Zgjidhet udhëheqësi i ri suprem i Iranit, pritet të bëhet shpallja zyrtare

Mar 8, 2026 | 12:17

Mediat shtetërore në Iran raportojnë se është zgjedhur udhëheqësi i ri suprem i vendit dhe se njoftimi zyrtar pritet të bëhet së shpejti.

mojtaba khamenei

Zgjedhja e pasardhësit vjen pasi udhëheqësi suprem Ali Khamenei u vra në sulmet e ndërmarra nga SHBA dhe Izraeli në ditën e parë të luftës, të shtunën e kaluar.

Pas vdekjes së tij u krijua një këshill i përkohshëm drejtues me tre persona për të administruar vendin. Këshilli përbëhej nga:

Masoud Pezeshkian, presidenti reformist i Iranit

Gholamhossein Mohseni Ejei, kreu i sistemit gjyqësor

Alireza Arafi, jurist dhe drejtues i forcës paraushtarake Basij

Udhëheqësi suprem zgjidhet nga Asambleja e Ekspertëve, një organ i përbërë nga 88 dijetarë islamikë të përzgjedhur për besnikërinë e tyre ndaj regjimit.

Sipas klerikut të lartë Ahmad Alamolhoda, udhëheqësi i ri tashmë është përzgjedhur dhe Asambleja e Ekspertëve pritet të bëjë shpalljen zyrtare së shpejti.

Më herët, një tjetër anëtar i asamblesë, Mohsen Heidari Alekasir, kishte deklaruar se kandidati ishte përzgjedhur duke ndjekur këshillën e udhëheqësit të ndjerë, sipas së cilës pasardhësi duhet të jetë dikush që “urrehet nga armiku” dhe jo dikush që lavdërohet prej tij.

Ai shtoi se edhe “Satani i Madh”, një term që përdoret shpesh në Iran për SHBA, e ka përmendur tashmë emrin e pasardhësit të zgjedhur.

Deklarata vjen disa ditë pasi presidenti amerikan Donald Trump u shpreh se djali i Ali Khameneit, Mojtaba Khamenei, konsiderohej një nga kandidatët më të mundshëm për ta pasuar. Trump e cilësoi atë si një zgjedhje “të papranueshme” dhe paralajmëroi se do ta kundërshtonte një lëvizje të tillë.

Mojtaba Khamenei, 56 vjeç, njihet për lidhjet e tij të ngushta me Gardën Revolucionare të Iranit prej vitesh është përmendur si një nga kandidatët kryesorë për të pasuar të atin në krye të Iranit.

© Panorama.al

Te lidhura