Ish-luftëtari i UÇK-së, Meçan Zotaj, denoncoi nga podiumi i protestës ditën e sotme para mijëra qytetarëve shqiptarë, se qeveria kishte nisur represionet, shantazhet, kërcënimet dhe arrestimet ndaj protestuesve dhe familjarëve të tyre.
Ai solli në vëmendje rastin e tij, ku pas fjalimit të djeshëm në protestë, Policia i arrestoi të vëllanë, vetëm pse e kishte krahasuar kryeministrin Edi Rama me Çausheskun.
“Qeveria kriminale e Ramës dhe skllevërit e tij kanë nisur presionet ndaj protestuesve. Ata, kjo qeveri, kanë shkuar të arrestojnë vëllanë tim në Roskovec, e kanë arrestuar, te shtëpia ime, vetëm pse unë dje e krahasova me Çausheskun”, tha ai.
Më tej Zotaj shpjegoi se problemin Rama s’e kishte personal, por institucional për shkak të skandaleve qeveritare dhe sjelljes arrogante të regjimit, teksa u shpreh se nuk do dorëzoheshin deri në sakrificë.
“Nuk e ka problemin personalisht me mua, e ka institucional si një person që bën pazare. Kërcënimet që bën qeveria nëpërmjet patronazhistëve dhe skllevërve të saj na bën ne edhe më të fortë. Jemi të gatshëm të sakrifikojmë deri në fund, për t’i dhënë fund fashizmit të kësaj qeverie, që morën sjelljen e popullit për dobësi. Populli ngre fjalën e zërin, ata shkojnë dhe kërcënojnë. Nëse ata prekin familjet tona, ne do i tregojmë se e bëjmë me të rinjtë. Revolta nuk vjen nga ne, por nisi për shkak të tyre, agresionit të tyre”, vijoi ish-luftëtari nga Fieri.
Në fund ai apeloi që edhe ndërkombëtarët të reagonin ndaj kësaj qeverie.
“I bëjmë thirrje edhe institucioneve ndërkombëtare që t’i bëjnë presion kësaj qeverie. Kjo mizori ka shkelur Shqipërinë për 35 vjet, Rama në burg, Berisha në burg, të gjithë kriminelët në burg. Forcën e popullit nuk e kanë ndalur as gjithë perandoritë e botës, nuk do e ndalojë as ky”, u shpreh Zotaj.
Fjala e Zotajt për kërcënimin:
“Kanë shkuar sot në mëngjes kanë bërë presion te shtëpia ime. Përgjigjen do ta ketë tek populli, Ai e ka problemin si një person me përgjegjësi shtetërore që bën pazare për Atdheun sikur ta kishte çifligun e vet. Por ne na bën më të fortë. Personalisht i kam shijuar plagët e lirisë. Jemi të gatshëm të sakrifikohemi deri në fund, për t’i dhënë fund fashizmit të këtyre institucione që urtësinë e këtij populli e morën për dobësi. Unë e di adresën nga vjen,. Nëse qeveritarët duan ta bëjnë duke prekur familjet tona, u tregojmë se ne e kthejmë me kanun. Revolta nisi për shkakun e tyre, për shkakun e agresionit të tyre”.
© Panorama.al














