Zgjedhjet lokale, rivotim në 10 komuna më 31 korrik

Jul 23, 2011 | 11:06

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpall 31 korrikun ditën kur do të përsëriten zgjedhjet në 10 njësitë vendore në të gjithë vendin. Në mbledhjen e mbrëmshme, gjashtë anëtarët e pranishëm në KQZ pranuan projektvendimin
e paraqitur nga administrata për ribërjen e zgjedhjeve në këto
komuna. Votimi 6-0 për një vendim të KQZ-së vjen pas gati dy muajsh që anëtarët e opozitës nuk kanë pranuar asnjë nga projektet e paraqitura nga
maxhoranca. Në mbledhjen e djeshme mungonin edhe përfaqësuesit e Partisë Socialiste, të cilët nuk kanë ardhur më në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që pasi Kolegji Zgjedhor la në fuqi vendimin për shpalljen e Lulzim Bashës
fitues të zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës.
VENDIMI I KOLEGJIT
Mesditën e djeshme Kolegji Zgjedhor pranoi padinë e bërë nga koalicioni “Aleanca për qytetarin” për të shpallur të pavlefshme zgjedhjet në tre
komuna ku nuk ishte votuar në 8 maj. Çështja shkoi deri në Kolegjin Zgjedhor, sepse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk arriti të sigurojë pesë votat
e mjaftueshme për të shpallur të pavlefshme zgjedhjet në këto zona. Sipas përfaqësuesve të majtë në KQZ, kjo e fundit duhet të hartonte një tabelë ku
rezultati të ishte zero dhe pastaj të shpallej pavlefshmëria. Por, ky propozim nuk u pranua nga shumica, e cila e cilësoi si të qëllimshëm bllokimin e procesit nga ana e anëtarëve të majtë të KQZ-së. Mesditën e djeshme, Kolegji, pasi dëgjoi koalicionin e djathtë dhe KQZnë, pranoi ankimin duke i
hapur rrugë zhvillimit të zgjedhjeve në komunat Pishaj, Shllak dhe Mollas.
VENDIMI I KQZ

Në mbledhjen e orës 18:00, KQZ-ja kishte përgatitur listën e plotë me 10 njësitë vendore ku do të votohet më 31 korrik. “Në përfundim të proceseve
ankimore të ankimeve në rrugë administrative të vendimeve të KZQV-ve në KQZ dhe të ankimeve në rrugë gjyqësore të vendimeve të KQZ-së në Kolegjin
Zgjedhor, janë shpallur të pavlefshme zgjedhjet në njësitë vendore Zall Dardhë, Papër, Shalë, Armen, Kolsh, Finiq, Qendër- Skrapar për kryetarin e komunës. Neni 161, pika 6 përcakton se zgjedhjet e shpallura të pavlefshme
për të cilat KQZ-ja apo sipas rastit Kolegji ka vendosur përsëritjen, përsëriten në një ditë të vetme për të gjitha njësitë zgjedhore. Në përfundim të
procedurave ankimore rezulton se është vendosur përsëritja e zgjedhjeve në 10 njësi zgjedhore dhe koha e mjaftueshme për realizimin e zgjedhjeve në
këto njësi është brenda datës 31.07.2011”, thuhet në relacionin e vendimit që miratoi dje Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
RIBËRJA E ZGJEDHJEVE
Në 10 komunat ku do të rivotohet, ka pasur problematika të ndryshme, që nga pamundësia për të zhvilluar zgjedhjet e deri tek problemet në proces, të cilat detyruan KQZ-në dhe Kolegjin Zgjedhor të kthejë rezultatin dhe të vendosë që procesi të fillojë nga fillimi. Kështu, në komunën Shllak nuk u arrit të zhvillohet procesi, ndërsa në dy komuna të tjera, në Papër dhe Pishaj,
pati gabim në printimin e fletëve të votimit, ku kandidati i PD-së ishte vendosur si kandidat i “Aleanca për të ardhmen” dhe anasjelltas. Në këto
kushte, KQZ vendosi ndërprerjen e procesit të votimit dhe bërjen e një procesi nga fillimi. Në komunën Mollas do të ketë votim vetëm për këshilltarët e komunës, pasi nuk u votua dot për këtë kuti, ndonëse tashmë
atje ka një kryetar të ri komune. Më pas, gjatë procesit të shqyrtimit të mbi 120 ankesave nga subjektet politike në KQZ për procesin, u vu re që pati
probleme në pesë komuna të tjera, ku tashmë është vendosur për përsëritje zgjedhjesh. Në komunën Zall-Dardhë KQZ i shpalli zgjedhjet e pavlefshme,
sepse nuk ishte votuar në një qendër votimi, e cila ndikonte në rezultat. Në katër komuna të tjera ka pasur vendim përfundimtar nga Kolegji Zgjedhor.

Komunat ku do te rivotohet

Komuna Shllak (Qarku Shkodër)
Nuk u votua sepse nuk u paraqitën komisionerët e majtë.
Zgjedhjet do të bëhen për kryetarin e komunës dhe
këshillin e komunës
Gjin Ndoji (PS)
Kandidati i PR
Komuna Pishaj (Qarku Elbasan)
Nuk u votua sepse kandidati i PD në fletën e votimit ishte
me siglën “Aleanca për të ardhmen” dhe anasjelltas.
Zgjedhjet do të bëhen për kryetarin e komunës dhe
këshillin e komunës
Estref Çekrezi (PD- LSI)
Klodian Taçe (PS)
Komuna Mollas (Qarku Korçë)
Nuk u votua për këshillin e komunës sepse kishin shkuar
gabimisht fletët e votimit të një komune tjetër. Zgjedhjet
do të bëhen vetëm për këshillin e komunës.
Komuna Shalë (Qarku Shkodër)
Kolegji Zgjedhor vendosi pavlefshmërinë e zgjedhjeve në
këtë komunë, për shkak të parregullsive gjatë ditës së
votimit. Zgjedhjet do të bëhen vetëm për kryetarin e
komunës.
Balë Vuksani (PS)
Dedë Tonaj (PD)
Komuna Kolsh (Qarku Lezhë)
Kolegji Zgjedhor vendosi pavlefshmërinë e zgjedhjeve në
këtë komunë, për shkak se në tabelën përfundimtare dilnin
8 vota me shume se votues, ndërkohë që diferenca mes dy
kandidatëve ishte 5 vota. Zgjedhjet do të bëhen vetëm për
kryetarin e komunës.
Ferdinand Ndoji (PS)
Jak Pjetri (PD)
Komuna Armen (Qarku Vlorë)
Kolegji Zgjedhor vendosi pavlefshmërinë e zgjedhjeve në
këtë komunë, për shkak se kishte fletë votimi më shumë se
votues. Zgjedhjet do të bëhen vetëm për kryetarin e
komunës.
Albert Hoxhaj (PS)
Kliton Haxhiraj (PD)
Komuna Finiq (Qarku Vlorë)
Kolegji Zgjedhor vendosi pavlefshmërinë e zgjedhjeve në
këtë komunë, për shkak se 60% e votuesve nuk e kanë
shënuar numrin e kartës se identiteti. Zgjedhjet do të
bëhen vetëm për kryetarin e komunës.
Ziso Lluci (MEGA)
Sokrat Spiro (PBDNJ)
Komuna Qendër Skrapar (Qarku Berat)
Kolegji Zgjedhor vendosi pavlefshmërinë e zgjedhjeve në
këtë komunë, për shkak një kuti e një qendre votimi kishte
shkuar në KZAZ pa kodet e sigurisë dhe ajo ndikonte në
rezultatin përfundimtar. Zgjedhjet do të bëhen vetëm për
kryetarin e komunës.
Astrit Mustafaj (PS)
Gazmir Hysaj (PD- LSI)
Komuna Zall Dardhë (Qarku Dibër)
KQZ shpalli zgjedhjet e pavlefshme, sepse nuk ishte votuar
në një qendër votimi që ndikonte në rezultat. Zgjedhjet do
të bëhen vetëm për kryetarin e komunës.
Artan Murati (PS)
Niazi Cani (PD)
Komuna Papër (Qarku Elbasan)
KQZ shpalli zgjedhjet e pavlefshme, sepse kandidati i PD në
fletën e votimit ishte me siglën “Aleanca për të ardhmen”
dhe anasjelltas. Zgjedhjet do të bëhen vetëm për kryetarin
e komunës.
Gani Cani (PD)
Shefqet Bullari (PS)

© Panorama.al

Te lidhura