Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar sërish për zhvlerësimin historik të euros, duke e lidhur forcimin e pazakontë të lekut me hyrjen masive të parave të pista nga krimi i organizuar në ekonominë shqiptare.
Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku u shpreh se rënia e euros me pothuajse një të tretën e vlerës nuk mund të shpjegohet më vetëm me turizmin, investimet e huaja apo të ardhurat e emigrantëve.
Sipas saj, qeveria nuk mund ta mohojë më fenomenin dhe tashmë po përpiqet vetëm ta justifikojë atë.
“Zhvlerësimi i euros me pothuajse një të tretën e vlerës dhe fakti që sot euro ka kapur minimumin historik që prej prezantimit të saj në ekonominë shqiptare, është një fakt që nuk e mohon dot askush, as qeveria”, deklaroi Tabaku.
Deputetja demokrate iu referua hetimeve të fundit të SPAK-ut, duke theksuar se vetëm në një prej operacioneve të zhvilluara gjatë javëve të fundit janë sekuestruar 491 pasuri, të dyshuara se janë krijuar përmes pastrimit të parave të krimit të organizuar.
Ajo nënvizoi se ndërtimi, turizmi dhe lojërat e fatit janë identifikuar prej vitesh si sektorë me rrezik të lartë për pastrimin e parave, ndërsa sot, sipas saj, ky shqetësim po mbështetet edhe nga provat e hetimeve penale.
Tabaku solli në vëmendje se aktiviteti kriminal nën hetim për periudhën 2019–2021 lidhet me shuma që arrijnë deri në 2 miliardë euro në vit, para që, sipas saj, kanë depërtuar në ekonominë shqiptare dhe kanë deformuar konkurrencën, kursin e këmbimit dhe tregun e pasurive të paluajtshme.
“Nuk ka asnjë model ekonomik, asnjë shpjegim që lidhet me investimet e huaja, remitancat apo turizmin, që të justifikojë këtë zhvlerësim të euros”, u shpreh ajo.
Sipas Tabakut, bizneset që prodhojnë, punësojnë dhe eksportojnë nuk mund të konkurrojnë me kapitale që nuk kërkojnë fitim ekonomik, por përdoren për t’u pastruar dhe futur në qarkullim.
Ajo përmendi veçanërisht industrinë fason, e cila siguron të ardhura në euro, por i paguan kostot dhe pagat në lekë, duke humbur një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave për shkak të kursit të këmbimit.
“Si mundet një fason që prodhon dhe i dërgon produktet jashtë të konkurrojë me pastrimin e parave, kur të ardhurat nga produktet e tij janë zhvlerësuar me pothuajse 30 për qind?”, pyeti Tabaku.
Deputetja e PD-së ngriti gjithashtu shqetësimin për pamundësinë e shtresës së mesme për të përballuar çmimet e apartamenteve, të cilat në zona të caktuara arrijnë në 350 mijë apo 400 mijë euro, ndërkohë që pagat mujore mbeten në nivelin e 800–900 eurove.
Sipas saj, pastrimi i parave nuk është një fenomen që prek vetëm statistikat makroekonomike, por një mekanizëm që varfëron shumicën e qytetarëve dhe godet drejtpërdrejt tryezën familjare, kursimet, biznesin dhe fuqinë blerëse.
“Mbi 90 për qind e popullsisë shqiptare vuan pasojat e pastrimit të parave: në tryezën e bukës, në xhep, në shpenzimet e përditshme, në biznes dhe në çmimet e rritura”, deklaroi Tabaku.
Ajo e cilësoi situatën si një “këmbanë alarmi” për ekonominë shqiptare, duke theksuar se zhvlerësimi i euros nuk është dëshmi e një ekonomie më të fortë, por pasojë e një sistemi të deformuar nga informaliteti, korrupsioni dhe kapitalet kriminale.
“Ky është dëmi më i madh që po i bëhet ekonomisë shqiptare. Ky është kriminalizimi i ekonomisë”, përfundoi Tabaku.
Reagimi :
Zhvlerësimi i euros me pothuajse një të tretën e vlerës dhe fakti që sot euro ka kapur minimumin historik, që prej prezantimit të kësaj monedhe në ekonominë shqiptare, është një realitet që nuk mund ta mohojë më askush, as qeveria.
Sot, qeveria është vetëm në fazën kur po përpiqet ta justifikojë këtë fenomen.
Por çfarë ka ndodhur realisht me ekonominë shqiptare? Si shpjegohen këto shifra?
Vetëm në një prej aksioneve të SPAK-ut gjatë javëve të fundit janë sekuestruar 491 pasuri, të dyshuara se janë krijuar përmes pastrimit të parave nga krimi i organizuar.
Sektori i ndërtimit, sektori i turizmit dhe sektori i lojërave të fatit kanë vite që etiketohen si sektorë me rrezik të lartë për pastrimin e parave. Tashmë këtë e kemi edhe të mbështetur nga dëshmitë dhe hetimet.
Dhe të mos harrojmë se i gjithë aktiviteti kriminal që po hetohet i referohet vetëm periudhës 2019–2021.
Bëhet fjalë për rreth 2 miliardë euro në vit që kanë hyrë në ekonomi, duke krijuar një peshë jashtëzakonisht të madhe të ekonomisë informale.
Nuk ka asnjë model ekonomik dhe asnjë justifikim që mund ta shpjegojë këtë zhvlerësim të euros.
As investimet e huaja, as të ardhurat nga emigrantët dhe as turizmi nuk e shpjegojnë atë.
Nuk ka absolutisht asnjë biznes të ndershëm që mund të konkurrojë me këto para të pista.
Si mundet një fason, që prodhon dhe i eksporton produktet jashtë vendit, të konkurrojë me pastrimin e parave, kur të ardhurat nga produktet e tij janë zhvlerësuar me pothuajse 30 për qind?
Si mundet një qytetar i shtresës së mesme, apo një i punësuar në administratë me pagë 800–900 euro në muaj, të konkurrojë në një treg ku apartamentet shiten me 350 mijë apo 400 mijë euro?
Ky është dëmi më i madh që po i bëhet ekonomisë shqiptare, përtej propagandës.
Kjo është këmbana e alarmit për ekonominë shqiptare sot, sepse mbi 90 për qind e popullsisë vuan pasojat e pastrimit të parave.
I vuan në tryezën e bukës, në xhep, në shpenzimet e përditshme, në biznes dhe në çmimet e rritura.
Ky është kriminalizimi i ekonomisë.
© Panorama.al












