ANALIZA/ Henri Çili: Krimi komunist ka filluar para 29 nëntorit 1944. Akti kurajoz i Agron Tufës për të bërë…

May 5, 2019 | 14:03
SHPËRNDAJE

Hendri Çili

Henri-Cili-Liberale-1-770x433

E kam marrë këtë nismë për ta prezantuar në UET në kulmin e një debati për librin përkatës “Krimet e komunistëve gjatë luftës ‘41 – ‘45”, për dy arsye: e para, sepse më ka pëlqyer akti kurajoz i Agronit dhe Çelos dhe i të gjithë institutit për të bërë një debat thelbësor, real dhe jashtëzakonisht të rëndësishëm për shoqërinë shqiptare të këtej dhe andej kufirit, të këndej e andej kohëve dhe epokave dhe, për të vendosur me këtë libër një gur themeli të një mënyre të re të konceptimit të rolit, të palëve, përgjegjësive dhe të sensit moral të implikimit të regjimit komunist, të niveleve apo kategorive të caktuara të elitës.

Por çfarë ka ndodhur? E kam parë Agronin në këtë debat paksa të vetmuar dhe të izoluar, sepse në pushtet është mazhoranca e majtë, që duhet theksuar se është meritë e kryeministrit Rama që nuk e ndërroi këtë institut gjatë ndërrimit të pushteteve, por agresioni është jashtëzakonisht i madh, deri në racizëm, bullizëm deri në kërcënime për jetë, që Agroni i ka trajtuar vetë më mirë. UET dhe në përgjithësi një aulë universitare duhet të jetë në radhë të parë një forum i hapur ose një platformë nga ku fuqizohet dhe debatohen të gjitha idetë.

Kam dy ide të shkurtra në raport me këtë debat, duke ripozicionuar të gjithë veprimtarinë e institutit, sidomos këtë libër, si një nga gjetjet më të rëndësishme të politikave publike në Shqipëri, të pas viteve ’90. Pothuajse nuk ka asnjë ngjarje ekuivalente sa krijimi i këtij instituti dhe puna e tij për të sjellë diçka të dobishme në kujtesën tonë, në çështjet tona identitare dhe në debatin moral apo për një sens moral të jetës publike në Shqipëri.

Personalisht më ka shqetësuar shumë ideja e vjedhjes që i kanë bërë komunistët shqiptarë, aq sa ishin deri më 29 nëntor të 1944-s, rezistencës antifashiste shqiptare kjo rezistencë është një nga gjërat më të rëndësishme dhe më të ndritura, që na nderon si shoqëri. Na llogariti tek Aleatët dhe tek fituesit e luftës dhe, në një farë mënyrë na potencoi si një vend i vogël dhe i varfër, me 1 milion banorë, që ka sensin të orientohet nga gjëja e drejtë e historisë. Por lufta e partizanëve dhe atyre që ranë, u vodh dhe u instrumentalizua që para 29 nëntorit dhe ky është kontributi i këtij libri.

Për mua krimi komunist ka nisur para 29 nëntorit dhe prishjes së marrëveshjes së Mukjes, që ishte një marrëveshje e përgjegjshme e elitës shqiptare për çlirimin e vendit dhe për të ardhmen e tij. Në këtë moment, i gjithë sensi që autorët e dinë më mirë, i gjithë sensi i veprimeve të drejtuesve të luftës së Partisë Komuniste, ishte projekti për marrjen e pushtetit.

Asnjë lëshim Ballit Kombëtar; kemi letrat e Enver Hoxhës pas denoncimit të konferencës së Mukjes, kemi konferencën e dytë dhe të gjithë të tjerat. Ngulitja e idesë që krimi komunist ka nisur para se komunizmi të fillonte zyrtarisht në Shqipëri, është revolucionar, është pozitive dhe kontribut i rëndësishëm moral publik në shoqëri. Lufta dhe rezistenca duhet të shqiten, të shkoqiten nga projekt i Partisë komuniste për të marrë pushtetin dhe për të vendosur diktaturën, për të cilën ishin shumë të qartë.

Ishte projekt terrorist, antidemokratik, totalitar. E kush mendon se komunizmi ishte ide e bukur dhe që u gënjye i gjithë Perëndimi, nuk është e vërtetë. Në vitet ‘43 –‘44, komunizmi ishte një projekt 20 e ca vjeçar në kohët moderne. Ishte Bashkimi Sovjetik, ishte e qartë çfarë kishin bërë dhe çfarë kishin në plan të bënin.

Është si të thuash, po të fitojë partia komuniste apo ndonjë derivat i saj në Shqipëri, të mos e kemi idenë se çfarë do të ndodhë. Do të ndodhë ajo që kanë në program. Si i tillë, debati i kësaj ideje dhe ndarja e rezistencës antifashiste me projektin e komunistëve për të vendosur diktaturën në Shqipëri, është esenciale dhe një indeks i moralit publik. /Gazeta Liberale

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura