Zhvillimi rural dhe “Shoqëria e Madhe”

Sep 17, 2011 | 11:26

SOTIRAQ HRONI

Në disa shkrime të fundit, çështje të veçanta të mirëqeverisjes i kam përcjellë përmes një modeli qeverisës të së ardhmes që britanikët e quajnë “Shoqëri e Madhe”, ndërsa përgjithësisht për aq sa kjo është shtrirë në Itali, njihet me termin “Qeverisje përmes shoqërisë civile”, ndërsa në BE, filozofia e saj gjithmonë e më tepër po gjen mëshirim në politikat komunitare. Shkurt, lexuesi, me “shoqëri të madhe” duhet të kuptojë një filozofi qeverisëse ku decentralizimi i pushtetit kalon përtej qeverisë vendore, deri te qytetari e komunitetet vendore, ku mobilizimi, organizimi dhe fuqizimi komunitar mbetet në themel të miradministrimit të jetës publike, ku transparenca është tipar i qeverisjes, ku nxiten, mbështeten dhe financohen sipërmarrjet të përbashkëta komunitare me karakter ekonomik, punësimi e ofrim shërbimesh sociale me kosto me të ulëta se ato publike; me një fjalë, që kërkojnë potencimin e iniciativës së lirë përmes konsolidimit të kapitalit social. Apo më shkurt, “qeveri e vogël-shoqëri e madhe”.
Në 20 vitet e demokracisë shqiptare ka ndodhur një transformim infrastrukturor e demografik i paprecedent. Po ajo ku ende nuk është investuar fare, apo është bërë shumë pak nga donatorët e huaj, është vizionimi i së ardhmes në zonat rurale përmes forcimit të kapitalit social dhe mbështetjes të iniciativës në interesin më të mirë publik komunitar.
Po sjell dy-tre shembuj jo shumë të rëndësishëm, por mbështesin idenë e shkrimit. Para një muajit u ktheva pas gati 30 vitesh për të vizituar fshatin Picar, ku edhe fillova karrierën si mësues. Në kafenenë e qendrës së fshatit, krahas të tjerave, pyeta disa të rinj mbi atë çka më zinte syri në qendër të fshatit. Shtëpia e Kulturës (e abandonuar, ishte investimi më i madh në atë zonë) për mirëmbajtjen e së cilës ndonjë banor i fshatit kishte mbyllur derën e saj me disa dërrasa për të mos hyrë gomarët dhe bagëtitë. Pyetjes sime për këtë gjendje, bashkëbiseduesi iu përgjigj se ende godina është në pronësi të shtetit dhe se ajo është aq e madhe sa askujt s’i hyn në punë.
Ndërsa në fshatin Pepel, ata banorë që kishin mbetur, kryesisht pleq, kishin investuar për të ringritur vatrën e kulturës, me qëllim kryesor që ajo t’i shërbente gjithë fshatit për festa, dasma, vaki apo mbledhje. Aty bëhej edhe festa e përvitshme e fshatit. Po kështu, shumica e rrugëve në këtë fshat malor janë shtruar me beton nga kontributet e banorëve.
Në Dajç të Shkodrës, në mënyrë më simbolike ekzistojnë eksperienca shumë domethënëse mbi investimet e kapitalit social (njerëzve të atij fshati, në raportet e tyre të bashkëpunimit mes vetë dhe atyre në emigracion), për të përmirësuar cilësinë e jetës aty. Investimet dhe ndryshimet janë aq befasuese, sa mirëfilli mund të përbëjnë një rast studimor për gjithë vendin.
I solla këto kontraste për të treguar edhe një diferencë. Se megjithëse në Picar kishte investime të mëdha në biznese të rëndësishme të banorëve të fshatit, në Pepel apo Dajç nuk bëhej fjalë për këto potenciale,  por ndryshimi ndoshta qëndron në faktorë të tjerë socialë, ndoshta çështje kulturore, ndoshta nën ndikimin e aktorëve të tjerë, por ajo që mbetet është se ndryshimet pozitive janë produkt vetëm i raporteve të bashkëpunimit, bashkëpërgjegjësisë e bashkëkontributeve brenda komunitetit, dhe jo të priturit nga lart.
Por shteti dhe qeveria kanë një rol për të luajtur duke nxitur dhe mbështetur iniciativa nga poshtë të shoqërisë, në mënyrë të veçantë në zonat rurale që përfshijnë shumë me shumë se gjysmën e popullsisë së vendit dhe ku problemet sociale janë edhe më të rënda. Aq më imperative bëhet kjo kur nevoja dhe ritmet e zhvillimit të vendit, në mënyrë të veçantë politikat e zhvillimit rural kërkojnë krijimin dhe funksionimin e LAG-eve (Local Action Group) si modeli i vetëm i standardizuar i BE-së, përmes së cilave bëhen financimet e BE-së për zhvillimin rural, pasi vendi të ketë marrë statusin e vendit kandidat. LAG-u në vetvete është një tri-partitet midis shoqërisë civile, bizneseve dhe qeverisë vendore në një zonë të caktuar, me kusht që në vendimmarrjen e LAG-ut, sektori publik, pra qeverisja vendore, të jetë në minorancë (me përfaqësim në 50%). Për të mos u zgjatur më tej në teknikalitetet e LAG-ut, duhet më thënë se sfida kryesore mbetet në rolin më se aktiv e përcaktues që duhet të ketë shoqëria civile e sektori privat prodhues në përgjithësi në formësimin dhe menaxhimin e një LAG-u. Elementi kryesor i suksesit mbetet besimi i banorëve të të gjithë territorit ku shtrihet një LAG në këtë sipërmarrje të përbashkët partneriteti. (Në bazë të parametrave të BE-së, LAG duhet të ketë një popullsi me minimum 10 mijë banorë e maksimum 100 000.) Dhe besimi midis njerëzve dhe investimi i tyre për zhvillimin e LAG përmes partneriteteve publik-privat, është, mbi të gjitha, çështje e kapitalit social dhe potencimit me besim të aktorëve se rruga më e shpejtë e zhvillimit është përmes marrjes së iniciativës nga poshtë dhe qëndrimit aktiv të komuniteteve vendore apo grupeve të interesit. Rol parësor në këtë luan shoqëria civile në zonat rurale.
Forcimi i kapitalit social (aq sa mund të jetë) në zonat rurale deri sot ka ndodhur ose për shkak të donatorëve të ndryshëm apo agjencive që janë investuar në këto zona për aq kohë sa kanë pasur një projekt, ose në mënyrë rastësore, që nuk varen nga qeveria.
Çështja është se qeveria duhet të investohet ose duke pilotuar në zona të ndryshme, ose dhe në rang vendi për vlerësimin e rolit të kapitalit social dhe ngritjen e kapaciteteve të tij. Dhe për këtë, gjëja e parë që duhet të bëjë, është të zbatojë ligjin aktual të qeverisjes vendore, për përzgjedhjen sa më cilësore, me vlera civile, të kryetarit të fshatit apo edhe kryesisë së tij. Bëhet fjalë për rreth 4 mijë persona që ligji kërkon të luajnë rolin e të parit të fshatit. Nëse zgjidhen siç e kërkon ligji, ata janë as më pak e as më shumë, organizuesit e komunitetit, njerëzit më me influencë, të cilëve u dëgjohet fjala për të shërbyer në interesin më të gjerë publik. Dhe kjo nuk është fare e vështirë.
Para tri javësh, në fshatin Pepel, për kryetar fshati vunë kandidaturat 4 persona, ku në mbledhjen e hapur të fshatit banorët dhanë pëlqimin për riemërimin e atij që ishte. Pse? Sepse kishte shërbyer mirë, ishte aktiv për të mobilizuar resurset e brendshme të fshatit për punë në interes të banorëve dhe kishte mirëbesimin e shumicës, paçka se rrotacioni pas zgjedhjeve të 8 majit ia dha mandatin e kryetarit të komunës Partisë Demokratike.
Është interesant fakti tjetër se në dijeninë time më të mirë, jo vetëm qeveria, por asnjë donator i huaj nuk ka investuar në ngritjen e kapaciteteve të kryetarëve të fshatrave, si motori i eficiencës së qeverisjes me pjesëmarrje në zonat rurale. Arsyet për këtë mund të jenë të ndryshme, por po përmend dy: ose për shkak të vlerësimit të përgjithshëm se kryetarët e fshatrave janë vënë si kompensim politik për individë e kjo nuk ka lidhje me autoritetin publik në komunitet, ose sepse për shkak të klientelizmit në emërimin e tyre.
Le të kthehemi pak te përvoja britanike e vitit të fundit. Qeveria përzgjodhi 5 mijë persona, u investua për t’i trajnuar që ata të jenë mobilizues të komuniteteve në zona të ndryshme të vendit për të qenë aktiv dhe marrë përgjegjësi në përmirësimin e cilësisë së jetës në komunitet.
Në mënyrën më pragmatiste të mundshme, qeveria jonë, për të përafruar kohën në përfitim të fondeve të BE-së për zhvillimin rural, duhet të investohet për ngritjen e kapaciteteve të kapitalit social në zonat rurale, për të krijuar dhe funksionuar LAG-et si më lart shpjeguar. Dhe kjo është sa e lehtë, aq edhe e vështirë. Mjafton që qeveria qendrore apo vendore të sensibilizojë dhe mbështesë praktika funksionuese në përzgjedhjen e kryesisë së fshatrave, pra të zbatojë kërkesat e ligjit dhe të investohet, apo të kërkojë nga donatorët në ngritjen e kapaciteteve të tyre. Pra, kostoja financiare në këtë rast mund të jetë edhe “zero”. Shembujt mbi vatrat e kulturës së Picar dhe Pepel janë një tregues se çfarë mund të bëjë një komunitet i (pa)organizuar dhe i (pa)orientuar. Duke përmendur këta shembuj këtu, ka edhe një problematikë tjetër që lidhet me “shoqërinë e madhe”. Kthimi i aseteve vendore në përdorimin dhe shërbim të komuniteteve vendore. Shtëpia e Kulturës së Picarit është ende, siç më informuan, në pronësi të Ministrisë së Kulturës(!?).
Ky shkrim nuk synon të përvijojë problematikën e zhvillimit rural të vendit, sepse nuk prek çështje të drejtpërdrejta të infrastrukturës, produkteve, të resurseve të ndryshme natyrore, ato mjedisore, ujore, të trashëgimisë kulturore e të tjera. Por vetëm të sensibilizojë si qeverinë qendrore, ashtu edhe njësitë e qeverisjes vendore, për të krijuar një mjedis sa më mbështetës dhe inkurajues për ndërtimin e kapitalit social si motor për përmirësimin e cilësisë së jetës dhe integrimin rural të vendit në Bashkimin Europian.

© Panorama.al

Te lidhura