
Një punëtor i ACR-së ka humbur çdo kontakt me familjarët e tij prej tri javësh. Lajmi është bërë i ditur dje nga Policia e qarkut Dibër, e cila bëri me dije se Roland Dauti, 26 vjeç, lindur e banues në fshatin Vajkal të Bulqizës, rezulton i zhdukur.Në denoncimin e tyre, të afërmit e Dautit kanë dhënë detaje të ditës së fundit të takimit me të, si dhe kanë apeluar për ndihmë nga policia për ta gjetur të riun. Prindërit e Rolandit janë shprehur se ai ka mbërritur në shtëpi me datë 20 gusht të këtij viti. “Ishte ora 16:00 e asaj dite. Rolandi erdhi në shtëpi pasi kishte përfunduar protesta e minatorëve. Është përshëndetur me ne. E lutëm të drekonte, por nuk pranoi. U ngrit nga divani dhe pa folur fare la mbi tavolinë portofolin dhe celularin që mbante me vete. Duke dalë nga shtëpia na tha mirupafshim”, kanë qenë deklarimet e familjarëve të Roland Dautit dje në Komisariatin e Policisë Bulqizë. Menjëherë pas denoncimit është urdhëruar ngritja e një grupi hetimor për zbardhjen e kësaj ngjarjeje. “I riu ka humbur çdo lidhje me familjen e tij prej 21 ditësh dhe ata kujtohen për të na vënë në dijeni tani. Na duket absurde ky veprim i të afërmve. Disa prej tyre thanë se ai kohët e fundit kishte paraqitur shenja depresioni, por jo në atë shkallë sa të zhdukej prej kaq ditësh”, thanë efektivë të policisë që janë vënë në kërkim të 26-vjeçarit. Lajmi ka shokuar edhe minatorët e Bulqizës. Ata thanë se Dauti ka marrë pjesë në protestat e zhvilluara nga minatorët. “Rolandi ka punuar si mirëmbajtës i shinave në minierë. Ne e njohim si djalë punëtor dhe të zotin. Për herë të fundit e kemi parë më 20 gusht. Atë ditë minatorët janë përleshur me forcat e ndërhyrjes së shpejtë dhe policinë e qarkut të Dibrës. Rolandi nuk ka qenë pjesë e turmës që është përleshur para portës së ACR-së. Ai dhe disa shokë të tij qëndronin në muret mbi portën kryesore”, treguan për “Panoramën” minatorë të Bulqizës. Po sipas minatorëve që kanë punuar me Dautin, në galeri ai nuk ka paraqitur probleme mendore. Pra, nuk mendohet që ai të jetë goditur nga policia ditën që humbi çdo kontakt me familjarët e tij. Aktualisht policia lokale nuk ka ngritur asnjë pistë në lidhje me zhdukjen e 26-vjeçarit, por të afërm të tij, banorë të fshatit dhe policia janë vënë në kërkim të Roland Dautit. Prindërit dhe të afërmit e djalit të pamartuar janë interesuar prej ditësh te njerëzit e tyre dhe nuk kanë siguruar asnjë të dhënë rreth fatit të tij.
Te henen greve
Minatorët e Bulqizës janë betuar për ta çuar deri në fund protestën e tyre. Drejtues të këshillit sindikal thanë se e hëna do të sjellë zhvillime të tjera, më të vrullshme dhe me pjesëmarrje më të madhe. Kryetari i këtij këshilli, Dilaver Përkoxha, u ka thënë dje në mëngjes minatorëve të grumbulluar para zyrave të ACR-së në Bulqizë se duhet të jenë më të përgatitur për një tubim të madh dhe ndoshta për të nisur një tjetër grevë urie. “Fëmijët e minatorëve nuk do të ulen në bankat e shkollës sepse nuk kanë pasur mundësi t’i blejnë librat, por do të jenë bashkë me ne në protestë”, theksoi Dilaver Përkoxha.
BULQIZE/ HASAN PASHA
© Panorama.al











