ANALIZA/ “I shkonte çdo ditë në zyrë Mediut dhe i thoshte ‘jam i djathtë unë’, tani…”- Gjekmarkaj: Meditim mbi dhunën e verbër të Sander Lleshit

May 18, 2020 | 20:50

Gjekmarkaj-Lleshaj-dhunaNGA AGRON GJEKMARKAJ

Ajo që spikati dje ishte dhuna ndaj të rinjve e të rejave, si dhe politikanëve të ndryshëm përgjatë gjithë ditës. Kjo ndodhi pasi Edi Rama ia doli të përdorë skemat e komunizmit, duke i vendosur aktorët pro dhe kundër, pasi disa i ka shpërblyer me pensione speciale. Po kaq, shembjen e teatrit e realizoi natën, në orën 4 e 30 të mëngjesit, orar ky i parapëlqyer për ekzekutime, në breg të lumit në Tiranë apo te çinarët e Rrmajit në Shkodër në vitet 1945-’46. Dje për shumë njerëz ishte një ditë tragjike. E kam përjetuar me dhimbje të madhe. Më shumë se çdo gjë, ajo që befasoi ishte sjellja e Policisë, motivimi i saj për të të rrahur, fyer e poshtëruar.

Fotografitë me shkelma mbi fytyrë e mbi bark që policët u vendosnin egërsisht viktimave të tyre të dorëzuara, ishte dëshmi që bestialiteti mes nesh dhe indoktrinimi ideologjik është shumë i fortë. Këta policë dhe drejtuesit e tyre, atdhe kanë partinë dhe pushtetin, të qenit shqiptar për ta nuk është asgjë para të qenit socialist apo rilindas. Ata nuk na mbrojnë, por na urrejnë të gjithëve ne që nuk jemi si ata.

Pamjet me publicistin dhe analistin Alfred Lela, të cilin po e lëçisnin nën brutalitet dhe sharje policësh militantë e militantësh policë, na bëjnë me dije sa afër e kemi të kaluarën, sa lehtë na afrohet ajo, si na ndjek e si nuk na ndahet.

Sandër Lleshajn e kam pasur një nga miqtë më të afërt e më të mirë, së paku kështu besoja, e kam pasur të tillë kur ishte një i djathtë konservator e gjithaq kur u bë një i majtë i bindur, duke ia justifikuar pa bindje, por me dashamirësi, luhatjet nxitur nga disa padrejtësi që i mendoja si të tilla ndaj karrierës së tij ushtarake në kohen e qeverisjes së PD-së. Prej kohësh vë në dyshim aftësinë time për të njohur njerëzit. Vras mendjen dhe nuk e gjej dot ku e ka fshehur ndër vite ai njeri gjithë atë urrejtje, ato komplekse për njerëzit, ku e ka fshehur gjithë atë potencial frustrimi e servilizmi si dhe zelli për t’u nënshtruar e për të shërbyer, atë çapitjet të pafund egoizmi vetëm për një karrige, për një shofer që i hap derën kur zbret, nevojën për truprojat e gjatë, mes të cilave humbet tek ecën me delir për t’u dukur personalitet, atë arrogancë me ata që s’ka interes dhe lëbyrje ndaj eprorëve. Më ka pse thënë Fatmir Mediu ish-ministër i Mbrojtjes, por e merrja si shaka që “Sandri më vinte në zyrë e çdo ditë me thoshte “ejjjj, jam i djathtë unë”. Sepse kur njeriu është s’ka nevojë ta pohojë dhe e njihja për të tillë.

Tani e imagjinoj tek shkon në zyrën e Gramoz Rucit apo Erjon Braçes, duke vikatur “ej, jam i majtë unë”. S’e besoja kurrë të arrija në përfundimin që i paskëshim rënë në qafë Fatmir Xhafajt. Zor të besohet se Xhafaj do ta lejonte këtë festival dhune, madje as Saimir Tahiri. Në fakt, sado që i shamë, ata s’e bënë kurrë, nuk preken gazetarë me dorë. Duke pasur një histori politike nga pas ata kishin më shtyllë kurrizore.

Më la pa fjalë gjuha e tij e urrejtjes (Lleshajt) që kur filluan protestat e studenteve dhe të pedagogeve ku ai ishte më agresivi dhe patetiku në komunikime të brendshme dhe publike duke dërguar policë në fakultetin ku punon miqtë e tij, për të arritur apogjeun gjatë vitit të protestave opozitare për t’u zvjerdhur tani kur mundohet të qeshë. I pari me memet që shpërndan Edi Rama, ku tallet shefi i opozitës. Në këtë cirk karakteri, ai stimulon dhunën e vartësve të tij. Lleshaj bëhet trim sot nga servilizmi, nga nevoja shpirtërore që ka për pushtet e rol dhe mbajeni mend nesër sa frikacak do të jetë kur Rama ta hedhë si një prezervativ, pasi t’i ketë kryer të gjitha punët e ndyra. Një herë e paralajmëroi duke e dëbuar nga mbledhja e qeverisë, ku pasi u skuq e tha se nuk do të ulej më në atë karrige, u rikthye prapë duke puthur këmbët e padronit. Ndonëse ka ngrënë bukë në shtëpinë time e po ashtu unë në shtëpinë e tij, në këtë moment e kam bindje të thellë që, nëse Edi Rama i jep urdhër të gjejë një shkak që të më ndalojë mua apo miq të të tjerë e imagjinoj të përskuqur, të gatshëm, dihatës, duke rendur për të zbatuar urdhrin. Të pres Sandër! Hajde, ti e di që nuk jam frikacak si ti, edhe pse mund të më përgjosh telefonin apo skenarë të tjerë.

Ti në këtë rast je Pjerin Kcira, që fute armët në kishën e komunitetit katolik. Një bindje më ka shoqëruar gjithmonë që katolikët nuk janë shpërblyer kurrë sa duhet në këtë shtet, në raport me kontributet që kanë dhënë në historinë e tij, teksa nga Enver Hoxha dhe shpura e tij martirizoheshin si në kohët e golgotës. Kur Lleshaj u emërua ministër, nga pikëpamje simbolike e konsiderova një reflektim. Por koha si ilaçi më i mirë po na rrëfen se ai këtij komuniteti, së bashku me Gjovalin Loken, po i vënë njollën e turpit shumë më tepër se të fortët që Rama zgjodhi për t’i përfaqësuar në Parlament. Ata së paku ishin vetvetja, nuk hiqeshin për atë që nuk ishin. Pse një i krishterë duhet të bëhet paladin i dhunës?

Ministri dje mbase ka shkuar i gëzuar në shtëpi se i gjakosi si askush protestuesit, se e gëzoi shefin e tij, që nuk është çudi që bashkë me opozitën e re, të ndryshojë Kushtetutën sipas modelit ‘Erdogan’, por gjumin, i cili është mjaft mistik, nuk e komandon dot, i do t’i bëhet halucinativ si i Makbethit. Kjo është njëra anë e dhunës, përkufizimi i saj për pushtet, për karrige, për interes dhe ideologji për dialektalizëm politik. Si tha Lela?… Policët që po e dhunonin, kish aksent të fortë lab, megjithëse shumë leberve duhet t’u kenë shkuar zorrët te hunda nga shfaqja e djeshme. Tjetra është mujsharja verbale e miqve apo pseudomiqve e atyre që ti i respekton për njerëz, edhe pse nuk ndan të njëjtat bindje politike që të ngacmojnë orë e çast se ja “Rama jua shembi Teatrin e çfarë do bëni tani, ku shkoi vija e kuqe u bë llastik brekësh?! Nuk e besoja kurrë që do të gjenin kaq zulmë te dhuna, kaq gëzim hipokrit të lidhur me fitime direkte pa asnjë ideal, të ishin kaq bijë skllevëris…?”.

Nuk do kisha pasur kurrë guximin t’i përkufizoja si fytyrëshollë, që nuk u intereson kurrë liria dhe dinjiteti para një grushti me euro. Ky është banaliteti i së keqes, fatkeqësia e këtij vendi të vogël e me pak banorë që mon më tepër urrejtjen sesa dashurinë për tjetrin, poshtërimin para respektit, grushtin para fjalës. Një miku im mjek, ish-politikan fjalën e të cilit e çmoj, alergjik ndaj Edi Ramës, më shkruante sot në “Whatsapp” “se nuk të lexoj më” pas shkrimit ku thosha që Teatrin nuk e shembi Basha, por Rama, ku nuk mund të vihet shenja e barazimit midis agresorit dhe viktimës. Ai pohim më shtoi bindjen se shqiptarët duan ndryshim më shumë se rrotacion dhe se Bashën e duan më ndryshe nga ai ç’është aktualisht. L. Basha nuk mund të jetë më spontan e rastësor, me njerëz pa impakt publik anash tij, ai ka detyrimin që të ndërtojë një projekt të madh bashkimi qytetar e politik me kushtin për të themeluar rregulla e institucione.

Mbi të gjitha, të ndërtojë koherencë ky pas çdo fjale të ketë një akt, përndryshe nuk e merr besimin e një shoqërie të rrëzuar nga e keqja dhe varfëria. Nuk do t’i dhimbsej askujt Basha si individ nëse dështon, por do të ishte fatalitet legalizimi i dhunës e diktaturës nëpërmjet zgjedhjeve të kërcënuara nga vullneti i Edi Ramës apo zelli i Sandër Lleshajt, Gjovalin Lokes e të tjerë, ndaj duhet mbështetur Basha si instrument i një shprese kolektive dhe jo të qëllimit të tij personal për pushtet apo atyre që mendojnë se do të bëjnë para, pasi ai të behet Kryeministër. Meditimi mbi dhunën e këtyre ditëve më shpie në përfundime të tilla, që keqbërësi më i madh i Shqipërisë sot është artisti i shndërruar në dhunues siç e shprehu piktori me famë europiane, Ardian Paci.

© Panorama.al

Te lidhura