Të gjithë gazetarët e televizioneve më të mëdha do të jenë të shpërndarë nëpër rrethe për të marrë kush e kush lajmin i pari. Në studion qendrore, nga Tirana, do të jenë ato që do të drejtojnë këto lidhje, e jo vetëm. Të ftuar politikë, analistë, gazetarë do të shoqërojnë përgjatë gjithë ditës së sotme këto transmetime maratonë. Ne jemi lidhur paraprakisht për të mësuar se kush do të jenë shoqërueset e kësaj dite…
Së paku shpresojmë që dielli të jetë në formën e tij më të mirë, sepse përndryshe, po ndenjëm gjatë gjithë ditës përpara ekranit, nuk mund t’i shpëtojmë tundimit për të lëvizur me radhë të gjitha stacionet televizive. Sa te njëri, sa te tjetri, kush e kush po i qëndron më pranë ngjarjeve në të gjithë Shqipërinë. Po ç’është e vërteta, nga të gjitha bisedat që bëmë me moderatoret e televizioneve më të mëdha, kuptuam që shtrirja dhe angazhimi do të jetë maksimal nga të gjithë. Thuajse gjithë gazetarët e televizioneve do të jenë të shpërndarë në të gjitha qarqet e vendit, për të qenë secili aty ku është lajmi. Edhe pse, këtë vit, ajo çka është më e rëndësishmja, fillimi i numërimit dhe rezultati i këtyre zgjedhjeve lokale, nuk do të jetë i menjëhershëm. Sipas pohimeve të KQZ-së, me rezultatin mund të njihemi vetëm pas një muaji (përjashtuar hamendësimet, a gojët e mira e të liga). Falë këtij vendimi, dita parashikohet të jetë më e lehtë. Transmetimet direkte do të nisin thuajse paralelisht që në orët e para të mëngjesit, për të pritur kështu, shoqëruar me kamera votuesit e parë e mandej, siç është e zakonshme për pjesën e parë të ditës edhe liderët e partive të mëdha. Në studiot e televizioneve, do të jetë gjithnjë një moderator për të komentuar gjithë veprimtarinë e ditës, nëse do të jetë e nevojshme, edhe gjatë natës. Pavarësisht se kjo natë, ndryshe nga zgjedhjet e mëparshme, nuk do t’i mbajë të mbërthyer njerëzit përpara ekranit, për t’u njohur me rezultatin përfundimtar. Ndryshe nga dikur që sakrifikonin edhe gjumin, për të mësuar se kush ishte në avantazh. Këtë herë, merreni ditën me qetësi, shkoni votoni, mandej shkëputuni për pak orë për të shijuar të dielën tuaj të pushimit larg votave e partive dhe kur të ktheheni në shtëpi, me telekomandën në dorë, bëni një shëtitje nga të gjitha kanalet. Ne po ju përmbledhim paraprakisht se çfarë ka për të ndodhur në këtë ditë të gjatë në ekran. Janë kryesisht emrat dhe figurat që jemi mësuar të shohim në ditë të rëndësishme e intensive për politikën. Tek e fundit, po ato që edhe në ditë të zakonshme, kanë edicionet qendrore të lajmeve.
Rudina Xhunga, Top Channel: Pas javës sportive me rafting, e freskët për sot

Rudina Xhunga, drejtuesja e emisionit “Shqip” në Top Channel, e cila drejton prej 14 vitesh një emision politik, të orës 21.00 dhe ka kaluar disa zgjedhje lokale e parlamentare, këtë herë e ka marrë me shumë sportivitet.
Të hënën e shkuar drejtoi një debat të rrallë, jo vetëm për këtë fushatë, por për gjithë historinë e debateve në vend, për shkak të dy bombave që u paralajmëruan përgjatë 1 orë e 30 minuta, transmetimi.
Mandej gjithë javën e kaloi duke bërë rafting në Kanionet e Osumit. Për t’u bërë gati për gjithë ç’do të ngjasë sot, ose sepse mendon që asgjë nuk do ngjasë sot.
Përgjatë gjithë ditës ajo do të jetë në studion që Top Channel ka ngritur për garën e Tiranës, me drejtues të gazetave kryesore në vend.
Sonila Meço, ABC-News: “Kam bërë pakt me bebin”
Jemi mësuar që prej vitesh, në disa sezone zgjedhjesh të viteve të kaluara, ta shohim Sonila Meçon në qendër të ekranit për të drejtuar të gjitha lidhjet direkte me ngjarjet në të gjitha rrethet e Shqipërisë e për të pritur të ftuarit në studio. Thuajse nuk kishim dyshim që do të ishte po ajo edhe këtë herë. E vetmja gjë që na bëri të luhateshim, ishte situata e saj aktuale. Për shkak të shtatzënisë dhe për shkak të një farë regjimi që ajo u detyrua të ndjekë në fillimet e kësaj shtatzënie, menduam që Sonila nuk do të ishte në gjendje të përballonte një ditë kaq të ngjeshur televizive. Por në fakt, gabuam. Sonila Meçon e keni parë që është shfaqur sërish në ekran pas shkëputjes, por edicionet qendrore të lajmeve, gjithsesi nuk ishin njësoj me ditën e sotshme. “Kam folur me bebin, kemi bërë pakt që më parë që do të arrijmë ta përballojmë intensitetin e kësaj dite. Të shpresojmë që do ta mbajë fjalën”. Edhe për ne bebi bën mirë të qëndrojë korrekt, sepse mami Sonilën jemi mësuar ta shohim përherë aktive në situatat e rëndësishme politike. Sidoqoftë, do ta ketë edhe një koleg në studio për t’u alternuar. Paralelisht me studion qindore të “ABC-news”, ku do të jetë Sonila Meço, edhe gazetari Drini Zeqo do të jetë i pranishëm me informacionet më të fundit. “Do të ketë mbi 40 lidhje direkte, pra vëmendja do të jetë maksimale”. Ky transmetim maratonë do të startojë në orën 07:00 të mëngjesit, për të vijuar gjithë ditën.
“Do të jetë puna që kam bërë përherë vetëm se këtë herë duhet ta bëj ‘vet i dytë’. Është e rëndësishme koha pas procesit, njohja me rezultatet që këtë rast nuk do të jetë e mundur, sepse do të jetë një proces i shtrirë. Të vetmet situata që mund ta ngarkojnë gjendjen do të jenë incidentet, që urojmë të mos ndodhin”.
Eni Vasili, AS televizion: Studioja enkas për transmetimin maratonë
Në gjithë muajt e mëparshëm jemi njohur me ndryshimet e televizionit “Albanian Screen”, duke nisur që nga emri i tij që dikur ishte “Alsat”. E ndoshta është pikërisht në kuadër të këtyre ndryshimeve e investimeve të reja, që me rastin e këtyre zgjedhjeve është vendosur që të ndërtohet një studio e re televizive enkas për këtë ditë. E zonja e shtëpisë së kësaj studioje të re do të jetë gazetarja Eni Vasili, drejtuesja e emisionit “Studio e hapur”. “Transmetimi do të nisë që në orët e para të mëngjesit për të vijuar gjatë gjithë ditës, nëse është e nevojshme edhe gjatë natës”. Gara se ku do jetë stacioni më i gjatë i teleshikuesve, këtë të diel duket se është e fortë, sepse kemi sërish edhe për televizionin “AS 30” deri në 40 lidhje direkte. Ndryshe nga televizioni “ABC”, Eni Vasili do të jetë e vetme në studion qendrore, ama do të lidhet shpesh me studion e lajmeve. Të ftuarit në studio, politikanë e analistë, natyrisht që nuk do të mungojnë, siç nuk do të mungojnë në asnjë studio tjetër, e cila ka marrë përsipër ta paraqesë situatën të plotë, përfshi këtu edhe supozime e hamendësime. Pra, edhe pse nuk është në studion e saj të përhershme, nga ku drejtohen temat politike, Eni Vasili sot flet nga një tjetër studio fare e re, po aq të hapur sa ajo e saja.
ANI JAUPAJ
© Panorama.al











