Zbardhet relacioni për projektligjin e Amnistisë Penale: Mundësi për rehabilitim dhe riintegrim të të dënuarve! 380 persona lirohen menjëherë, për rreth 900 ulet dënimi! Kategoritë që përfitojnë dhe përjashtohen

Feb 6, 2026 | 14:53

Zbardhet relacioni i projektligjit të Amnistisë Penale që u miratua ditën e sotme nga Këshilli i Ministrave dhe pritet që të depozitohet në Kuvend, ku do të marrë edhe “OK” e fundit.

burgu-696x464-1

Në relacion, thuhet se nëpërmjet këtij projektligji synohet të aplikohet një politikë lehtësuese penale për t’ju dhënë mundësi personave të dënuar të vijojnë me rehabilitimin dhe riintegrimin në shoqëri. Po ashtu përmes kësaj nisme, synohet që të ulet mbipopullimi në burgje.

Kush përfiton dhe përjashtohet

Nga amnistia përfitojnë burrat e dënuar me burgim deri në 3 vjet, si dhe ata me dënim mbi 3 vjet që u ka mbetur për të vuajtur deri në 3 vjet. Përfitojnë gjithashtu gratë e dënuara me burgim deri në 4 vjet, si dhe ato me dënim mbi 4 vjet që u ka mbetur deri në 4 vjet.

Amnistia zbatohet edhe për gratë mbi ose baras me 50 vjeç, burrat mbi ose baras me 60 vjeç, si dhe për personat që kanë qenë nën ose baras me 18 vjeç në momentin e kryerjes së veprës penale. Për të gjithë të dënuarit e tjerë parashikohet ulje dënimi: 1 vit e gjysmë për gratë dhe të miturit dhe 1 vit për burrat.

Nga amnistia përjashtohen personat e dënuar që konsiderohen me rrezikshmëri të lartë shoqërore, veçanërisht ata të dënuar për vepra të rënda penale, si krime kundër njerëzimit, vrasje, plagosje, dhunë në familje, vepra kundër mjedisit, terrorizëm dhe korrupsion.

Po ashtu, nuk përfitojnë nga amnistia personat e dënuar me burgim të përjetshëm, ata që janë gjykuar nga Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), si dhe personat që i janë shmangur drejtësisë.

Rreth 380 persona përfitojnë lirim të menjëhershëm, nga të cilët 4 janë të mitur, 5 femra dhe 7 shtetas të huaj. Ulje dënimi përfitojnë rreth 900 persona, nga të cilët 10 janë gra, 3 të mitur dhe 12 të huaj.

Për veprat penale të lehta, me dënim maksimal deri në 3 vjet burg, amnistia sjell shuarjen e ndjekjes penale, procedimit ose gjykimit.

Projektligji për amnistinë synon të ulë ngarkesën e punës në prokurori dhe gjykata duke parashikuar pushimin e ndjekjes penale për veprat e lehta, të kryera deri më 31.12.2025, të dënueshme deri në 3 vjet burg ose me dënime më të buta. Pushimi zbatohet për çështjet në hetim, në gjykim apo ende të pashqyrtuara.

Nga kjo përjashtohen veprat që, edhe pse me dënim deri në 3 vjet, paraqesin rrezikshmëri shoqërore, si dhe subjektet që kanë detyrim për deklarim pasurie, personat nën juridiksionin e GJKKO-së dhe veprat penale të lidhura me to. Kjo masë pritet të lehtësojë ndjeshëm ngarkesën e organeve të drejtësisë dhe t’u japë prioritet çështjeve më të rënda.

“Konkretisht, nga kjo amnisti përfitojnë:

Të dënuar burra me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 3 vjet dhe personave të dënuar me mbi 3 vjet, por u që u ka mbetur pa vuajtur nga ky dënim një periudhë deri në 3 vjet

Të dënuara gra, dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 4 vjet, dhe grave që janë dënuar me venim të formës së prerë mbi 4 vjet, që u ka mbetur pa vuajtur nga ky dënim një periudhë deri në 4 vjet

Personat e dënuar gra, të cilat, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baraz ose mbi moshën 50 vjeç

Personat e dënuar burra, të cilët, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baraz ose mbi moshën 60 vjeç.

Personat e dënuar me burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç.”, thuhet në relacion.

© Panorama.al

Te lidhura