Zenel Hoxha: Si propozova Berishën në krye të PD në vitin 1991

Jan 5, 2012 | 11:48

Zenel Hoxha

Kryetari i parë i PD-së së Tiranës kujton themelimin e partisë.

“Motivacioni: Berisha si mbështetës i fuqishëm i lëvizjes, sepse ai mundësoi lirimin e studentëve nga burgu”

Është ndër pedagogët e parë që u përfshi në Lëvizjen për shembjen e diktaturës. I pari kryetar i PD-së për Tiranën dhe më pas, sërish i pari kryetar i Dhomës së Tregtisë së Shqipërisë në vitin ‘92. Sot, Zenel Hoxha do të jetë sërish i parë nëpërmjet një rrëfimi “të paparë”. Ashtu siç ka lënë shënimet e tij në librin “Dhjetor ‘90″, ku 50 autorë kujtojnë protestat, bisedimet dhe përgjakjet, deri në vendosjen e pluralizmit në Shqipëri. Një vepër e rrallë e protagonistëve kryesorë të asaj kohe, që nga Besnik Mustafaj, Aleksandër Meksi, Fatos Kongoli, Edmond Tupe, Kujtim Çashku, Arbër Ahmetaj, Edi Paloka, Gazmend Oketa, Gjelosh Prendi etj., të cilët ia kanë besuar sekretet njërit prej tyre, Bislim Ahmetaj. Një raportim ngjarjesh nga vende të ndryshme në Tiranë, siç i kanë parë dhe përjetuar vetë këta 50 personazhe realë, 3 prej të cilëve i botuam në numrat e kaluar në gazetën “Panorama”. I pari ishte vetë autori përmbledhës i librit, Bislim Ahmetaj, i cili hodhi dritë mbi krijimin e financave të PD-së me lekët e studentëve dhe pedagogëve. Për të vijuar me Arben Demetin, që tregoi paradoksin e përfshirjes së tij në themelimin e PD-së, në një kohë që ishte anëtar i PPSH-së, si dhe përplasjen Edi Rama–Gramoz Pashko më 13 dhjetor 1990. I treti ishte kimisti i njohur në SHBA, Mirel Sharxhi, që nëpërmjet një ditari e paraqiti “me skaner” dhunën e ish-byroistëve mbi studentët. Ndërsa sot, Zenel Hoxha bën publik protagonizmin e dy krerëve aktualë PD-PS, por që 21 vite më parë ishin në të njëjtën vijë politike, atë të një Shqipërie pa diktaturë.

Zenel Hoxha/ Në shtëpinë e Berishës
Në vjeshtën e vitit 1990, së bashku me miqtë e mi, Engjëll Gishti (historian) dhe Artan Hoxha (inxhinier), kishim ndërmarrë iniciativën për të krijuar atë që u quajt Lëvizja e Intelektualëve të Rinj. Hapi tjetër që ndërmorëm, ishte bashkëbisedimi që bëmë në shtëpinë e Sali Berishës në nëntor të po atij viti. Lëvizja e Intelektualëve të Rinj kërkonte liderine vet dhe propozimi im për personin më të përshtatshëm për të qenë në krye, ishte pikërisht Berisha, duke u nisur dhe nga aktiviteti i tij, i bërë i njohur në vitin 1990. Grupi im ra dakord për këtë ide dhe ia propozuam atij. Pra, për ngjarjet e dhjetorit ’90 mund të përmend shumë fakte dhe protagonistë të kësaj lëvizjeje. Natën e 8 dhjetorit nuk kam qenë atje. Por më 7 dhjetor në darkë kam qenë në shtëpinë e Sali Berishës, pasi në takimin e parë që bëmë në shtëpinë e tij, më 21 nëntor 1990, së bashku me Engjëll Gishtin nuk patëm mundësi të shprehim idenë tonë për të cilën ne kishim vajtur. Doktori ishte me temperaturë, por e nënkuptuam njëri-tjetrin. Para largimit nga shtëpia, më kujtohet se e kishim lënë të takoheshim sërish pas dy javësh për të biseduar lidhur me propozimin tonë. Së bashku me Engjëll Gishtin shkojmë në shtëpinë e Berishës. Zonja Liri Berisha me shumë mirësjellje na ftoi të hynim brenda, por i thashë kemi ardhur vetëm për të takuar përsëri doktorin. Ishte ditë e premte. Ajo na bëri të njohur se Berisha kthehej nesër nga Italia, që i binte të ishte data 8 dhjetor.
Njohja me Azemin dhe “rekrutimi” i vajzave
Më 9 dhjetor paradite, stacioni ynë kryesor do të ishte Biblioteka Kombëtare, vendi ku flitej për lëvizjet dhe ngjarjet e ditës, ku intelektualët jepnin mendimin e opinionin e tyre për to. Rrugës takojmë një pedagog të Akademisë së Rendit, Fatmir Karaj, i cili, së bashku me pedagogë të tjerë, ishte angazhuar në ruajtjen e rendit atë ditë. Në atë moment mendova se ngjarja duhej të ishte tejet serioze. I them se çfarë bëhet kështu. Ai më përgjigjet se: “Situata është shumë e rrezikshme, është njëri nga studentët me xhup të zi, i cili është planifikuar të vritet, pasi mendohet se është shkaku i gjithë kësaj trazire dhe se me atë nuk merren vesh”. Me të marrë këtë lajm nga Fatmiri, mendova se duhet të bëj diçka. Në momentet e fundit shkruaj një letër të shkurtër, ku i lë porosi babait që nëse nuk kthehem më, “duhet ta dish se jam nisur drejt një rruge, që vlen më shumë se vetja ime”, dhe i them shokut tim, Besnikut, që deri në ato momente isha me të, që të largohet. U nisa drejt kreut të studentëve protestues tek cepi i godinës, sot rezidenca e ambasadorit italian, studentët po zbrisnin me qindra te kryqëzimi i rrugëve. Dukeshin që ishin të organizuar, por nga ana tjetër ishin edhe të lodhur e të tensionuar. Kërkoj të bisedoj me disa prej këtyre që më dukeshin si drejtues të saj. I drejtohem studentit të veshur me xhup të zi, por ishte e pamundur të arrije të komunikoje me të, sepse ishte duke udhëhequr studentët me thirrjet e mëdha. Në ato momente u drejtohem shokëve të tij përreth: ‘Duhet ta largoni shokun tuaj me xhup të zi, policia synon ta ekzekutojë atë, prandaj duhet ta ruani ose ta largoni’. Studentët nuk më njihnin dhe më pyesin se kush jam dhe unë u përgjigjem se “jam si ju dhe kam ardhur të vdes me ju”. Më vonë e mora vesh se ai që drejtonte dhe kishte organizuar protestën, që kishte veshur xhup të zi, ishte Azem Hajdari. Në krah të tij ishte Shinasi Rama, Tefalin Malëshyti, Arben Lika, Arben Broci dhe qindra të tjerë. Studentët më thanë se jemi të vendosur ta vazhdojmë protestën tonë, por duam të jemi sa më të organizuar. “Mos u shqetësoni për këtë”, u them atyre, “hapi i parë duhet të jetë vendosja e vajzave studente në vijën e parë”, duke shpresuar se policët do të hezitonin t’i godisnin ato. Studentet trime, si Alma Bendo, Mimoza Ferraj, Mimoza Zhamo etj, që u kërkoj ndjesë që nuk ua mbaj mend emrin, u radhitën me guxim dhe trimëri të rrallë në ballë të studentëve protestues.
Dhuna e policëve
Rreth orës 13:00 pamë së largu se sportdashësit, që po shkonin për të parë ndeshjen e futbollit në stadiumin “Qemal Stafa” ku luante “17 Nëntori” me një ekip tjetër, filluan të lëvizin në Rrugën e Elbasanit në krahun e liceut, për të shkuar nga stadiumi. Në atë moment dëgjoj urdhrin e drejtuesve të Ministrisë së Brendshme, të stacionuar aty ku sot është Ambasada Zvicerane, për të shpërndarë studentët. Frika e tyre mendoj se ishte se në ato momente do të ketë edhe një përfshirje të banorëve–sportdashësve me studentët protestues. Menjëherë pas këtij urdhri, policët filluan të qëllojnë egërsisht me shkopinj gome dhe shkelma mbi studentet pa dallim. Përpara vilës shoh dr. Berishën, Besnik Mustafajn dhe regjisorin Kujtim Çashku, duke debatuar ashpër me drejtues të policisë. Po ashtu te shkolla “Kosova” përballë hyrjes së Liceut Artistik, kam parë Lisen Bashkurtin, duke thirrur dhe ndërhyrë ndaj policëve në momentin që një studente qëllohej keq dhe po e tërhiqnin zvarrë drejt makinës ‘IFA’ të policisë. Më vonë mësova se kjo ishte Mimoza Zhamo, e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, e cila përfundoi ashtu pa ndjenja në burgun e Tiranës. Lisieni vazhdonte t’u thoshte policëve ‘sa po vij nga një takim me Ramiz Alinë, i cili më tha që të mos qëllohet mbi studentët’. Por policët ndërhynë egërsisht dhe pa kriter, godisnin çfarë t’u dilte përpara. Pasi i qëllonin, i merrnin studentët dhe i hidhnin në ‘IFA’-t e tyre. Kur u pa që policia po ushtronte dhunë, një pjesë e studentëve protestues u larguan. Ata që u kapën, ashtu edhe të plagosur, i morën dhe i hodhën mbi makina. Një djalë, për të cilin më thanë se ishte i Shkollës Teknologjike, pra ishte më i riu nga protestuesit, është qëlluar aq rëndë, saqë gjaku i rridhte disa metra larg. Nuk kisha parë skena të tilla në jetën time, gjaku i tij shpërthente në një trajektore të madhe. I shokuar nga kjo ngjarje, pasi isha pranë tij, e kam kapur këtë djalë dhe u jam drejtuar policëve ‘kriminelë’. Nga ky akt i detyrova ata që me veturën që kishin, ta merrnin këtë djalë dhe ta çonin në spital, ndoshta është i vetmi nga të plagosurit që është dërguar në spital. Mbaj mend se pesë prej studentëve të dhunuar ishin në gjendje shumë të rëndë, të gjakosur, pa ndjenja. Madje njërin prej tyre, një djalë i shëndoshë pak si biond dhe me sy bojë qielli që ishte më keq, do të dëshiroja që të gjithë këta dhe të plagosurit e tjerë që përfunduan në burgun e Tiranës të më shkruajnë. Studentët e kapur nga policia nuk mund t’i lija vetëm, kështu që hipa në ‘IFA’ së bashku me ta, me shpresën se do t’i çonin në spital.
Në Burgun e Tiranës
Kujtoj se ‘IFA’ ishte e mbushur plot me studentë të plagosur. Mund të ishin katër makina të tilla të mbushura me studentë. Rrugës, pikërisht te rruga “Bardhy”, mendova se po ktheheshin nga spitali, por jo asgjë nuk ndodhi kështu. Të gjitha makinat morën rrugën drejt burgut, pavarësisht thirrjeve të mia për të dërguar studentët e traumatizuar në spital. Fillova t’u bërtisja policëve që ishin mbi IFË, si dhe shoferit të saj, që të ktheheshim nga spitali, por askush nuk më dëgjoi, vargu i makinave u ndal vetëm në burgun e Tiranës. Sa hymë aty, pa pyetur nëse ishin të plagosur apo jo, nëse kishin nevojë për ndihmë mjekësore apo jo, të gjithë studentët i futën në qeli. Tre prej studentëve ishin pa ndjenja, të tjerëve ende u rridhte gjaku nga plagët e marra. Unë isha gjithë gjak, isha përpjekur që të ndihmoja të plagosurit, por plagët e tyre ishin të shumta. Në ambientet e burgut u them policëve që ‘mos i prekni studentët, ata duhet të shkojnë në spital, mos i futni në qeli, ju shkelni të drejtat e njeriut’. Nuk kishte shumë kohë që Karta e Kopenhagës mbi të drejtat e njeriut ishte shpërndarë ilegalisht nga Lëvizja e Intelektualëve të Rinj dhe tashmë njihej nga njerëzit. Ndërsa ua kërkoja këtë, më afrohet një oficer i lartë i burgut dhe më pyet se kush jam, se nuk i dukesha si student. E para gjë që më erdhi në mendje në ato momente, ishte ‘jam anëtar i Komitetit të Helsinkit’. Ky komitet sapo ishte themeluar dhe njihej në rrethet shoqërore dhe ishte i vetmi organizëm atë kohë në Shqipëri që kishte dalë në mbrojtje të të drejtave të njeriut. ‘Jam edhe pedagog’, pasi punoja edhe si pedagog i jashtëm. Ndërsa po flisja më të, konstatova se ishte nga Kukësi, prandaj në një moment i thashë ‘ju jeni nga Kukësi dhe po të them këtë, nëse u ndodh gjë studentëve, ju do të përballeni edhe me zakonet e traditës shqiptare’. Ai ishte komisari i burgut dhe më thotë se ‘nuk kam asgjë në dorë, unë vetëm marr urdhra nga lart. Situata nuk është aspak e mirë, ajo që mund të bëj në këtë moment është të të liroj ty me shpresën se mund të bësh diçka për këto që janë në qeli’. Rreth orës 14:30, pasi dal nga Burgu i Tiranës, shkoj në Qytetin Studenti, tek Godina e Arteve, siç quhej atëherë. Në hyrje, që është si tip verande, takoj Eduard Selamin. Me vete kisha dy-tri çadra të thyera të studentëve, të cilat ia jap Edit dhe i them, ‘të lutem na i ruaj, se këto do t’i duhen muzeut të ardhshëm të demokracisë’. Me Edin isha shok prej vitesh dhe, teksa po i merrte këto, vështronte nga veranda në drejtim të godinës se Studenteve nr. 4. Aty pashë që dr.Berisha, Besnik Mustafaj dhe Kujtim Çashku ishin duke folur me studentët. Bashkëbisedimi i tyre nuk ishte i qetë, një pjesë e studentëve ishin të irrituar nga situata. E përshëndes doktorin. Me të jam njohur në vitin 1987, gjatë kohës që ai ishte pjesë e programit të asaj kohe në mbështetje të zonave verilindore në Peshkopi, i cili për një muaj ngriti reanimacionin e spitalit të Peshkopisë. Për më tepër, doktori asistoi nga ana mjekësore motrën time, e cila vuante prej kohësh nga zemra, e për shkak të terapisë që përcaktoi ai, shëndeti i saj u përmirësua. Përshëndetem me doktorin, i cili më shikon rrobat gjithë gjak. Pa humbur kohë i drejtohem ‘doktor të lutem një minutë, të lutem shumë ndërprite bisedën këtu, se kemi situatë jo të mirë me studentët në burg dhe pritet nga momenti në moment që të dërgohen në Qafë-Mollë’. Berisha më tha se do të shkonte në Komitetin e Partisë dhe për shkak të influencës së tij mësova më vonë se u bë e mundur që studentët të lirohen të gjithë rreth orës 16:00-16:30. Kështu mbaron data 9 dhjetor 1990, unë kisha realizuar qëllimin tim, lirimin e studentëve nga burgu. Pasditen e 10 dhjetorit, unë dëshiroja të shkoja me pedagogët për të takuar studentët e për të mos i lënë vetëm në këtë përballje me diktaturën. Ndaj kështu bëmë, iu drejtuam godinës 15.
Takimi me Ramiz Alinë
U mësua se Ramiz Alia kishte vendosur se do t’i priste studentët.
Bënë listën e përfaqësisë që do të shkojë. ‘Lista fillon me ty’, – më thotë Azemi. Pa pritur miratimin, i drejtohem ‘Azem, mua më ngarko me një gjë tjetër, që është organizimi i përcjelljes dhe i pritjes suaj’. Përgjigjja që u dhashë, me sa duket i bindi, sepse ata ranë dakord me këtë vendim. Ata bënë listën e studentëve për takimin e datës 11 dhjetor 1990. Në këtë datë, paradite, në mbështetje të studentëve erdhi një numër i madh pedagogësh të rinj nga Instituti i Arteve, Fakulteti Juridik, Inxhinieria, si dhe banorë të Tiranës, çka mund të them që e gjithë lëvizja u transferua në fushën e sportit dhe në zonën mes godinave. Duke qenë se tashmë kishte një angazhim konkret dhe më të madh të pedagogëve, lista u riformatua edhe një herë. Ata shkuan në këtë takim me një nga autobusët e sapoardhur në Shqipëri në vitet ’90. Ata ishin të prodhimit francez dhe u zgjodh më i miri nga ky kontingjent. Studentët u përcollën nga Qyteti Studenti në çastin ku sapo kishte rënë muzgu dhe u pritën rreth orës 23:15. Pasi ishte marrë vesh për takimin e Ramizit me studentët, tek ne kishte ardhur një masë e madhe njerëzish, sa kur u kthye përfaqësia nga takimi ishte e pamundur të lëvizte drejt platformës ku ishte planifikuar se ata do të mbanin një fjalë. Si një prej organizatorëve të këtij takimi, kisha arritur të siguroja gjithë infrastrukturën që duhej që përfaqësia e studentëve në atë takim të pritej sa më mirë nga masa tjetër e studentëve. Atmosfera ishte e jashtëzakonshme. Mbërritja e tyre në zemër të lëvizjes konfirmoi de facto pluralizmin në Shqipëri, megjithëse shprehja ‘pluralizëm’ u tha si nëpër dhëmbë gjatë takimit, nga Ramiz Alia, lideri komunist i asaj kohe. Me mbrojtjen e tyre, gjithë masa e pranishme e grumbulluar aty shpërtheu në parulla më të qarta për demokracinë. Aty pati edhe parulla që nuk shkonin, me ngjyrime pak sentimentale në drejtim të Ramiz Alisë, por gjykoj se më tepër ishin diplomatike, pasi pushteti komunist ishte ende i fortë dhe rreziku i shpërthimit ishte potencial. Kështu u mbyll me entuziazëm edhe dita e 11 dhjetorit.
Themelimi i Partisë Demokratike…
Zhvillimet social-shoqërore të atij dhjetori ishin shumë dinamike. Lëvizja apo ndryshimi që kishte filluar të konturohej qartazi në analet e historisë shqiptare nga një ditë në tjetrën, nuk mund të mos ta konsiderojmë si epoka e revolucionit për nga intensiteti dhe ndryshimet e mëdha që sillte në çdo moment. Data 12 e këtij muaji do të shënonte edhe avancimin e mendimit për konsolidimin politik të kësaj lëvizjeje me organizimin në kinoklubi ‘Studenti’ të mbledhjes së përfaqësisë së Lëvizjes së Dhjetorit. Aty ishin studentë, intelektualë, punëtorë, të persekutuar politikë, të gjithë u mblodhën aty në orën 17:30-18:00, ku u vendos në tribunë një përfaqësi ku qenë Azem Hajdari, Sali Berisha, Gramoz Pashko, Eduard Selami, Preç Zogaj. Në këtë takim u tha se qëllimi i mbledhjes ishte krijimi i komisionit nismëtar të themelimit të Partisë Demokratike. Në fillim foli Azemi, pastaj këtë takim e drejtoi doktor Berisha. Më tej u kalua direkt në zgjedhje dhe propozime konkrete se cili do të ishte anëtar i komisionit nismëtar për themelimin e partisë. Azemi nuk bëhej fjalë që të zgjidhej, ai ishte automatikisht i zgjedhur. Më tej mbaj mend se jam ngritur në këmbë dhe kam propozuar doktor Berishën me motivacionin si mbështetës i fuqishëm i lëvizjes, sepse sipas meje ishte ai që bëri të mundur lirimin e studentëve nga burgu dhe si intelektual i shquar. Pastaj u vazhdua me zgjedhjen e kandidaturave të tjera se ishte bërë rregull që pesë prej tyre të ishin nga studentët, pedagogët dhe intelektualët e  fushave të ndryshme. Nga përfaqësia e studentëve u zgjodh Azem Hajdari, Shinasi Rama, Tefalin Malëshyti, Arben Lika, Blendi Gonxhe dhe Alma Bendo, nga pedagogët dhe intelektualët u zgjodhën Sali Berisha, Gramoz Pashko, Arben Imami, Eduard Selami, Mitro Çela, Merita Zaloshnja, ajo u propozua nga vëllai i saj, Eduard Zaloshnja, i cili shtoi më tej se unë e njoh mirë, sepse ajo është motra ime, Edmond Budina, Ilir Myftari, Preç Zogaj. Fillimisht u ra dakord që të ishin 13 anëtarë në komisionin nismëtar, pastaj doktor Berisha propozon që të shtohet numri me të paktën dy të tjerë, ‘për arsye se kemi jashtë njerëz që kanë kontribuar dhe janë gjakosur me studentët dhe për këtë unë propozoj që në komisionin nismëtar të jetë edhe Zenel Hoxha’. Kur doktori bëri këtë propozim, një masë e madhe e studentëve tha, që ai (unë) të çohet në këmbë se donin të shihnin se kush isha. U ngrita dhe u ktheva nga ata. Disa nga studentët thanë se e aprovojmë me të dy duart, duke u shprehur se ‘po, ai ka qenë me ne në çdo moment’. Kur po ulesha në karrige, një student nga fundi i sallës thotë se, ‘jemi shumë dakord, por kërkojmë që të ndryshojë mbiemrin’. Unë i përgjigjem me të qeshur se isha nga Dibra e s’kisha lidhje me Hoxhën e Gjirokastrës. Pjesëmarrësit në sallë vazhdonin të qeshnin me shakanë e studentit.
Propozimi i Ramës për vrasjen e komunistëve
Anëtari i komisionit nismëtar të themelimit të PD u tha që të zgjedhurit do të mblidheshin në zyrën e Thanas Dedes, drejtorit të Kinoklubit. Aty s’kishte vend për të gjithë për të qëndruar ndenjur, por edhe për një arsye, atje u gjendëm më shumë se 15 veta. Shoh dikë në dhomë që nuk e njihja, një çun i imët, një i moshuar, më tej doktori, te dera Shinasi, ulur në krah të tij ishte Azemi. Shinasi thotë se ‘ne duhet të jemi 15 veta këtu, na dalin më shumë’. Shinasiu kontrolloi listën dhe pyeti cilët ishin të pranishmit e tjerë. ‘Xhaje, ça don ti aty’, – i thotë dikujt aty, që ishte me mustaqe, ‘a ke qenë ndonjëherë në mulli dhe aty ka radhë’, – i thotë Shinasiu. Ndërkohë, Pashko ndërhyn dhe thotë që ‘është Leka (Aleksandër Meksi), arkitekt, intelektual, mbështetësi ynë’. ‘Po ti?’, e pyet tjetrin Shinasiu, përgjigjet sërish Pashko, ‘ky është Genci (Genc Ruli), kunati im, ka mbaruar ekonomikun dhe ligjëron atje, ai ka mbaruar dhe juridikun dhe ne si komision na duhen edhe juristë’. Në debatin e krijuar mes Shinasiut dhe të moshuarit, ndërhyra dhe unë e i thashë se duhet të tregohet më i përmbajtur se është i moshuar. Ai m’u përgjigj se ‘nuk dua të debatoj me ty Zenel, ne jemi të zgjedhur dhe nuk e shoh të arsyeshme të kemi njerëz të tjerë”. Përfundimisht në këtë komision mbetëm 19 veta, pasi u shtua Meksi, Ruli dhe Bardhyl Reso, i cili shtoi se “unë jam i persekutuar, babai im Bexhet Reso ka vuajtur dënime të gjata me burg nga regjimi”. Duke folur për organizimin paraprak të partisë, hapet dera dhe hyn një djalë i gjatë, që binte në sy nga një triko leshi e mirë shumëngjyrëshe me vija, ku dominonte ngjyra gri me të bardhë. Pas përshëndetjes Mirëmbrëma!, ngrihet Gramoz Pashko dhe i thotë, ‘Mirëmbrëma Edi!’ Ai i kthehet: ‘Urime! Isha në Selanik, dëgjova për këtë, ndërpreva vizitën dhe erdha të bashkohem me ju. Përpara se të vazhdojmë më tej, pyet: a keni në program me i ekzekutu komunistët, Ramiz Alinë dhe byronë politike etj. Ndërhyn Pashko dhe i thotë ‘Jo’, ne mendojmë të krijojmë një Parti Demokratike, por kush ka gabuar ndaj popullit, ndaj tij do të veprojë ligji, ne nuk jemi gjykatë’. Dialogu vazhdon më tej me pyetjen tjetër: ‘A e keni apo jo në program?’. Jo, nuk e kemi,- i përgjigjet përsëri Pashko. Atëherë s’kam çfarë dua këtu, po iki’, – tha ai. Derën hapur e ke,- ia ktheu përsëri Gramozi. Pas këtij dialogu, ai u largua. Ne vazhduam diskutimet tona. Një ndër gjërat më të rëndësishme për momentin ishte rikonfirmimi i emrit të Partisë, sepse de facto e kishte marrë atë si PD, si edhe të hartohej një program për këtë parti. U ra dakord që ky të quhet programi minimal i PD-së, që ishte një përmbledhje e shkurtër dy faqe e programit bazë të parimeve dhe drejtimit politik të kësaj force të re që kishte filluar të lindte në jetën shqiptare. Gjatë mbledhjes, doktori më ngarkoi me një detyrë. Më dha çelësin e zyrës së tij në spitalin ku punonte, ku duhej të merrja një dosje mbi tavolinën e tij të punës. Më kujtohet si tani se ishte një natë me shi dhe errësirë. Rrugën e përshkrova me biçikletë, nga e cila u rrëzova sapo po zbrisja nga Qyteti Studenti, plaga e asaj nate ishte aq e thellë sa nuk m’u shërua për vite me radhë. Në dosjen që i dorëzova Berishës atë natë ishin konventat, të cilat do të ndihmonin në hartimin e mëtejshëm të programit. Në orët e vona të saj nate të 12 dhjetorit, u diskutua se ku mund të gjenim ndonjë vend që të kishte infrastrukturën e nevojshme të logjistikës për të hartuar materialin e përgatitur të programit të PD. Gramozi ndërhyri menjëherë dhe tha: ‘Kam kompjuter në shtëpi dhe kam mundësi’. U ra dakord që të shkohej te shtëpia e tij dhe për arsye sigurie së bashku me Gramozin u bashkuan edhe një pjesë e grupit nismëtar, si Berisha, Selami, Meksi, Ruli. Aty u ndanë dhe detyrat e para. Unë u ngarkova nga komisioni nismëtar për organizimin e Degës së PD së Tiranës. Duke qenë se kjo punë ishte një ngarkesë e madhe, komisioni nismëtar ngarkoi edhe doktor Berishën për të më mbështetur në punën time. Pra, kam qenë kryetari i parë i PD-së së Tiranës. Puna për organizimin e PD-së së Tiranës dhe në përgjithësi filloi në godinën 15, të Qytetit Studenti. Ndaj u ra dakord që në këtë godinë të kishte dy dhoma pune për komisionin nismëtar të PD-së. Pas datës 13 dhjetor 1990, mbledhjet janë bërë në këtë godinë, ku u krijua një grup prej 20 vetash, sepse pas disa ditësh lëvizëm nga ky vend me seli tek një vilë në rrugën “Fortuzi”, si komision nismëtar për degën e Tiranës. Aty kanë qenë Bashkim Sala, sekretar komisioni, Rexhep Alia, Sokrat Nesturi, Mark Topallaj, Agron Çika, Sotir Qirjaqi, Rexhep Uka, Shaban Memia, Albert Brojka, Fatos Hodaj, Gazmend Dibra, Rinush Idrizi, Lili Dhame, Aleko Gjergo etj. U kërkoj ndjesë të gjithë atyre emrat e të cilëve nuk më kujtohen. Vlen të theksohet se prej datës 12 deri më 25 dhjetor, janë krijuar 212 seksione të PD-së në degën e Tiranës.

© Panorama.al

Te lidhura