
Mbyllja e procesit të numërimit të votave për kryetarin e Bashkisë dhe procesi që po vazhdon për krerët e njësive dhe anëtarët e këshillave janë bërë shkak për kalimin e policisë së Tiranës në gjendje gatishmërie numër një.Forcat speciale dhe efektivat e policisë së Tiranës nga e shtuna kanë nisur shërbime të përforcuara në rrugë, pas disa informacioneve të siguruara në rrugë operative, se në zona të kryeqytetit ka grumbullime personash të armatosur. Drejtues të lartë të policisë mblodhën dje vartësit e tyre, duke dhënë direktivat dhe duke prezantuar masat speciale që duhen marrë për të parandaluar çdo incident të mundshëm. Informacionet që marrin oficerët e policisë duket se kanë pasur një fluks dy ditë më parë, pas mbylljes së numërimit për kryebashkiakun e ri të Tiranës, në shkollën “Vasil Shanto”, për Njësinë Nr.5. Në disa zona të kryeqytetit, Policia u informua për të shtëna armësh, madje disa krisma u konstatuan edhe pranë shkollës “Vasil Shanto”, ku përfundoi procesi maratonë i numërimit. Burime nga policia thanë se masat speciale nga gjendja e gatishmërisë së policisë nisën që prej mbrëmjes të së shtunës, në kryqëzimet kryesore të kryeqytetit. Nëpër rrugët e Tiranës qarkulluan edhe automjetet e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe RENEA-s. Sipas informacioneve të siguruara në rrugë operative, dyshohet se një grup personash në Sauk të Tiranës janë të pajisur me armë zjarri, madje dyshohet se kanë në përdorim edhe një snajper. Informacion i ngjashëm ka ardhur edhe për disa persona në Shkozë dhe në afërsi të Freskut.
TE SHTENAT
Pas mbylljes së numërimit në Njësinë Nr.5 në Tiranë pati një situatë konfuzioni për rezultatet përfundimtare lidhur me fituesin për Bashkinë. Simpatizantët e PS dhe të PD nisën festimet në rrugët e kryeqytetit, ku nuk munguan edhe incidentet e vogla. Policia dhe agjentët në terren morën informacione se veç fishekzjarrëve, u dëgjuan edhe të shtëna armësh, pranë shkollës “Vasil Shanto” dhe në dy zona të tjera në periferi të Tiranës, në Shkozë dhe në Kamzë. Personat që kanë qëlluar me armë ende nuk janë identifikuar nga policia. Për këtë arsye, policia e Tiranës ka vlerësuar maksimalisht çdo informacion dhe ka kaluar në gjendje gatishmërie. Në Drejtorinë e Policisë janë zhvilluar tri mbledhje, ku janë diskutuar masat që duhen marrë për të shmangur dhe parandaluar çdo ngjarje, duke kërkuar ndihmën edhe të Policisë Rrugore dhe forcave speciale. Në të gjitha kryqëzimet e Tiranës, ato brenda unazës por edhe jashtë saj, janë vendosur patrulla policie, minimalisht me 5 punonjës, ku janë në gatishmëri policë rrugorë, oficerë kriminalist dhe të forcave speciale. Të njëjtat masa do të merren sot dhe në ditët në vazhdim, deri në shpalljen e rezultatit zyrtar për fituesin e Bashkisë së Tiranës, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
3 të ndryshme në kryeqytet janë identifikuar nga policia si “problematike” në drejtim të rendit dhe sigurisë. Fare pranë shkollës “Vasil Shanto” ku bëhej numërimi, por edhe në Sauk e në Kamzë dyshohet se ka pasur persona me armë
2 efektivash të policisë kanë hyrë në shërbim në patrullimet e ndryshme në Tiranë, që prej mbrëmjes të së shtunës. Veç efektivave të rendit të policisë së Tiranës, postblloqet janë ngritur edhe me pjesëmarrjen e forcave speciale
ETLEVA DELIA
© Panorama.al











