Gazetari Klevin Muka, ka lexuar e para mijëra protestuesve të mbledhur para kryeministrisë një mesazh të ndjesë dhe të fortë nga shkrimtari dhe publicisti Kim Mehmeti.
Nga Maqedonia e Veriut, Kim Mehmeti shprehu mbështetjen e tij për të rinjtë dhe qytetarët e dalë në shesh, duke thënë se ata po bëjnë atë që, sipas tij, nuk arriti ta bëjë brezi i mëparshëm.
Mehmeti u shpreh se protestuesit po mbrojnë Shqipërinë nga ajo që e quajti “aleanca e qelbësirave” dhe po përpiqen t’ia kthejnë vendin qytetarëve.
“Unë i përulem zërit tuaj, i cili është ilaçi më i mirë dhe i vetmi për ruajtjen e krenarisë dhe shpresës mbarëshqiptare. Ju jeni duke bërë atë që nuk ia dolëm dot ta bëjmë ne, patriotët e debateve televizive, ta mbroni Shqipërinë nga aleanca e qelbësirave dhe ta ktheni atë te pronarët e saj, shqiptarët. Por nëse e do nevoja, zërit tuaj do t’i vij pas edhe duke u zvarritur”, thuhej në mesazhin e tij.
Në vijim, publicisti u bëri thirrje qytetarëve të mos tërhiqen nga protesta. “Mos u dorëzoni. Zëri juaj është ajo klithmë e munguar shqiptare. Zëri juaj ia kthen dinjitetin shqiptarisë”, thuhej më tej në mesazh, ndërsa e mbylli me fjalën: “Ju jeni heronjtë e mi dhe unë përjetë do të mbetem shërbëtori juaj i përulur.”
Kim Mehmeti mesazh nga Maqedonia e Veriut:
Mos lejoni që maskarenjtë t’ju tregojnë se kush jeni. Shumë të rinj më kanë bërë thirrje t’ju bashkëngjitem në protestën e tyre në Tiranë, por mosha dhe problemet shëndetësore ma pamundësojnë këtë. Unë i përulem zërit tuaj, i cili është ilaçi më i mirë dhe i vetmi për ruajtjen e krenarisë dhe shpresës mbarëshqiptare.
Ju jeni duke bërë atë që nuk ia dolëm dot ta bëjmë ne, patriotët e debateve televizive, ta mbroni Shqipërinë nga aleanca e qelbësirave dhe ta ktheni atë te pronarët e saj, shqiptarët. Por nëse e do nevoja, zërit tuaj do t’i vij pas edhe duke u zvarritur.
Sidoqoftë, mos u dorëzoni, sepse nëse ju qenkeni kundër zhvillimit të Shqipërisë, atëherë mos vallë mëmëdheun do ta zhvillojnë ata që për tri dekada me radhë e plaçkitën dhe e kriminalizuan atë? Apo mediat që i sponsorizon krimi, ku debatuesit e të gjitha ngjyrave u jargaviten pushtetarëve dhe oligarkëve.
Nëse ju qenkeni zëri i interesave të huaja, atëherë mos vallë zëri i shqiptarisë është ai i atyre që bërtasin nëpër studio televizive vetëm që të mos dëgjohen klithmat e popullit? Ai i burrë shtetasve tanë, që nuk guxojnë kolegëve të vet grekë apo serbë t’ua përmendin Çamërinë dhe Luginën e Preshevës?
Zëri juaj është ajo klithmë e munguar shqiptare. Zëri juaj ia kthen dinjitetin shqiptarisë, sepse ai ndërthen në vetvete thirrjen e shqiptarëve kudo që ndodhen. Dhe mos harroni, Shqipëria më shumë ju takon juve sesa neve që nuk arritëm ta mbronim nga hajdutët dhe zhvatësit. Siç nuk duhet të harroni se shqiptaria kurrë nuk ka pasur kaq shumë maskarenj që duan këtij populli t’ia ngatërrojnë heronjtë me tradhtarët.
Andaj, ju keni të drejtë të na gjykoni neve që ua harxhuam të ardhmen, dhe ne nuk kemi të drejtë t’ju gjykojmë juve që Shqipërisë i ktheni krenarinë dhe dinjitetin.
Ju jeni heronjtë e mi dhe unë përjetë do të mbetem shërbëtori juaj i përulur.
Kim Mehmeti.
© Panorama.al











