Zgjedhjet, 65 ankesa nga partitë në KQZ

May 25, 2011 | 10:55

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të shqyrtojë edhe 65 kërkesa ankimore përpara se të nxjerrë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 8 majit.Nga numri i përgjithshëm i ankesave, 28 janë vetëm të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, përkatësisht me 17 dhe 11 kërkesa ankimore. Socialistët, përveç pavlefshmërisë në disa qendra votimi në komuna, kanë kontestuar edhe rezultatin e dy bashkive të mëdha të fituara nga demokratët. Konkretisht, PS ka kërkuar shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve në Bashkinë e Lezhës, ku fitoi kandidati i koalicionit të djathtë Viktor Tushaj përballë Gjokë Jakut të opozitës. “Në këtë zonë zgjedhore në listën e zgjedhësve vetëm në muajin e fundit janë shtuar 225 zgjedhës, të cilët kanë votuar për zgjedhjet vendore të datës 8 maj 2011. Këta zgjedhës nuk banojnë në këtë Njësi zgjedhore dhe si të tillë në bazë të ligjit nuk kanë të drejtë të jenë në listën e kësaj Njësie. Gjithashtu, në lista figurojnë të regjistruar edhe 663 zgjedhës të dubluar. Në dy raste janë kapur fletë votimi të nxjerra jashtë qendrës së votimit, të cilat kanë qarkulluar gjatë gjithë ditës dhe kanë cenuar procesin zgjedhor”, thuhet në kërkesën ankimore të PS-së. Për këto shkaqe, socialistët kërkojnë pavlefshmëri të zgjedhjeve për kryetar të Bashkisë së Lezhës si dhe ripërsëritjen e zgjedhjeve në këtë zonë zgjedhore. Gjithashtu, socialistët kanë ankimuar edhe rezultatin që shpall fitues kandidatin e PD-së Roland Keta në Bulqizë. “Gjatë procesit të numërimit në KZAZ Nr. 7 me shumicë të koalicionit, ‘Aleanca për Qytetarin’ në kundërshtim me parashikimet e neneve 116, 117 dhe 118 të Kodit Zgjedhor, ka udhëzuar GNV-në që i ka quajtur të vlefshme fletët e votimit, qartësisht të pavlefshme. Kërkojmë rinumërimin dhe rivlerësimin e votave të pavlefshme të kandidatëve për kryetar të Bashkisë Bulqizë dhe ndryshimin e rezultatit”, thuhet në kërkesën ankimore të PS-së për këtë Bashki. Nga ana tjetër, Partia Demokratike, 11 kërkesat e saj ankimore i ka paraqitur për disa komuna, ku në një pjesë të të cilave ajo ka humbur kur ka rikandiduar kryetarët aktualë. Lëvizja Socialiste për Integrim do të përballet me anëtarët e KQZ-së për tre kërkesa ankimore, ku dy janë në qarkun e Beratit dhe një në qarkun e Fierit. Sipas Kodit Zgjedhor, në përfundim të vendimit të dhënë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, partitë kanë pesë ditë kohë për t’iu drejtuar Kolegjit Zgjedhor, i cili është edhe hallka e fundit përpara se të shpallet rezultati përfundimtar i zgjedhjeve.

Hapen kutitë edhe në Mallakastër

KQZ pranoi dje një kërkesë të PS-së për të hapur kutinë e votimit në një qendër në komunën Selitë të rrethit Mallakastër. “Gjatë numërimit të votave u vunë re shkelje flagrante. U hoqën dritat për 15 minuta dhe u krijuan kushte për manipulim në dy kutitë që ishin duke u numëruar. Disa ditë më vonë është gjetur një fletë votimi jashtë kutisë që po e paraqesim si provë”, u shpreh avokati i PS-së për këtë çështje. Propozimi për hapjen e një qendre votimi u pranua me gjashtë vota pro.

Kutia e Rrëshenit hapet të dielën

Sipas kalendarit të hartuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, të dielën, më 29 maj, është parashikuar të hapet kutia e votimit për Këshillin Bashkiak të Bashkisë Rrëshen. KQZ-ja u vu në lëvizje dhe mori këtë vendim pas një kërkese ankimore të paraqitur nga Partia Demokracia Sociale, e cila pretendoi se në një qendër votimi ku votonin tre kandidatë të saj për këshilltarë, kishte dalë me zero vota.

Olli: Deri tani 159 ankesa

“Deri më tash, në KQZ janë paraqitur 100 kërkesa ankimore, duke e çuar në total 159 numrin e tyre. Puna e institucionit është fokusuar në trajtimin e plotë të çështjeve, por edhe në një kohë sa më të shpejtë, në mënyrë që të lehtësojë sadopak ecurinë e procesit të përfundimit të kërkesave ankimore edhe në Kolegjin Zgjedhor, e më pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve vendore të 8 majit 2011”, u shpreh zëdhënësi i KQZ-së, Leonard Olli.

Kërkesat që do të shqyrtohen në KQZ

PS    Shpallje e pavlefshme një QV në komunën Komsi, Dibër
PBDNJ    Shpallje e pavlefshme një QV në komunën Finiq, Vlorë
PS    Kundërshtimi i vendimit për rezultatin e zgjedhjeve për
kryetarin e Bashkisë Vau i Dejës, Shkodër
PBK    Shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në 1 QV komuna
Lunxhëri, Gjirokastër
LSI    Kundërshtimi i vendimit për rezultatin për zgjedhjet në
komunën Poshnje, Berat
PAD    Kundërshtimi i vendimit për komunën Gostimë, Cërrik
PAD    Kundërshtimi për komunën Velabisht, Ura  Vajgurore
PAD    Kundërshtimi i vendimit për Bashkinë Lushnjë
PDS    Shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në dy QV të këshillit
bashkiak për Bashkinë Rrëshen
LZHK    Shpalljen e pavlefshme në 2 QV komuna Shushicë, Vlorë
PS    Numërimi dhe vlerësimi i votave në një QV për Komunën
Gur i Zi, Shkodër
LSI    Kundërshtimi i vendimit për miratimin e tabelës
përmbledhëse për kryetar në komunën Kutë, Fier
LSI    Shpalljen e pavlefshme në një QV në Komunën Qendër, Berat
PD    Shpalljen e pavlefshme në një QV për kryetar të komunës
Gruemirë, Shkodër
G99    Shpalljen e pavlefshme në një QV në komunën Gradisht,  Fier
PD    Shpalljen e pavlefshme në një QV në komunën Llugaj, Kukës
PS    Shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në disa QV në
komunën Maqellarë, Dibër
PD    Shpalljen e pavlefshme në 2 QV në komunën Otllak, Berat
PD    Kundërshtimi i vendimit për tabelën përmbledhëse për
kryetar të komunës Fratar, Fier
PBD    Shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në një QV në
Bashkinë Belsh, Elbasan
PDIU    Shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në një QV për kryetar         të komunës Golem, Tiranë
LZHK    Shpalljen e pavlefshme në dy QV në komunën Shosh, Shkodër
LZHK    Shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në një QV në         komunën Zhepë, Berat
LZHK    Shpalljen e pavlefshme në 3 QV komuna Lis, Dibër
LZHK    Kundërshtimi i vendimit për miratimin e tabelës             përmbledhëse për kryetar në komunën Brataj, Vlorë
PD    Kundërshtimi i vendimit për disa QV, komuna Zall Rec, Dibër
PS    Shpalljen e pavlefshme në disa qendra, rivlerësim dhe         rinumërim në komunën Karbunarë, Fier
PSD    Kundërshtimi i vendimit për tabelën komuna Lis, Dibër
PBDNJ    Rinumërim dhe rivlerësim votash në Bashkinë Gjirokastër
LZHK    Kundërshtimi i vendimit për tabelën Bashkia Gjirokastër
PD    Kundërshtimi i rezultatit, rinumërim dhe rivlerësim për         Komunën Fshat Memaliaj, Gjirokastër
PD    Kundërshtimi i vendimit për tabelën përmbledhëse komuna         Gjoricë, Dibër
PDIU    Kundërshtimi i vendimit për tabelën përmbledhëse Komuna         Otllak, Berat
PDIU    Kundërshtimi i vendimit për tabelën përmbledhëse komuna         Funarë, Elbasan
PS    Rinumërim dhe rivlerësim në një QV në komunën Selitë, Fier
PS    Shpalljen e pavlefshmërisë në disa QV komuna Armen, Vlorë
PS    Shpalljen e pavlefshmërisë në disa QV komuna Qendër Vlorë
AAK    Kërkesë për pavlefshmëri në disa qendra, këshilli bashkiak,         Bashkia Lezhë
PS    Kundërshtimi i vendimit për tabelën përmbledhëse komuna         Zharrëz, Fier
PS    Kërkesë për pavlefshmëri në disa QV komuna Bërxullë, Tiranë
PS    Kundërshtimi i vendimit për tabelën përmbledhëse Bashkia         Përrenjas
PD    Shpalljen e pavlefshmërisë në një QV komuna Velipojë,         Shkodër
PDIU    Shpalljen e pavlefshmërisë në disa QV, qarku Durrës
PDIU    Kundërshtimi i vendimit për tabelën përmbledhëse këshilli i         komunës Labinot-Fushë, Elbasan
PD    Kundërshtimi i vendimit për tabelën përmbledhëse komuna         Sllovë, Dibër
PS    Kundërshtimi i vendimit për tabelën përmbledhëse në         komunën Kolsh, Lezhë
PD    Kundërshtimi i vendimit për tabelën përmbledhëse komuna         Zall Dardhë, Dibër
PAP    Shpalljen e pavlefshmërisë në disa QV për këshillin bashkiak         Belsh, Elbasan
LDK    Pavlefshmëri e procesit të numërimit të votave për këshilltarë         në Kukës, Përmet, Elbasan, Berat dhe KZAZ 36, 60, 27, 21.
PS    Shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve për kryetar Bashkie         në Bashkinë Lezhë
PS    Shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve për kryetar komune         në Dajç, Lezhë
PD    Shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në një QV komuna         Proptisht, Korçë
PS    Kundërshtimi i tabelës përmbledhëse për kryetarin e Bashkisë         Bulqizë
AD    Kundërshtimi i vendimit për tabelën përmbledhëse për         komunën Gostimë, Elbasan
AD    Kundërshtimi i vendimit për tabelën përmbledhëse për         kandidatët për këshilltarë komuna Velabisht, Berat
PS    Shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve për kryetar në         komunën Papër, Elbasan
PS    Kundërshtimi i vendimit për këshillin e komunës Dajç, Lezhë
PAD    Kundërshtimi i vendimit për tabelën përmbledhëse për         këshillin e komunës Vllahinë, Vlorë
PR    Kundërshtimi i vendimit për këshillin e Bashkisë Tepelenë
PAD    Kundërshtimi i vendimit për tabelën e këshillit të komunës         Farkë
PDK    Kundërshtimi i vendimit për tabelën e këshillit të Bashkisë         Durrës
LZHK    Kundërshtimi i vendimit për tabelën e komunës Bytyç, Kukës

 

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura