Zjarri në mobilieri, 500 mijë USD dëm nga motori

Jul 16, 2012 | 13:36
Zjarri i rënë te mobileria në rrugën “5 Maji”

Një shkëndijë elektrike dyshohet se ka qenë shkak i zjarrit që shkrumboi punishten e drurit në rrugën “5 Maji” në Tiranë, duke dëmtuar edhe tri banesa aty pranë mbrëmjen e së shtunës. Sipas këqyrjes paraprake të kryer ditën e djeshme dyshohet se vatra e flakëve ka qenë një shkëndijë elektrike nga një elektromotor që ndodhej në pjesën perëndimore të punishtes. Ndërkohë, sipas vlerësimeve paraprake, rreth 500 mijë dollarë llogaritet të jenë dëmet materiale. Punishtja e djegur ishte një aktivitet 15-vjeçar i pronarit, që shërbente për prodhimin e mobilieve. Nga vlerësimi paraprak i kryer ka dalë se në mobilieri ka pasur edhe mungesë të masave kundër zjarrit. Ekspertë të zjarrfikësve dhe punonjësit e Policisë së Komisariatit Nr. 4, pas punës që kryen dy ditë më parë deri në shuarjen e zjarrit, dje deri në mesditë vijuan hetimet për sqarimin e plotë të shkaqeve të zjarrit të fuqishëm që rrezikoi edhe banesat përreth. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së shtunës, kur flakët e përmasave të mëdha ranë në punishten e drurit në rrugën “5 Maji”. Veç shërbimeve zjarrfikëse të Tiranës, u mobilizuan në operacion edhe shërbimet zjarrfikëse të Fushë-Krujës, Durrësit, Ushtrinë, forcat RENEA dhe shërbimet e Policisë së Rendit. Flakët arritën një lartësi mbi 10 metra, ndërsa lënda e parë, si ajo drusore dhe lëndët kimike që përdoreshin në punishte, e vështirësonin së tepërmi shuarjen e flakëve. Edhe gjatë mesditës së të dielës vatrat e zjarrit vazhdonin të ishin të aktivizuara nga brenda, por pa paraqitur rrezik. Fatmirësisht situata e rëndë e zjarrit nuk shkaktoi viktima në njerëz, ndërsa personi që mbeti i asfiksuar dy ditë më parë nga tymi, në përpjekje për të ndihmuar policinë e zjarrfikësit, mësohet se mëngjesin e djeshëm ka dalë nga spitali dhe shëndeti i tij është stabilizuar. Burime nga Policia dhe zjarrfikësit thanë dje se raporti përfundimtar i hetimeve ende nuk ka dalë. Por, paraprakisht është përcaktuar si shkak i ngjarjes një shkëndijë elektrike në një elektromotor, i cili nga amortizimi nuk ka funksionuar siç duhet. Mësohet se vatra e zjarrit është gjetur pikërisht në pjesën e punishtes ku ndodhej elektromotori. Por, Policia po verifikon edhe rregullat e sigurimit teknik, nëse kanë qenë apo jo në kushte optimale, si dhe ka konstatuar se punishtja nuk ka pasur masa mbrojtëse kundër zjarrit.

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura