ZYRTARE/ FSHF rinovon kontratat me Silvinjon dhe stafin e tij! Por e ardhmja mbetet në dyshim

Jan 7, 2026 | 15:51

FSHF ka bërë të ditur se ka rinovuar kontratat me stafin e ekipit Kombëtar, më saktësisht me trajnerin Silvinjo dhe dy ndihmësit e tij, Dorival dhe Zabaleta. Por nuk bëhet fjalë për një rinovim afatgjatë, vetëm një që zgjat deri në korrikun e këtij vitit, siç parashikohej edhe klauzola në marrëveshjen mes palëve nëse ekipi do të kalonte grupin kualifikues të Botërorit 2026.

duka silvinjo zabaleta dorival

Klauzola në fjalë parashikon që Silvinjo dhe stafi i tij do të vazhdojnë punën deri në korrik 2026, me shpresën që të kalojë play-off dhe të shkojë në Botëror, e më pas do të merret vendimi nëse do të vazhdohet apo jo bashkëpunimi mes palëve për një tjetër edicion.

NJOFTIMI I FSHF:

Federata Shqiptare e Futbollit zyrtarizon rinovimin e kontratës me trajnerin e Kombëtares shqiptare, Sylvio Mendes Campos Júnior (Silvinjo), si edhe me dy zëvendëstrajnerët e tij, Pablo Zabaleta dhe Dorival Guidoni Junior, duke konfirmuar vazhdimësinë e projektit teknik që ka sjellë rezultate historike për futbollin shqiptar.

Kontrata e re me stafin teknik do të jetë e vlefshme deri në korrik 2026, me objektivin madhor kualifikimin për herë të parë në histori të Shqipërisë në fazën finale të Kupës së Botës.

Nën drejtimin e trajnerit Silvinjo, Kombëtarja shqiptare ka shënuar një progres të dukshëm në organizim, identitet loje dhe rezultate, duke siguruar për herë të parë pjesëmarrjen në fazën play-off të Botërorit 2026.

Në muajin mars, kuqezinjtë do të luajnë një kapitull historik, duke u përballur në gjysmëfinalen e play-off-it me Poloninë, më 26 mars, ndërsa në rast kualifikimi, në finalen vendimtare do të përballen me fituesin e çiftit Ukrainë – Suedi.

Vendimi për rinovimin e kontratës reflekton besimin e plotë të FSHF-së në stafin aktual, filozofinë e punës së ndërtuar ndër vite dhe angazhimin për stabilitet, vazhdimësi dhe ambicie të larta. Ky hap synon forcimin e mëtejshëm të Kombëtares, rritjen e konkurrencës dhe përfaqësimin sa më dinjitoz të futbollit shqiptar në arenën ndërkombëtare.

Federata Shqiptare e Futbollit mbetet e vendosur të mbështesë maksimalisht Kombëtaren dhe stafin teknik në këtë rrugëtim historik, me synimin për të kthyer ëndrrën e Botërorit në realitet për të gjithë shqiptarët./Panorama Sport/

© Panorama.al

Te lidhura