“29 Nëntori, ditë e zezë për familjen time e Shkodrën”/ Festa e Çlirimit, veteranët përplasen me Voltana Ademin

Nov 21, 2019 | 10:28
SHPËRNDAJE

voltana-ademi

ARDIT HOXHA/ Festimet për 75-Vjetorin e Çlirimit dhe për 108-Vjetorin e Pavarësisë kanë vënë përballë veteranët e Luftës së Dytë Botërore me kryebashkiaken në detyrë të Shkodrës, Voltana Ademi.

Shkak është bërë kalendari i festimeve të planifikuara nga Bashkia Shkodër, ku mes 5 aktiviteteve të organizuara, 1 është në datën 27 Nëntor dhe 4 të tjerat në 28 Nëntor, ndërsa në 29 Nëntor nuk është planifikuar asnjë aktivitet.

Kjo gjë i ka irrituar së tepërmi veteranët e Shkodrës, që këtë veprim të kryebashkiakes Ademi e kanë konsideruar si të çuditshëm dhe se me këtë akt, Bashkia Shkodër mohon datën e çlirimit të vendit.

“Kam dalë në këtë prononcim publik pas një takimi që bëmë ne, Organizata e Veteranëve dhe Familjeve të Dëshmorëve, për të shprehur indinjatën për mosseriozitetin në rastin e programit që Bashkia Shkodër ka bërë për kremtimin e 75-Vjetorit të Çlirimit të atdheut. Jemi shumë të indinjuar për dekorin dhe programin që ka hartuar Bashkia e Shkodrës. Bashkia ka dalë si një republikë më vete, ku nuk e njeh dhe ku nuk ka marrë asnjë masë për kremtimin e 75-Vjetori të Çlirimit. Në emër të organizatave dhe të popullit që përfaqësojmë, ne shprehim edhe një herë indinjatën sepse pushteti lokal nuk është prononcuar dhe shprehet kundër kësaj date. Nuk është hera e parë që mban këtë qëndrim. Ne do të bëjmë brenda mundësive aktivitetin tonë. Sa kemi forca. Por që të shprehet një qëndrim i tillë i pushtetit lokal për këto vendime, mua më duket e çuditshme. Zonja Ademi është kryetare e bashkisë dhe ushtron një funksion dhe një detyrë shtetërore, ka detyra qeveritare dhe kushtetuese për të cilat paguhet. Për qëndrimin e saj privat, ajo mund të shprehë shumë gjëra”, u shpreh Zamir Llazani.

Por pas këtyre akuzave të veteranëve të LANÇ-it ka ardhur edhe kundërpërgjigjja e kryebashkiakes Voltana Ademi, duke theksuar se kalendari i festimeve është për të përkujtuar pavarësinë dhe se për datat e tjera ajo e ka shprehur mendimin e saj më herët.

“Kalendari është i javës së pavarësisë dhe na bën nder ne dhe gjithë shqiptarëve. Unë e kam deklaruar qëndrimin tim dhe nuk është personal, por që përballet me historinë. Ka filluar një diskutim në nivel kombëtar. Ata dëshmorë që kanë rënë për liri meritojnë të respektohen, por më pas datat që lidhen me të vërtetat e datës së largimit të uzurpatorit dhe hyrjen e një regjimi komunist në Shqipëri, do të duhet ta themi të vërtetën ashtu si ishte sepse ne kishim baballarët dhe familjarët tanë, të cilët në atë kohë kanë vuajtur në sajë të një revanshi civil ndërmjet forcave të ndryshme politike, në këtë rast komunistët, që kanë bërë masakra në atë kohë. Duhet të përballemi me të vërtetat, duke i dhënë pjesën e vet gjithsecilit në histori. Për familjen time ka qenë një ditë e zezë, por edhe për Shkodrën besoj”, tha Voltana Ademi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura