Zhurmat mjedisore, do të krijohet harta me pikat problematike

May 18, 2011 | 9:39

Shqipëria brenda këtij 5-vjeçari duhet të përfundojë hartën strategjike të zhurmave mjedisore. Sipas një udhëzimi të përbashkët të ministrit të Transpotit dhe atij të Mjedisit, Fatmir Mediu, jepen edhe detajet dhe përkufizimet se cilat do të quhen zona të zhurmshme dhe do të vendosen në hartën strategjike. Këto zona lidhen me vende që kanë dendësi të lartë banorësh, ku zhurma është e paevitueshme si dhe me akse rrugorë që kanë qarkullim të lartë mjetesh. Gjithashtu, përfshihen edhe hekurudhat dhe aeroportet. “Brenda 5 viteve nga data e miratimit të këtij udhëzimi, duhet të jenë përgatitur hartat strategjike të zhurmës, duke paraqitur situatën në vitin e kaluar kalendarik dhe, kur është e  nevojshme, të jenë miratuar nga autoritetet kompetente, për të gjitha bashkësitë e popullsisë me më shumë se 250 mijë banorë dhe për të gjitha rrugët e mëdha, të cilat kanë më shumë se gjashtë milionë automjete në vit; hekurudhat e mëdha, të cilat kanë kalime të më shumë se 60 000 trenave në vit dhe  aeroportet e mëdha në territorin e tyre”, thuhet në udhëzim. Ndërkaq, zhurmat e tjera përjashtohen nga ky udhëzim. Kjo nismë vjen në kuadër të përafrimit të legjislacionit tonë me atë të BE-së, si një detyrim që Shqipëria ka ndaj përmbushjes së standardeve. Në fakt, synimi i udhëzimit nuk është vetëm evidentimi i zonave që kanë zhurmë mjedisore të lartë, por edhe marrja e masave për të zvogëluar impaktet negative të kësaj zhurme. Për secilin prej mjediseve, nga ana e ekspertëve janë hartuar edhe formulat dhe janë vendosur kufijtë e zhurmës maksimale. Lidhur me tejkalimet nga ana e ministrive është rënë dakord që të zhvillohen plane veprimi. “Duhen përpiluar plane veprimi, veçanërisht për të adresuar prioritetet që mund të identifikohen nga tejkalimi i çdo vlere kufitare përkatëse ose në bazë të kritereve të tjera të parashikuara nga legjislacioni në fuqi, për bashkësitë e popullsisë dhe për rrugët dhe hekurudhat kryesore”, thuhet në shkrim.

© Panorama.al

Te lidhura