Çabi Alonso dhe Real Madrid kanë ndarë sot rrugët pasi është vendosur ndërprerja e marrëdhënieve mes palëve. Një vendim që ka ardhur pas një mbledhje në drekë, ku trajneri kishte hyrë me idenë për të mos u larguar nga drejtimi i skuadrës.

Sipas asaj që ka mësuar “Marca”, ka qenë klubi ai që ka shtyrë për largimin e trajnerit dhe ndryshimin në drejtim. Gazeta spanjolle bën të ditur se trajneri nuk kishte pasur asnjëherë idenë që të largohej e të linte në mes punën, me bindjen se do të mund të kthente fatin e sezonit.
Por kishte qenë klubi që kishte kontaktuar teknikun duke kërkuar një mbledhje me të. Atij i ishte parashtruar analiza e deritanishme e sezonit, situata aktuale dhe e ardhmja që pritej te “los blancos”. Alonsos iu bë e qartë se kishte devijuar nga idetë e tij, edhe për faj të lojtarëve që nuk ishin përshtatur me planin dhe lojën që kishte në mendje trajneri, duke ndikuar në paraqitje dhe rezultate.
Kështu, trajnerit iu la të kuptohej se ndarja mes palëve ishte zgjidhja më e mirë e mundshme për të gjithë në këtë pikë, pasi nuk mund të bëheshin reforma radikale në grupin aktual të futbollistëve, gjë që nuk është në stilin e Real Madrid. Alonso kësisoj pranoi dhe dakordësoi largimin, duke mbyllur një etapë që zgjati shumë më pak se sa mendonin të gjithë kur ai pranoi detyrën në këtë klub.
PANORAMASPORT.AL
© Panorama.al











