Adresat e reja/ Kaos në zyrat e Gjendjes Civile, nga sot nis vendosja e gjobave

Jul 28, 2017 | 14:16
SHPËRNDAJE

Dita e fundit e amnistisë për deklarimin e vendbanimit ka shkaktuar dje kaos në zyrat e Gjendjes Civile. Qindra qytetarë kanë qëndruar në radhë për transferimin e adresës, në mënyrë që të shmangin gjobën prej 10 mijë lekësh të rinj, që nis të aplikohet nga sot e në vazhdim, shkruan “Panorama”. 

Bledar Doracaj, Drejtori i Gjendjes Civile
Bledar Doracaj, Drejtori i Gjendjes Civile

Qindra qytetarë kanë qëndruar në radhë për transferimin e adresës, në mënyrë që të shmangnin gjobën prej 10 mijë lekësh të rinj, që nis të aplikohet nga sot e në vazhdim.

Data 27 korrik ishte përcaktuar që në fillim të këtij viti, si afati i fundit për deklarimin falas të vendbanimit, por shumë prej qytetarëve shprehen se nuk kanë qenë të informuar siç duhet dhe kjo ka sjellë radhë në njësitë ku ata janë paraqitur.

Shumica pretendojnë se, në momentin kur u vinte radha për te sporteli, janë kthyer mbrapsht, për shkak të mungesës së informimit dhe pas rikthimit u është dashur të qëndrojnë sërish në radhë për të bërë regjistrimin. Ata nuk kanë qenë në dijeni se dokumenti i pronësisë që ishte kusht për të kryer deklarimin, duhej të ishte i noterizuar.

Sipas informacioneve që ata kishin, mjaftonte një fotokopje e këtij dokumenti, por në momentin që afroheshin te sporteli dokumenti nuk konsiderohej i vlefshëm, pasi duhej noterizuar më parë. Prandaj u duhej të dilnin sërish nga zyrat e Gjendjes Civile, të sorollateshin për të gjetur një noter e më pas të ktheheshin për të qëndruar sërish në radhë.

Për këtë arsye ata kërkojnë një mundësi të dytë për të shpë- tuar nga gjoba dhe presin që të ketë një zgjatje të afatit të amnistisë. Megjithatë, kjo duket se nuk do të ndodhë dhe nga sot, kushdo që do të paraqitet për të transferuar vendbanimin, duhet të paguajë edhe gjobën prej 10 mijë lekësh të rinj.

GJENDJA CIVILE

Paralajmërimi i fundit nga Ministria e Brendshme për përfundimin e afatit të amnistisë u dha pak ditë më parë përmes një njoftimi zyrtar, por edhe vetë drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, në shumë prononcime për mediat sqaroi se afati përfundonte më 27 korrik. Qytetarët që do të deklaronin ndryshimin e vendbanimit tashmë nuk kanë më kohë që të kryejnë regjistrimin falas.

Ky afat përfundoi dje, ndërsa në vazhdim deklarimi do të shoqërohet me një gjobë 10 mijë lekë të rinj. Ministria e Brendshme shpjegonte se, për procedurën e ndryshimit të vendbanimit (e cila realizohet në zyrën pritëse nën juridiksionin territorial të së cilës ndodhet ndërtesa, godina e vendbanimit), kërkesa për ndryshimin ose deklarimin e vendbanimit duhet të shoqërohet me disa dokumente.

Dokumentet e nevojshme për të regjistruar ndryshimin e vendbanimit ishin: një fotokopje e letërnjoftimit për çdo person madhor, anëtar të familjes, si dhe dokumentin e pronësisë së banesës. Në mungesë të një dokumenti pronësie, mund të dorëzohet një kontratë qiramarrjeje, kontratë huadhënieje, përdorimi ose banimi, apo çdo dokument tjetër i ligjshëm i parashikuar nga legjislacioni në fuqi, që i jep shtetasit të drejtën e përdorimit të banesës.

Megjithatë, në asnjë moment nuk theksohej se këto dokumente duhej të ishin të noterizuara. Kjo ka sjellë paqartë- si të qytetarëve, të cilët shpreheshin se nuk ishin informuar siç duhet.

QYTETARET

Qindra qytetarë që u janë drejtuar dje zyrave të Gjendjes Civile, në ditën e fundit të amnistisë, shprehen se u është dashur të qëndrojnë në radhë për orë të tëra. “Po qëndrojmë prej orësh në radhë. Nuk funksionojnë të gjitha sportelet, në disa raste janë të hapur dy, por edhe një sportel i vetëm. S’kemi qenë në dijeni se dokumentet duhej të ishin të noterizuara.

Për këtë arsye na është dashur të nisim gjithçka nga e para, në kohën kur sapo na kishte ardhur radha. Në sportel na është thënë se dokumenti i pronësisë duhej të ishte i noterizuar, pasi vetëm fotokopja nuk ishte e vlefshme. Na është dashur të shkojmë ta noterizojmë e të kthehemi duke qëndruar sërish në radhë. Kërkojmë që të shtyhet afati të paktën edhe me një muaj”, shprehen disa prej qytetarëve në radhë.

AFATI

Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Bledar Doracaj, u shpreh dje se nuk mund të ketë shtyrje të afatit të amnistisë, pasi ligji nuk parashikon një shtyrje të tillë. I vetmi favor për qytetarët, sipas tij, është një urdhër që u është dhënë zyrave të Gjendjes Civile që, pavarësisht orarit zyrtar, që është ora 16:00, të qëndrojnë të hapura deri në momentin që aty të ketë mbetur qytetari i fundit që bën deklarimin e vendbanimit.

Adresat, ja rruga ligjore për shtyrjen e afatit të deklarimit

Pavarësisht deklaratave të zyrtarëve të Gjendjes Civile se afati për deklarimin e adresave të reja nuk mund të shtyhet pa u mbledhur Parlamenti i ri, në fakt një gjë e tillë nuk është e vërtetë. Brenda të gjitha kornizave ligjore, afati në fjalë mund të shtyhet me një akt normativ të Qeverisë.

Mjafton iniciativa dhe dëshira për të marrë një vendim të tillë dhe qeveria, me akt normativ, mund ta shtyjë afatin për deklarimin e adresave të reja nga qytetarët. Gjithçka do të mbetej brenda ligjit dhe madje do të kishte fuqi të tillë për sa kohë që Parlamenti i ri, që pritet të mblidhet në shtator, do ta aprovonte aktin normativ të Qeverisë brenda 45 ditësh nga momenti i shpalljes së tij.

Për sa kohë që kjo procedurë nuk po ndiqet dhe qindra qytetarë rrezikojnë ndëshkimin me gjoba për arsye të ndryshme, duket se qëllimi ky është: arkëtimi i shumave monetare nga qytetarët.

ETLEVA DELIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura