Ka udhëtuar drejt Brazilit me shpresë se do të fitojë ndonjë çmim të rëndësishëm në spektaklin e bukurisë me përmasa botërore, “Miss Universe”. Shqiptarja e famshme nga Mali i Zi kishte zgjedhur këtë vit të konkurrojë në “Miss Universe Kosova”, për shkak se vitin e kaluar kishte plane të tjera dhe koha shumë e limituar nuk ia kishte mundësuar një gjë të tillë. Këtë vit konkurroi dhe u zgjodh si më e bukura e Kosovës, duke përfaqësuar vendin në “Miss Universe”, të mbajtur në Brazil. Edhe pse u përfol shumë se Afërdita kishte konkurruar me këshillë të Fadil Berishës si fotograf zyrtar i eventit, dhe natyrisht shpresat ishin të mëdha, meqë Berisha ishte anëtar jurie, përsëri Afërdita Dreshaj nuk i përmbushi dot pritshmëritë tona. Ajo u rendit në vendin e 16-të nga të gjitha vajzat e pranishme në spektakël. Mediat e bënë punën e tyre, por Afërdita këtë radhë nuk pati sukses. Ishte bukuroshja e Venezuelës që deklaroi e para, se nga të gjitha konkurrentet të cilat i kishte parë, frikën ia kishte asaj të Kosovës, pra Afërdita Dreshajt. Më vonë dolën dhe disa sondazhe nga gazeta gjermane dhe serbe, që rendisnin Afërditën në vendin e parë si pretendentja kryesore për të fituar çmimin e madh. Kjo gjë nuk ndodhi. “Miss Universe” këtë vit u shpall bukuroshja me ngjyrë nga Angola, 25-vjeçarja Leila Lopez, e cila pas vetes ka edhe disa çmime të fituara, si “Miss Angola” në Angli, ku edhe banon, si dhe “Miss Angola” në Angola. Zgjedhja e saj ka qenë shumë surprizë për publikun, për vetë faktin se është vajzë me ngjyrë, duke lënë pas shumë bukuroshe latino-amerikane, të cilat gjithmonë kanë zënë vendin e parë. Afërdita është kthyer nga ky event e dëshpruar, për faktin se arriti të renditet e 16-ta në listën e gjatë të bukurosheve, ndërsa përfaqësuesja e Shqipërisë, Xhesika Berberi, nuk arriti të kalojë as atë prag. Afërdita me vete kishte edhe të fejuarin e saj, këngëtarin Shpat Kasapi, i cili kishte lënë angazhimet e tij muzikore për të përkrahur të fejuarën në San Paolo të Brazilit.











