Mali i Bardhë është 4418 metra, por nuk është hiçgjë. Everesti, mali më i lartë në botë, është 8890 metra, por nuk është hiçgjë. Mali më i lartë në botë është piramida e frikshme e plehrave që menaxhohet nga kriminaliteti i organizuar. Ai është 15 887 metra, i vendosur në një sipërfaqe prej tre hektarësh. Qyteti im është sot kazani më i madh i plehrave në të gjithë Europën. Ka të rinj 16-vjeçarë që nuk e kanë parë kurrë Napolin e dikurshëm, Napolin e bukur pa stoqet e mëdha të plehrave”. Janë këto fjalët e shkrimtarit Roberto Saviano, i dënuar me vdekje nga Kamorra për të vërtetat e tmerrshme që ai ka shkruar dhe thënë me emra konkretë, për atë çfarë ndodh në vendlindjen e tij, në Napoli.
Kryeministri e mprehu shpatën edhe njëherë për situatën! Në daljen e fundit publike, Kryeministri Berisha shkatërroi dy grupe të reja puçiste. I pari ai i Aleancës Kundër Importimit të Plehrave dhe i dyti ai i Sali Shehut, kandidatit që Presidenti i Republikës i ka propozuar Parlamentit për drejtimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Sipas Kryeministrit, të dyja këto grupe drejtohen nga Edi Rama, që tashmë e ka Presidentin një vegël në duart e tij e mund ta përdorë kur dhe si t’i dojë qejfi. Meqenëse personalisht bëj pjesë në grupin e parë puçist (jo në atë të Sali Shehut), u ndjeva disi fajtor dhe e pashë me vend t’i shkruaj e të përpiqem ta sqaroj Kryeministrin tim, se ku i dihet! Aleanca Kundër Importimit të Plehrave, zoti Kryeministër, ju betohem, nuk ka asnjë lidhje me Edi Ramën dhe me Bamir Topin. Ka mundësi që rrugët tona janë bashkuar në një qëllim të përbashkët, në atë të frenimit të futjes në Shqipëri të malit të plehrave, por ju betohem, zoti Berisha, ne nuk kemi asnjë lidhje me ata. Në fund të fundit, ne nuk kemi punë me këta individë që s’po lënë gjë pa bërë për t’ju marrë pushtetin. Ne duam vetëm që Shqipëria të mos bëhet si Napoli, por në asnjë mënyrë që, larg qoftë, ju të mos jeni më Kryeministër. Dikush nga analistët tuaj na akuzoi në një shkrim se themi gomarllëqe! Rrjedhimisht, pak a shumë na quajti gomarë!!! Unë personalisht nuk ia marr për fyerje, aq më tepër që e kam mik dhe e di se ma thotë për të mirë. Anëtarët e tjerë të Aleancës mund të shprehen vetë për këtë problem. Analisti i Berishës mund të ketë të drejtë, pasi mendon se e ardhmja në Zhvillimin e Qëndrueshëm të këtij vendi duhet të jetë industria e riciklimit të plehrave, që me siguri do t’i sjellë (sipas tij gjithmonë) begatinë e munguar këtij vendi. Aq më tepër kur kreu i OSBE-së në Shqipëri, në një prononcim për shtyp, e quajti ligjin shumë demokratik!!! Dhe kur flasin të jashtmit (çuditërisht edhe për plehrat), një popull i tërë që rrezikon të kontaminohet, me sa duket duhet të mbyllë gojën! Pa dyshim, ata, të huajt, me siguri e dinë më mirë!!! Por ca keqkuptime na lindin, zoti Kryeministër. Prandaj, ndonëse ju, falë Zotit, keni gjithmonë të drejtë, kjo nuk na bën ne të Aleancës palë me armiqtë dhe puçistët. Këto keqkuptime po i shpreh me disa pyetje që më vraftë Zoti po i pata me qëllim të keq. Të gjitha pyetjet ndjekin logjikisht njëra-tjetrën dhe kanë shumë pak nevojë për koment nga ana ime, sepse e kanë përgjigjen brenda e janë të thjeshta dhe të kuptueshme për të gjithë. Pa dyshim, kanë nevojë për një përgjigje nga ju, që keni vënë një bast kaq të kushtueshëm për popullin tuaj dhe për të ardhmen e tij.
Dakord! Juve (si keni deklaruar), si gjithmonë në këto gjashtë vjet qeverisje, nuk do të lejoni asnjë lëndë të rrezikshme të futet në Shqipëri (e marrim për të vërtetë këtë), dhe çdo mbetje që do të kalojë kufirin do të jetë sipas të gjitha rregullave. Si do t’i kontrolloni stoqet e plehrave (ekodengjet) që do vërshojnë në Shqipëri, pasi ligji nuk parashikon volume të përcaktuara për transportin e mbetjeve dhe nuk e ndalon dot depozitimin? Dua t’i shtoj kësaj pyetjeje dhe një fakt, thjesht për të qartësuar publikun për pyetjen time. Përtej detit paguhet shumë nga qeveritë përkatëse për asgjësimin e mbetjeve. Fitimi nga ky asgjësim (transport jashtë vendit në këtë rast) është ku e ku më i madh sesa nga transporti me qëllim biznesin e riciklimit. Transportuesi normalisht paguhet për ngarkesat që dërgon nga një destinacion në një tjetër dhe atij nuk i intereson aspak fati i asaj që ka në anije apo makinë. Si t’ia bëjmë nëse Shqipëria jonë e përbashkët, zoti Berisha, në vend që të shndërrohet në një destinacion importi për industrinë ricikluese, të na kthehet në një destinacion depozitimi për mbetjet, që Italia (por jo vetëm) ka nevoje t’i largojë menjëherë? Po kur landfill-et tona (aktualisht i kemi jashtë çdo standardi dhe pa ligj) të mos kenë më vend, ku do t’i çojmë stoqet? Si t’i bindim fshatarët të mos i shesin tokat e tyre me çmime të leverdishme nga varfëria në të cilën jetojmë e që të interesuarit për të depozituar plehrat (s’po e quaj mafie se s’ma mban), kanë kaq shumë nevojë? Ne, o i madhi Kryeministër, e dimë që ti e ke ndershmërinë dhe forcën që lëndët e rrezikshme të mos guxojnë t’i afrohen kufirit shqiptar, por si t’ia bëjmë me ekodengjet e parrezikshme që mund ta kalojnë kufirin, edhe pse nuk plotësojnë standardet për riciklim? Me thënë të drejtën, unë vetë jam i bindur që ju i keni hesapet e ndara me Kamorrën apo mafien, por si t’ia bëjmë këtij Roberto Savianos që thotë se në Shqipëri mafia bën çfare t’i dojë qejfi!!!??? Apo Saviano, tani i dënuar me vdekje, është dhe të gjitha i thotë nga inati? Apo është puçist edhe shkrimtari italian?
Edhe nja dy pyetje të fundit, zoti Kryeministër. Kreu i OSBE-së, ç’punë kishte me këtë ligj? Ne jemi vend sovran dhe sipas Konventës së Bazelit, i takon popullit dhe vetëm popullit shqiptar të vendosë për importimin e plehrave! Edhe po nuk u pyet populli, na mjafton ndershmëria e provuar e fjalës suaj. Pse duhet të flasë përpara jush një zyrtar që nuk ka asnjë lidhje në misionin e tij me problemin e mbetjeve? Nuk besoj që ky problem i plehrave të jetë një kusht për Shqipërinë në procesin integrues!!!??? Po qe kështu, të na e thonë hapur që ky vend do të jetë koshi i plehrave për gjithë Europën dhe ne e mbyllim gojën. Se ky popull pa personalitet – thotë me vete Hirësia Juaj – bagëti është, ku ca janë dele të Perëndisë që përfaqësohen nga ju, e ca të tjerë gomarë që manipulohen nga Edi Rama!!! Por edhe gomarët gjynah, zoti Kryeministër! Edhe ata duan të jetojnë. Si përfundim, i nderuar zoti Berisha, na e fal ndonjëherë që nuk besojmë te ky shtet dhe te ju personalisht, që po na mbroni, që po na zhdukni korrupsionin, po na pastroni vendin, që po na pasuroni e po na sillni lumturinë, me një fjalë. Ndodh që nga padija t’ju keqkuptojmë!
I nderuar lexues! Këtë shkrim tragjikomik e fillova dhe po e mbaroj me citimin e shkrimtarit Roberto Saviano, i dënuar me vdekje nga Kamorra. Kini mendjen për të lexuar me vëmendje një citim të tij vetëm për ne shqiptarët. “Atje ku ka shumë hapësirë, ka shume biznes për mbeturinat. Dhe kështu, këshilla që do t’i jepja publikut shqiptar, është: Kujdes! Çdo minierë do t’ju shndërrohet në një vend-shkarkim mbeturinash, çdo fabrikë e braktisur do t’ju shndërrohet në një magazinë plehrash. Italia po sheh në hapësirën shqiptare (dhe jo vetëm Italia mafioze) një biznes për mbeturinat. Gjithmonë do t’ju thonë që kot shqetësoheni, është një hiçgjë. Nuk kemi ç’të hamë, është një hiçgjë; na mungojnë gjërat e domosdoshme, është një hiçgjë; na mohojnë të drejtën për jetën, është një hiçgjë; na heqin ajrin, është një hiçgjë. Gjithnjë është një hiçgjë… Shikoni si jemi bërë duke thënë gjithnjë kështu, një hiçgjë”.
© Panorama.al












