Shqipëria do të luajë ndaj Argjentinës së Lionel Mesit, në një miqësore që do të zhvillohet më 20 qershor në stadiumin Monumental të Buenos Airesit. Lajmi është konfirmuar nga trajneri i kombëtares së Argjentinës, Serxhio Batista. Duke folur për objektivat e skuadrës së tij në Kupën e Amerikës së Jugut, Batista ka zbuluar edhe programin e ndeshjeve miqësore. “Përveç Polonisë, me të cilën do të luajmë më 5 qershor, më 20 qershor do të ndeshemi me Shqipërinë në stadiumin e Buenos Airesit”, ka bërë të ditur Batista. Lajmi për një miqësore mes Argjentinës dhe Shqipërisë kishte kohë që qarkullonte dhe federatat kanë qenë në negociata të përhershme nëpërmjet kompanisë UFA Sports. Por, kombëtarja amerikano-jugore pati kërkuar në fillim që ndeshja të luhej në fillim të qershorit, gjë që nuk është pranuar nga trajneri Josip Kuzhe, për shkak se Shqipëria më 7 qershor luan takimin zyrtar kundër Bosnjës. Miqësorja me Argjentinën është pa dyshim më e madhja që kombëtarja shqiptare ka zhvilluar ndonjëherë. Në fushë do të jenë yje si Mesi, Tevez, Maskerano, Higuain apo Di Maria. Trajneri Batista ka bërë të ditur se pas ndeshjes do të vendosë edhe sku-adrën me të cilën do të luajë në Kupën e Amerikës së Jugut, që do të zhvillohet në korrik në Argjentinë.
Bakaj
Fantazisti i Kombëtares shqiptare, Elis Bakaj ka shënuar sërish në kampionatin rumun të futbollit, duke treguar formën mjaft të mirë që ai po kalon. Lojtari luajti si titullar dhe shënoi golin e parë për Dinamon e Bukureshtit në fitoren e kësaj të fundit ndaj 3-1 ndaj Viktoria Branesti. Bakaj shënoi që në minutën e 3-të të takimit, ndërsa miqtë barazuan përkohësisht me penallti në minutën e 58-të me Isak. Më pas Kone shënoi për Dinamon në minutën e 64-ët dhe Danciulesku vulosi rezultatin minutën e 81-të.











