A është zgjidhje arsimi i lartë falas që propozon Artan Fuga?

Sep 21, 2017 | 11:30
SHPËRNDAJE

selami xhepaSELAMI XHEPA*

Ky shkrim vjen si reflek tim mbi propozimet  e paraqitura nga profesor Artan Fuga ditët e fundit për arsim të lartë cilësor dhe falas, por dhe nga një shqetësim që prej kohësh debatohet mes kolegësh. Para disa muajsh, një grup profesorësh dhe studiuesish të një prej universiteteve më prestigjioze në botë, London School of Economics, së bashku me disa kolegët tanë nga Shqipëria dhe vendet e rajonit, kryen një studim vlerësues për gjendjen e arsimit të lartë dhe lidhjen e tij me tregun e punës. Gjetjet e këtij studimi, edhe pse mund të merreshin me mend dhe ishin të pritshme prej nesh, na i ndriçojnë më me forcë disa të vërteta tronditëse.

Thënë përmbledhur: programet akademike në Shqipëri dhe rajon janë jo të lidhura me nevojat e ekonomisë për aftësitë profesionale që kërkon tregu; metodat e mësimdhënies janë të vjetëruara sipas shkollës së vjetër (mësuesi flet, studenti ripërsërit); që lidhja e universiteteve me biznesin është shumë e dobët, për të mos thënë inekzistente ose formale, duke bërë që të mos përputhen aftësitë profesionale me kërkesat e tregut; që matja e rezultateve të dijes është formale dhe abuzuese; që korrupsioni mbetet një shqetësim i fortë edhe në këtë sektor; që mbështetja, qoftë nga universitetet apo politikat publike për integrimin e studentëve në tregun e punës është pothuaj zero; që financimi publik për arsimin është thjesht për të garantuar mbajtjen hapur të shkollave/ universiteteve, por jo për të garantuar një sistem arsimor cilësor dhe të aftë që t’u përgjigjet nevojave të një shoqërie të shekullit të 21- të.

Kontrastet janë domethënëse dhe të nënvizuara fort nga studentët që kanë përfituar në kuadër të programeve të mobilitetit si Erasmus + dhe kanë pasur mundësi të ndjekin studimet në shkollat perëndimore. Cilat do të ishin disa çështje dhe rekomandimet politike për adresimin e cilësisë së edukimit në universitetet tona? Së pari, të modernizojmë kurrikulat mësimore dhe teknikat e mësimdhënies, duke vendosur në qendër të tyre studentin, duke kërkuar që auditorët të mos kenë më shumë se 20-25 studentë, që ato të jenë të pajisura me teknologjitë më të mira dhe që familjarizojnë studentin me të njëjtat pajisje/instrumente/dokumentacione që do të kenë dhe nesër në punë.

Duhet që gjatë periudhës së studimeve studenti të zhvillojë aftësitë analitike dhe zgjidhjes së një problemi, të gjykimit kritik, aftësitë e komunikimit, etj. Kjo është një çështje më së shumti në duart e vetë profesorëve dhe departamenteve, por vetë stafet akademike nuk dëshirojnë të ndryshojnë ose i rezistojnë ndryshimit për arsye të kuptueshme.

Nëse lektorët rishqyrtojnë me përgjegjësi proceset dhe metodat e mësimdhënies, mendoj se shumë gjëra mund të ndryshohen, edhe brenda nivelit të burimeve ekonomike, financiare dhe teknologjike që disponojmë. Pasi t’i ezaurojmë këto mundësi, duhet të kërkojmë të gjenerojmë më shumë burime të reja financiare shtesë, të cilat do të mundësojnë të bëhemi edhe më të sofistikuar në punën tonë. Këtu ka një rol edhe për Ministrinë e Arsimit: së pari alokimin e më shumë fondeve financiare dhe, së dyti, të dhënies së më shumë liri institucioneve të arsimit të lartë në hartimin e kurrikulave dhe programeve të reja studimore që kërkon tregu.

Praktikat e sotme burokratike kërkojnë dy vjet që të hapësh një program të ri dhe vendosin kufizime të forta për të axhustuar programet ekzistuese. Këtu koncepti i lirisë akademike them se cenohet. Pra, nga njëra anë vetë stafet akademike nuk dëshirojnë të ndryshojnë dhe, nga ana tjetër, edhe vetë politikat burokratike i pengojnë iniciativat për ndryshim. Rekomandimi i dytë është që qeveritë duhet të heqin incentivat për të përfshirë edhe më shumë studentë në sistemin e arsimit të lartë. Që sistemi universitar të jetë cilësor, kërkon që auditorët të kenë më pak studentë, në mënyrë që të lehtësohet ndërveprimi profesor-student.

Gjithashtu, edukimi cilësor kërkon stafe akademike cilësore, profesor me kontribute reale në shkencë dhe në mësimdhënie, me aftësi të shquara komunikimi, laboratorë dhe bazë mësimore moderne, ngarkesë të kufizuar dhe fokusim të stafit akademik në një numër të vogël specialitetesh, duke rritur specializimin në thellësi, etj. Kostoja e një studenti në Shqipëri, siç e vlerësoi grupi i punës për reformën në arsim, është më pak se 500 euro, ndërkohë që në vendet e OECD-së shpenzohet mesatarisht 10,000 euro për student.

Nëse nisemi nga fakti se buxheti i shtetit alokon vetëm rreth 40 milionë euro në vit për arsimin e lartë, atëherë sipas kostove të vendeve të OECD-së Shqipëria nuk duhet të ketë më shumë se 4,000 studentë në auditorët e universiteteve, ndërkohë që numri total i studentëve në gjithë programet e studimeve universitare është rreth 180 mijë! Thënë ndryshe, që sistemi ynë universitar të akomodojë këtë numër studentësh në kushte cilësore si ato të një vendi të OECD-së, do të duhej që financimi vetëm për sistemin universitar të ishte 1.8 miliardë euro, ekuivalente me gati 25% të PBB-së!

Pikërisht kjo pamundësi e dukshme e buxhetit për të përballuar një edukim cilësor kërkon që shteti të fokusojë burimet e veta (që janë taksat tona) tek ajo pjesë e studentëve që realisht e meriton sakrificën e shoqërisë për të investuar te ata, që kanë aftësitë e padiskutueshme, por pamundësitë financiare, të ndjekin një edukim cilësor. Edhe regjimi komunist, në fakt, këtë gjë bënte: vetëm studentët shumë të aftë gëzonin të drejtën e studimit, ndërsa mbështetjen e plotë financiare e gëzonin vetëm ata prej tyre që nuk kishin një gjendje të mirë financiare të familjes.

Burimet e rralla financiare që disponojmë duhet gjithashtu t’i orientojmë atje ku nevojat e shoqërisë janë më të mëdha – për të stimuluar shkollat e inxhinierive, zhvillimit të shkencave, teknologjive, etj., që janë baza e riindustrializimit të vendit dhe më pak për profesionet që janë në ofertë të tepruar sot në tregun e vendit. Edhe pse themi se vendi u mbyt me ekonomistë dhe juristë, sërish qeveria i shton kuotat e studentëve në këto degë, duke vazhduar të hedhim taksat tona aty ku nuk duhet!

Luks i madh për një vend të varfër, luks që as edhe një vend që noton në para nuk do t’ia lejonte vetes! Vendet e varfra do të vazhdojnë të mbeten të varfra për shkak të ironive të tilla. Sa më paka para, aq më shumë shpërdorim i tyre; sa më i dobët sektori privat, aq më e vështirë bëhet të zhvillosh një sipërmarrje private! Çfarë nënkupton më tej një sistem edukimi cilësor?

Më e pakta, që pedagogët të mos shesin librat e tyre (të përkthyera shumë keq, edhe pse vendosin në kapak emrat e tyre) te studentët, por të përdorin tekstet akademike që përdorin universitetet e huaja serioze; që universitetet të jenë të hapura për të tërhequr profesorët më cilësorë, jo vetëm nga brenda vendit, por dhe nga vendet e tjera. Kjo do të thotë që konkurrenca duhet të shtrihet në nivel individi. Dhe më tej, konkurrenca për financim duhet të jetë mbi bazë suksesi të një programi ose dështimit të tij. Paratë publike nuk mund dhe nuk duhen dhënë për çfarëdo programi studimi, pavarësisht nëse ai është i suksesshëm apo jo.

Kjo konkurrencë midis programesh do të ishte dhe një shtysë për të profilizuar institucionet e arsimit të lartë. Konkurrenca në ofrimin e shërbimit të edukimit është mekanizmi kryesor për të siguruar eficiencën e parave që publiku sakrifikon për arsimimin e brezit të ri. Qeveria amerikane eksperimentoi gjatë viteve ’80 një sërë alternativash për përmirësimin e arsimit dhe konkludoi se thjesht rritja e financimit është e pamjaftueshme, nëse ajo nuk shoqërohet edhe me rritje të konkurrencës midis institucioneve, duke kryer disa reforma (pjesore) në këtë drejtim.

Kjo shpjegon se përse, fjala vjen, Singapori që shpenzon më pak para para për një student, ka një sistem shumë më cilësor se SHBA, e cila shpenzon më shumë fonde për një sistem më pak eficient. Konkurrenca duhet të jetë jo midis universiteteve publike dhe private, por midis vetë universiteteve, pavarësisht pronësisë mbi këtë shërbim. Të mos e banalizojmë çështjen se kush po i merr paratë e buxhetit, sepse këto para nuk janë taksa që ne paguajmë për universitetin publik, por për fëmijët tanë, që studentët tanë të kenë mundësi të marrin një shkollim cilësor të denjë për kërkesat që shtron ekonomia e re që duam të ndërtojmë.

Debati arsim falas (njësoj si shëndetësia falas!) apo me pagesë, është një çështje ekonomike dhe burimesh në radhë të parë, dhe pastaj bëhet një temë debati ideologjik; ndërsa arsim publik apo privat duket sikur debati bëhet për ndërtesat dhe pronarët dhe jo për arsimin si një e mirë publike. E mirë publike është arsimi si shërbim dhe jo ofruesi i shërbimit. Edhe një investitor privat, që operon në sigurimin e të mirave publike, duhet të gë- zojë të njëjtin status juridik dhe social si dhe një operator tjetër që ka një tjetër formë pronësie.

Në këtë kuptim, shqetësimi për gjendjen e arsimit në vend nuk duhet të jetë i lidhur thjesht me pronësinë e universitetit publik, por me sektorin në tërësinë e vet. Por, le t’u kthehemi sërish shqetësimeve të tjera të tregut të edukimit. Garantori i cilësisë së edukimit janë institucionet që duhet të certifikojnë standardet e edukimit, cilësinë e mësimdhënies etj. Pra, procesi i akreditimit të programeve dhe kontrollit të cilësisë së edukimit duhet të zënë vend prioritar. Një prind që shqetësohet për shkollimin e fëmijës, mund të bëjë përzgjedhjen e universitetit vetëm bazuar në informacionin për standardet e edukimit që gëzojnë ato.

Pra, konkurrenca midis universiteteve duhet të jetë me standarde akademike, të cilat duhet të certifikohen nga një agjenci e paanshme dhe auditorë të jashtëm. Fatkeqësisht, deri më sot, këtë detyrim, ndoshta dhe formal, e kanë plotësuar vetëm universitetet private, ndërsa ato publike as kanë denjuar t’u nënshtrohen praktikave të tilla. Sigurisht që ato sillen në këtë mënyrë pasi financimin e kanë të garantuar nga taksat tona, dhe kështu do të sillen përgjithnjë, nëse nuk do të ndihen të kërcënuara nga rreziku i shterimit financiar.

Është detyrim i ministrisë që të bëjë publike, transparente, të gjitha raportet vlerësuese për standardet e universiteteve, në mënyrë që publiku të bëjë vetë zgjedhjen që dëshiron, një zgjedhje të bazuar në standarde dhe jo në preferenca të krijuar nga gojëdhënat apo gojët e liga.

Mbi të gjitha, kolegë të nderuar, duhet ta shohim universitetin si institucionin që nuk e kufizon punën e vet vetëm te dhënia e mësimit dhe krijimi aftësive dhe dijeve te të rinjtë, por si përgjegjësinë tonë themelore kemi integrimin e këtyre të rinjve në jetë. Nuk mbaron puna jonë me dhënien e diplomës studentit. Këtu fillon puna serioze e jona, për të ndërmjetësuar dhe mundësuar integrimin e tyre në tregun e punës.

Nëse universitetet janë të mbyllura ndaj biznesit, nëse nuk zhvillojmë këshillim karriere për studentët; nëse nuk krijojmë sinergji reale me ekonominë e vendit dhe institucionet e tij, as puna jonë si pedagogë dhe as si kërkues shkencorë nuk do të ishte e dobishme. Kërkimi shkencor që nuk vihet në shërbim të biznesit, të ekonomisë dhe shoqërisë, nuk do ta nderonte as një universitet apo akademi qoftë.

Dhe, një parantezë në këtë pikë, meqë është debatuar kohët e fundit për reformën e kërkimit shkencor: kërkimi shkencor bëhet nga kërkuesit shkencorë, pavarësisht se ku punojnë ata, brenda vendit apo jashtë vendit, shqiptarë Shqipërie apo shqiptarë prej ngado në botë apo i huaj qoftë, në sektorin publik apo privat, në akademi apo në një zyrë të vetmuar.

Kriteri i financimit të një projekti kërkimor janë metodologjia dhe zgjidhjet që ofron studiuesi për një problem të caktuar dhe jo për cilin institucion punon filani. Kërkimi shkencor nuk është as kompensim rroge dhe as mëshirë e shoqërisë për individë të caktuar. Sfidat e reformimit të edukimit në Shqipëri janë shumë serioze; nevoja për të ndryshuar është ulëritëse; ndryshim që në radhë të parë duhet ta fillojmë nga vetja. Por, nëse debatin do ta bazojmë në retorika populiste, në inate personale, nëse nuk do të jemi në gjendje të kapërcejmë vetveten, para së gjithash ne që punojmë vetë çdo ditë në universitete, as arsimi falas dhe as supa falas nëpër klasa nuk do të na e bëjë shoqërinë më të mirë.

E gjithë shoqëria është solidare, që “supë falas” dhe “shkollë falas” t’ia paguajmë me taksat tona gjithkujt që realisht e ka të pamundur financiarisht, por nuk ka arsye të japim supë falas dhe shkollë falas për familjet që kanë mundësi të mira ekonomike, që kanë vetura dhe vila, që shpenzojnë në weekend-e më shumë nga sa shpenzon një shkollë gjatë një viti të tërë. Nëse do të mbërthehemi në një debat të tillë, për mendimin tim shumë periferik dhe jopërmbajtësor, rrezikojmë seriozisht të zhytemi në statusin e një shoqërie analfabete, sipas standardeve që do të ketë shoqëria e shekullit që po jetojmë.

*President i Institutit Europian “Pashko”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura