Zjarrvënie nga pakujdesia, hetohet i lirë 74 vjecari

Jul 23, 2011 | 17:32

GJIROKASTËR- Zjarrëvëniet nga pakujdesia, kanë sjellë procedimin e dytë penal në jug të vendit. Anastas Koti 74 vjec nga fshati Qestorat i Gjirokastrës, është bërë pa dashur zjarrëvënës duke shkatërruar dhjetra ha kullota. Ngjarja ka ndodhur në orët e vona të mbasdites së të premtes në Komunën e Lunxhërisë. Policia e Gjirokastrës sapo ka marrë informacionin nga terreni, ka shkuar në vendngjarje. Ai duke kontrolluar kosheret bletëve në dalje të fshatit në një përrua, ka harruar tymsen e tyre ndezur dhe është larguar në drejtim të shtëpisë. Pas rreth një ore tymsja ka marë flakë dhe për pasojë ka shkaktuar zjarr. Flakët e mëdha të zjarrit si pasojë e favorizimit të erës së fortë, janë përhapur me shpejtësi në drejtim të pyllit dhe të fshatit Qestorat. Ai ka njoftuar policine, por ndonese ka mbërritur automjeti zjarrëfikës, nuk ka mundur dot të operojë në vendin ku kishte rënë zjarri për arsye se mungonte rruga automobilistike dhe për këtë arsye punonjësit zjarrfikës të ndihmuar edhe nga forcat e policisë dhe disa banorë të fshatit, arritën pas tre orëve luftë me flakët, t’i shuanin ato me mjete rrethanore vetëm njërin drejtim të zjarrit që kërcënonte banesat në lagjen e sipërme të fshatit. Drejtimi tjetër i zjarrit ka përfshirë kullotën e fshatit dhe ende vazhdon duke bërë që të digjen deri më sot, rreth 30 ha kullotë. Grupi hetimor ka kryer veprimet e para hetimore duke shoqëruar në polici 74 vjecarin zjarrëvënës Anastas Koti për veprime të mëtejshme. Ky i fundit akuzohet në gjendje të lirë për veprën penale të shkatërrimit nga pakujdesia me zjarr të pyjeve dhe mjedisit pyjor.                                                   Piro Nase

© Panorama.al

Te lidhura