Zyrtare/ Hasan Lika, trajneri i ri Teutës

May 24, 2011 | 11:03

Trajneri, Edi Martin, nuk do të jetë më në krye të Teutës. Në vend të tij është zyrtarizuar mbrëmë vonë, Hasan Lika. Lajmin në fjalë e ka konfirmuar presidenti i durrsakëve, Edmond Hasanbelliu, i cili mbështetet sërish tek i besuari i tij për disa sezone. Lika e nisi karrierën e teknikut me Partizanin në sezonin 1991-1992. Në momentet e para të marrjes së presidencës së klubit nga Hasanbelliu, Hasan Lika ulet në stolin e “djemve të detit”. Teuta e Durrësit arrin një sukses të ndjeshëm, teksa fiton Kupën e Shqipërisë në vitin 2000. Në atë sezon me Teutën luanin një brez i mrekullueshëm futbollistësh si Toshkollari, Zëre, Shkëmbi, Muça, Kodra, braziliani Xhovani Da Silva, Shehi, Babamusta, Bespalla, Matraku etj. Lika do të shfaqej pas këtij momenti në krye të Teutës edhe në vitin 2003-2004 dhe 2006-2007, por pa mundur të përsërisë kulminacione të tilla, si fitimi i Kupës së Shqipërisë. Presidenti, Edmond Hasanbelliu, pati paralajmëruar për ndryshime menjëherë sapo Teuta evitoi fazën e “play-out”-it, dhe se nuk kishte ndërmend të rrezikonte sërish edhe në sezonin e ri, çka bëri që skuadra të kalonte një ferr të vërtetë ngarkesash psikologjike. Pas ndeshjes me Laçin, i pari i futbollit durrsak la të kuptohej se ndryshimet do të fillonin që nga pankina, por pa mundur të përmendë emrin e trajnerit të ri. Ndryshime priten edhe në radhët e futbollistëve, ku pesë prej tyre nuk do të jenë më efektiv i Teutës.

© Panorama.al

Te lidhura