Zgjedhjet, Topi-Stounstrit: Zbatim ligjit dhe Kodit

May 20, 2011 | 12:13

TIRANE- Kreu i Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-it, Xhonatan Stounstrit ka deklaruar sot se  ruajtja e qetësisë dhe zbatimi me rigorozitet i ligjeve në fuqi e Kodit Zgjedhor në veçanti, mbetet me rëndësi për të sotmen dhe të ardhmen demokratike të Shqipërisë. Ne takimin e zhvilluar me kreun e shtetit, Bamir Topi ai ka theksuar se “institucioni i administrimit të zgjedhjeve duhet të ketë në themel të punës së tij vetëm respektimin e ligjit”.

Presidenti, duke u ndalur në situatën paszgjedhore në vend, ritheksoi edhe në këtë takim se “partitë politike duhet të respektojnë institucionet e pavarura, pasi shteti i së drejtës, shteti demokratik forcohet nëpërmjet konsolidimit të institucioneve të pavarura, të cilat zbatojnë në çdo hap vetëm ligjin dhe Kushtetutën”.

Gjithashtu Presidenti Topi vuri në dukje se edhe OSBE/ODHIR-i, në prag të nxjerrjes së raportit të ndërmjetëm për zgjedhjet vendore të 8 majit, duhet të vazhdojë të japë kontributin dhe ndihmesën e saj të vyer në zgjidhjen ligjore e institucionale të situatës si dhe në përmirësimin e Kodit Zgjedhor aktual.

Kryetari i Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-it, Xhonatan Stounstrit  vlerësoi rolin e rëndësishëm konstruktiv e moderator të Presidentit Topi, në të gjithë këtë proces, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunimin e mëtejshëm në funksion të arritjes së standardeve demokratike perëndimore nga ana e Shqipërisë përsa u përket zgjedhjeve të lira, të drejta e të ndershme.

© Panorama.al

Te lidhura