Shirat e rënë ditët e fundit kanë shkaktuar probleme të rënda në akset rrugore, ku disa prej tyre janë bërë edhe të pakalueshme, siç është aksi Qukës-Qafë Plloçë, i cili është inauguruar pak muaj më parë.

Ky aks që ka kushtuar 260 milionë euro, brenda një harku të shkurtër kohor ka pësuar shumë dëmtime. Më e fundit dy ditë më parë, ku kanë rrëshqitur dherat duke e bërë rrugën të pakalueshme.
Madje dherat dhe gurët e rënë zunë poshtë edhe një makinë, e cila ishte duke kaluar.

Por për ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku rrugët janë funksionale, madje sipas saj problem kanë pasur vetëm disa akse rurale, që ajo tha se mirëmbahen nga bashkitë.
Ndërsa për një tjetër rrugë, siç është ajo nga Gjirokastra në Tepelenë, ku ka pasur rënie ineretesh, Balluku u justifikua duke thënë se është një aks i ndërtuar vite më parë.
“Akset rrugore janë të gjitha funksionale, i referohem akseve kombëtare. Jemi në dijeni që ka pasur problematika në akset rurale që mirëmbahen nga bashkitë. Ka pasur një angazhim për të ndihmuar edhe bashkitë nga ARRSH dhe kontraktorët.
Ka pasur inerte që kanë zbritur nga skarpatet e maleve edhe rrugët që janë të konsoliduara prej vitesh siç është aksi nga Gjirokastra në Tepelenë në Shkallën e Zezë”, tha Balluku në mbledhjen e Komitetit të Emergjencave.

Ndërsa thotë se janë zjarret e shumta ato që e kanë bërë sfiduese situatën me mirëmbajtjen e rrugëve: “Fakti që kemi patur shumë zjarre dhe ka mungesë bimësie në zonën e jugut e ka bërë sfiduese situatën për mirëmbajtjen e rrugëve, megjithatë i gjithë territori është i aksesueshëm”.
© Panorama.al











