Zbulohet juria e “Vokalit” në TCH: Deda, Bektashi, Bejleri, Alban e Miriam

Sep 17, 2011 | 14:20

Kantautori i njohur Elton Deda ka mbërritur dje në Tiranë, pasi do të jetë pjesë e projektit ambicioz “The voice” (Vokali) në “Top Channel”, që do të fillojë këtë sezon të ri televiziv. Ai do të jetë një nga emrat e anëtarëve të jurisë gjykuese, që janë vendosur të jenë në panelin e spektaklit më të ri të talenteve të reja, që do të përzgjidhen nga ky show muzikor. Dhe për Elton Dedën duket sikur e vazhdon aty ku e ka lënë, këtë eksperiencë gjykuese për këngëtarët e rinj që aspirojnë të bëhen profesionistë, ndërsa të gjithë i kujtojnë batutat e tij në panelin e spektaklit “Ethet e së premtes mbrëma”, format i prezantuar nga Adi Krasta. Ndërkohë, pjesë e jurisë së këtij formati të ri me autor Rezart Agën, ku do të përzgjidhen zërat e rinj të vitit, do të jetë dhe këngëtarja kosovare Alma Bektashi, e cila ka qenë e pranishme këto kohë në një tjetër show të ngjashëm të vëllezërve Pandi dhe Bledi Laço, ai me titull “Gjeniu i vogël” në “TV Klan”. Dy  këngëtarët i pamë bashkë dhe vitin e kaluar në spektaklin muzikor “Me&you”, ku si dy miq të vjetër kënduan dhe rrëfyen kujtime nga karriera e tyre muzikore që pas viteve ‘90-të. Ndërkohë që për herë të parë në një panel të tillë do të jetë këngëtari profesionist Sidrit Bejleri, të cilin e kemi parë të ketë qenë shpesh i ftuar të këndojë në programet e “Top Channel”, siç ka qenë programi “E diell”. Në këtë gjykim artistik të zërave të rinj do të udhëtojnë nga Gjermania dhe Alban e Miriam Çani, dy këngëtarët të cilët janë mediatizuar tashmë si çift të dashuruarish. Sipas burimeve tona, ata do të kenë të drejtën e një vote, dhe ndoshta është menduar kështu për të krijuar pak show, në marrjen e vendimit të tyre edhe nëse do të jenë më shumë në një mendje apo do të kenë mendime të kundërta.  Spektakli “The voice”, që mori jetë fillimisht në Holandë e SHBA dhe pritet të startojë në të njëjtën kohë në 20 televizione të botës, si në Australi, Suedi, Portugali, Spanjë, Irlandë, Brazil, më shumë se një muaj më parë u njoftua se edhe BBC kishte blerë të drejtat e transmetimit të këtij formati për Britaninë e Madhe. Producentët janë duke zhvilluar audicione nëpër qytete të ndryshme të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë, ndërkohë që mosha e protagonistëve që aspirojnë për t’u bërë këngëtarë, varion nga 16-35 vjeç. Anëtarët e jurisë së sipërpërmendur hyjnë në lojë në fazën e dytë, ku do të bëjnë gjykimin. Ndërsa në fazën e tretë ata do të bëhen trajnerë të tyre, duke punuar dhe duke i mësuar për të qenë të suksesshëm. Anëtarët e jurisë do të jenë protagonistë të vërtetë, duke pasur kështu mundësi të rikthehen në vëmendjen e publikut.

© Panorama.al

Te lidhura