Zbardhet qëndrimi i 5 anëtarëve të Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve: Të votojmë pro kërkesës së SPAK, t’i jepet autorizimi për arrestimin e Belinda Ballukut!

Feb 23, 2026 | 14:36

Janë zbardhur qëndrimet e 5 anëtarëve të opozitës në Këshillin e Mandateve dhe Imuniteteve, ku diskutohet kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut.

keshilli i mandateve per ballukun

Pasi kanë dëgjuar parashtrimet nga Prokurorët e Posaçëm, të cilët janë shprehur se pozitat e Ballukut janë rënduar dhe ajo tashmë rrezikon deri në 35 vite burg, deputetët e opozitës rekomandojnë që Kuvendi të votojë më 5 mars pro heqjes së imunitetit dhe t’i hap rrugë arrestimit të zv.kryeministres.

Ata shprehen që masa e sigurisë “Ndalimit të daljes jashtë shtetit” dhe “Pezullimit të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj Belinda Ballukut, e cila mban funksionet e deputetit, ministrit dhe zëvendëskryeministrit, të zëvendësohet dhe ajo të arrestohet për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim.

“Përfundimisht, 5 deputetët e Këshillit për Imunitetin,përfaqësues të opozitës, në mbështetje të neneve 73, 95, 103 të Kushtetutës, neneve 260, 288, 289 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe neneve 13 dhe 118 të Rregullores së Kuvendit;

R E K O M A N D O J N Ë:

Deputetët në seancë plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të votojnë pro, për miratimin e kërkesës nr. 43019Prot., datë 16.12.2025 të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke vendosur:“Dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, për arrestimin/heqjen e lirisë nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit nga ajo e “Ndalimit të daljes jashtë shtetit” e parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale dhe “Pezullimit të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, e parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale, në atë të arrest në burg/në shtëpi, për znj. Belinda BALLUKU”, e cila ushtron funksionet e deputetit, ministrit dhe zëvendëskryeministrit, në kuadër të procedimit penal nr. 136 të vitit 2025, ku ajo është marrë si e pandehur dhe person nën hetim, për shkak se dyshohet se ka kryer, në mënyrë të përsëritur, veprën penale: “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258/2 e 25 të K.Penal”, thuhet në qëndrimin e deputetëve të opozitës.

Kujtojmë se burime nga brenda mbledhje së Këshillit të Mandateve, që zhvillohet me dyer të mbyllura, Prokurorët kanë deklaruar se pozita e saj është rënduar.

“Në masat e para të kërkuara znj. Balluku rrezikonte deri në 10 vite burg; sot që flasim situata e saj është rënduar, dhe me akuzat e prokurorisë në këtë moment znj. Balluku rrezikon deri në 35 vite burg”, kanë deklaruar Prokurorët e SPAK.

Pasi prezantuan provat e reja për Ballukun dhe pasi janë dëgjuar nga anëtarët e Këshillit, tre prokurorët e SPAK, Klodian Braho, Dritan Brençi dhe Dorina Bejko janë larguar.

Ndërsa diskutimet vijojnë mes anëtarëve të Këshillit të Mandateve, të cilët do të hartojnë edhe një raport, që do ta çojnë në Kuvend për miratim në datën 5 mars.

Bardhi: Prokurorët thanë se pozita e saj është rënduar

Më herët në vijim të pyetjeve të bëra nga Kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, arrihet në konkluzionin se Prokuroria konfirmon se janë konstatuar fakte të tjera penale për Ballukun.

Po sipas Bardhit, që i referohet prokurorëve, gjendja procedurale e Ballukut është rënduar dhe ajo ka rrezik të prish provat dhe të kryejë krime të tjera.

“Gjithashtu, konfirmoi se në datë 20 Nëntor 2025 ka intimiduar dy dëshmitarë, duke i kërkuar të ndryshojnë dëshminë.

Po ashtu, prokuroria informoi se ka prova se disa persona “të fortë” (duke nënkuptuar elementë të krimit të organizuar) kanë kërcënuar dëshmitarët në emër të zonjës Balluku. Për këtë kanë paraqitur edhe provat në mbledhjen e Këshillit – transkripte të bisedave.

Sipas prokurorisë Balluku apo avokatët e saj nuk kanë ngritur asnjë pretendim për ndikim politik/përndjekje politike nga prokuroria. Hetimi nuk ka sfond politik. Ky fakt u konfirmua edhe nga avokatët e Balluku, të cilët u shprehen se nuk kanë ndonjë pretendim të këtij lloji”, thuhet në konkluzionet e nxjerra nga Bardhi pas pyetjeve të ngritura prej tij në Këshillin e Mandateve.

© Panorama.al

Te lidhura