vite, sa nuk i beson më askush, Rama i përzgjedh njerëzit për atë që janë dhe kanë qenë, me shpresën që kjo nuk do të merret vesh. Ia ka lanë Lija zanat,- do thoshte Fishta!

Megjithëse përballë në farsën e trazimeve të qershorit nuk pat kundërshtarë, mendohet qe edhe dy a tre të tjerë pritet që së shpejti të dalin me “barrë”. Orteku i lidhjeve me botën e kriminalizuar po e zë nën vete. Dako ka ditë i shpallur ‘non grata’ nga SHBA-të dhe asnjë fjalë nuk thotë Kryeministri, që nuk lë njeri pa marrë nëpër gojë. Rilindja vetëm këtë shkollë paska, vetëm këta libra paska lexuar, vetëm të tillë korifenj qet. Në palcën e saj është mbledhur i gjithë qelbi dhe hanraku i Shqipnisë!

Nuk di ndryshe, nuk mundet, nuk do e kot t’u hysh stërhollimeve. Le të kthehemi tek ambasadori Sattler Shqiptarët, të gjithë ata që kanë njohuri minimale historike e të tjerët po e po, kanë mirënjohje e nderim për Austrinë e për Austro-Hungarinë e dikurshme. Të robëruar e të shitur nga Perandoria Otomane, e vetmja fuqi për shume kohë, sepse në ag të pavarësisë kombëtare iu bashkëngjit edhe Italia (ndonëse me lojnacake me interesat e veta të çastit), që e ndihmoi dhe trajtoi me dinjitet kombin shqiptar, pre e fqinjëve ballkan ikë. Mirënjohja nuk duhet të vjetrohet kurrë për aktet e shumta të ndihmës që patëm prej saj. Në këtë kontekst, ambasadori Sattler është i mirëpritur tejet në Shqipëri. Sot, pasi ngjarjet rrodhën me shpejtësi për qytetin e Shkodrës, na u kujtua cinizmi me të cilin i qe përgjigjur kryebashkiakes Ademi. Ai, sikur ne s’e dinim, na pat thënë që qenkëshim në vitin 2019 dhe jo në vitin 1913 dhe na ftonte të vishnim brekët e shkurtra e të niseshim yxhym në plazh e të shullëheshim e prabulliteshim në diell si qytetarë të lumtur.

Në një kohë kur Shkodra dhe gjithë Shqipëria ziente nga sulmi që iu bë demokracisë më 30 qershor. Me atë deklaratë, Sattler po i shërbente drejtpërdrejt qeverisë së diskretituar shqiptare. Ne si të njëanshëm, si mbështetës ndaj Ramës, pa mëdyshje njihnim vetëm ambasadorin Boshard. Deklarata e Sattler la shije të hidhur. Ne shqiptarët presim që ambasadorët të sjellin diçka nga vlerat pozitive të kontinentit dhe vendeve që përfaqësojnë dhe jo të bëhen palë në veset më të ndyta të politikes sonë. Idili dhe etja që kemi për evropianët, shpesh romantikë, jo pak herë na kthehet në frustrim prej të dërguarve të tyre, të cilët pranojnë këtu çdo gjë që e neveritin prej nga vijnë.

Tani që koha e përgënjeshtroi Sattlerin në këshillën e tij, presim që ambasadori të demonstrohet diplomat dhe të shkojë në Shkodër, aty ku Austria nderohet më shumë, ku prej varfërisë shumë pak shkojnë në plazh dhe t’i kërkojë falje kryebashkiakes Ademi. Nga Sattler dhe të tjerët presim të kërkojnë këtu, atë që çdo qytetar i zakonshëm austriak e ka, të drejtën për të zgjedhur në zgjedhje të lira e të ndershme.

*Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura