Zyrtari i SHBA, negociata me PD e PS

Sep 21, 2011 | 10:32
Raffi Gregorian, zv.drejtori për Europën Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës bëjnë ndërmjetësin mes forcave politike në vend për arritjen e një kompromisi.Ka qenë pikërisht zv.drejtori për Europën Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit, Raffi Gregorian, i cili dy ditë më parë ndodhej në Tiranë dhe që ka thirrur në ambientet e Ambasadës Amerikane në Rrugën e Elbasanit, deputetë me peshë nga të dyja forcat politike. Burime konfidenciale bëjnë të ditur për gazetën “Panorama” se në ambientet e Ambasadës janë parë gjashtë anëtarë të Parlamentit, tre nga secila forcë politike. Përfaqësues të Partisë Demokratike në këtë takim kanë qenë kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, një ndër ekspertët më të mirë të ligjeve, Viktor Gumi, si dhe kreu i Komisionit të Sigurisë Kombëtare dhe Leonard Demi. Nga ana tjetër, kanë qenë të pranishëm eksperti për reformën zgjedhore, Damian Gjiknuri, propozuesi për reformën parlamentare, Ditmir Bushati, si dhe ish-kryeministri dhe anëtari i Komisionit të Ligjeve, Pandeli Majko. Gjatë kësaj dreke pune është biseduar për arritjen një pakti mes forcave kryesore politike dhe angazhimit të secilës prej tyre. Vetë të pranishmit në këtë tryezë nuk bëjnë të ditur detaje lidhur me atë çka është biseduar me zyrtarin e lartë të ardhur nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Pak ditë më parë, Bashkimi Europian solli në Shqipëri ministrat e Jashtëm të Italisë dhe Greqisë, të cilët u takuan me krerët më të lartë të shtetit dhe të partive politike për të sheshuar mosmarrëveshjet. Gjatë një konference për shtyp, kryediplomati italian, Franko Fratini, theksoi se “mbeten ende shumë gjëra, si për shembull 52 rekomandimet e dhëna nga OSBE-ja dhe Këshilli i Europës. A është e mundur që këto 52 rekomandime të zbatohen? Unë them se po. A është e mundur që të rifillojnë takimet e Komisionit Parlamentar për Çështjet e Integrimit? Unë mendoj se po. A është e mundur që të dyja palët, si qeveria, edhe opozita, të jenë në gjendje të bien dakord përsa u përket nominimeve të nivelit të lartë, si për shembull Avokati i Popullit? Unë mendoj se po. Këto ishin vetëm disa shembuj, por ajo për të cilën Shqipëria ka nevojë, është një pakt kombëtar për Europën, siç e arriti për integrimin në NATO”. Ndërsa ministri grek, Lambrinidis, kur u pyet për mundësitë që ka Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat në tetor, theksoi se “garanci nuk ka për asnjë vend. Ka garanci për një gjë, dhe këto janë kriteret, të cilat janë të njëjta për çdo shtet; nuk janë më të vështira për një vend apo një tjetër. Ato mbeten ato që janë dhe janë kriteret e Kopenhagës. KE do ta ndjekë nga afër aplikimin e 12 kritereve dhe do të na raportojë ne, Këshillit të Ministrave. Ka pasur një vonesë prej disa muajsh sa i përket kësaj çështjeje. Ka ardhur koha për të lëvizur përpara, nuk mund të zgjidhen disa kritere dhe të lihen të tjerat”.

Negociatorët e PD dhe PS
Pak ditë më parë, si Partia Demokratike, ashtu dhe ajo Socialiste, përcaktuan negociatorët e tyre për reformën zgjedhore. Nga opozita do të jenë bashkëhartuesi i Kodit Zgjedhor, Damian Gjiknuri, si dhe deputetja Vasilika Hysi, ndërsa nga PD, Viktor Gumi dhe shefi i Kabinetit të Kryeministrit, Oerd Bylykbashi. Bisedimet mes tyre do të zhvillohen për hartimin e projektvendimit për ngritjen e komisionit të reformës, i cili më pas do të votohet në Parlament.

OSBE: Reforma zgjedhore, sa më shpejt
“Ne shpresojmë që kjo reformë zgjedhore të fillojë sa më shpejt të jetë e mundur, por sigurisht, nuk ka nevojë të nxitohet dhe shpresojmë që ajo të përfundojë në kohë të mjaftueshme, para zgjedhjeve të ardhshme. Në fakt, ne shpresojmë që kjo reformë zgjedhore të jetë gjithëpërfshirëse – ashtu sikurse tha z. Haxhinasto, – që të përfshijë kontributet e dhëna nga partitë politike nga ato parlamentare dhe joparlamentare”, tha pak ditë më parë përfaqësuesi i OSBE-së, Stonestreet.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura