Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në burg dy vëllezërit Artur dhe Klevis Hoxhosmani, duke lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë.
Ata ndodhen në qeli që prej korrikut të vitit të kaluar kur u arrestuan pas goditjes së grupit kriminal që vepronte në fushën e trafikut të kokainës nga Amerika Latine drejt Evropës.
Vëllezërit Hoxhosmani akuzohen se në bashkëpunim me persona të tjerë kanë trafikuar kryesisht gjatë vitit 2020 mbi 6 ton kokainë me vlerë tregu 411 milionë euro.
SPAK e zbërtheu grupin kriminal në saj të komunikimeve në Sky Ecc dhe Encrochat. SPAK ka të dokumentuar aktivitetin e tyre kryesisht në vitin 2020 ku tonelata droge kanë kaluar nga Ekuadori për në vendet e BE.
Një ndihmë për zbardhjen e aktivitetit të grupit ka dhënë edhe bashkëpunëtori i drejtësisë Erjon Alibej, edhe ky pjesë e këtij grupi.
Organizata kishte strukturë hierarkike, ku drejtuesit financonin dhe koordinonin operacionet, ndërsa bashkëpunëtorët siguronin transportin, logjistikën dhe shpërndarjen e drogës në vendet e destinacionit. Komunikimet kryheshin përmes platformës së koduar Sky ECC, ndërsa pagesat realizoheshin përmes sistemit informal Hawala për të shmangur gjurmët bankare.
Sipas hetimit, grupi kishte gjithashtu lidhje me persona të përfshirë në porte dhe struktura doganore në vende të ndryshme europiane, të cilat ndihmonin kalimin e ngarkesave të drogës.
Grupi kishte shtrirje në disa kontinente dhe numëronte të paktën 16 anëtarë të identifikuar.
© Panorama.al












