Qeveria do shpenzojë 63 milionë USD për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë. Fondi për pronarët, 41 milionë USD.
Buxheti afatmesëm: Ish-pronarët, kompensim 11 milionë USD nga buxheti dhe 30 milionë USD nga ALUIZNI.
Zbardhet projekti: Për të përdjekurit 63 milionë USD në 3 vite.
Dy prej kategorive që janë përdorur gjerësisht në “përballjet” politike të partive në vend, ish-pronarët dhe ish-të përndjekurit, në tri vitet e ardhshme do të vijojnë të trajtohen me fonde që do të shkojnë për kompensimin e tyre. Në projekt-dokumentin e fundit të programit buxhetor afatmesëm 2013-2015, që është miratuar nga qeveria pak ditë më parë, përcaktohet edhe numri i dosjeve që do të trajtohen për çdo vit dhe shumat që do të shpenzohen për këto dosje në total.
Ish-pronarët
Kategoria e ish-pronarëve, tokat e të cilëve janë zënë nga ndërtimet informale, kanë përfituar dëmshpërblim nga fondet buxhetore dhe nga të ardhurat që Agjencia e Legalizimit gjeneron nga procesi. Për vitin 2012, qeveria zbardh në projekt-dokument se dosjet e miratuara do të jenë gati 50 dhe do të trajtohen me fond buxhetor prej 3.2 milionë dollarësh, ndërkohë që nga të ardhurat e Agjencisë së Legalizimit do të trajtohen 900 dosje, me një vlerë 15 milionë dollarë. Për tri vitet e ardhshme, me fonde buxhetore do të trajtohen gjithsej 320 dosje të shpërndara në 40 në vitin 2013, 100 në vitin 2014 dhe 180 në vitin 2015, me një fond total për të gjitha prej gati 16 milionë dollarësh. Pjesa më e madhe e dosjeve të ish-pronarëve do të trajtohen me fonde që vijnë nga procesi i legalizimit dhe që mblidhen nga ALUIZNI. Kështu, numri i subjekteve që do të kompensohen në tri vitet e ardhshme me këto para është 2600 subjekte dhe vlera e kompensimit e mbledhur nga procesi i legalizimit do të jetë 30 milionë dollarë. Të ndara në vite, nga viti 2013 në vitin 2015, do të dëmshpërblehen 900 subjekte për vitin e parë dhe po kaq për të dytin, kurse në vitin e tretë të programit buxhetor afatmesëm numri i subjekteve është 800. Paratë që mblidhen nga ALUIZNI kalojnë në fondin e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, e cila kryen edhe procedurat përkatëse të kompensimit sipas dosjeve të miratuara.
Ish-të përndjekurit
Dëmshpërblimi për ish-të përndjekurit, sipas dosjeve që marrin miratimin nga Ministria e Drejtësisë, do të vijojë edhe për periudhën 2013-2015. Sipas projekt-dokumentit, në vitin 2012 do të marrin këste dëmshpërblimi rreth 5 mijë dosje të miratuara, me një vlerë totale prej 20 milionë dollarësh. I njëjti numër dosjesh, 5 mijë, do të marrë këste dëmshpërblimi edhe në vitin 2013, 2014 apo 2015, duke çuar në finale numrin e dosjeve në 15 mijë, ndërkohë që për të tria vitet së bashku fondet që do të vihen në dispozicion janë 63 milionë dollarë. Aktualisht, Ministria e Financave po vijon me kryerjen e pagesave për ish-të përndjekurit politikë që përfitojnë këstin e dytë nëse janë mbi 65 vjeç dhe këstin e parë për ata që dosja u është miratuar me vonesë. Për ata që kanë moshën mbi 85 vjeç, ndarja e parave u bë me dy këste, ndërsa për pjesën tjetër ndarja është menduar të jetë me 8 këste, sipas listave të miratuara paraprakisht.
Kompensimi
Ish-pronarët
Fondet buxhetore
Viti 2012 50 dosje 3.25 milionë USD
Viti 2013 40 dosje 2.26 milionë USD
Viti 2014 100 dosje 5.27 milionë USD
Viti 2015 180 dosje 8.28 milionë USDFondet nga ALUIZNI
Viti 2012 900 dosje 15 milionë USD
Viti 2013 900 dosje 11 milionë USD
Viti 2014 900 dosje 10 milionë USD
Viti 2015 800 dosje 9 milionë USDIsh-të përndjekurit
Fondet buxhetore
Viti 2012 5000 dosje 17 milionë USD
Viti 2013 5000 dosje 20 milionë USD
Viti 2014 5000 dosje 21 milionë USD
Viti 2015 5000 dosje 22 milionë USD
Rehabilitimi, 600 mijë dollarë
Qeveria, përveç dëmshpërblimit për ish-të përndjekurit politikë, ka edhe një program tjetër të destinuar për këtë kategori që ka në fokus rehabilitimin e tyre. Lidhur me këtë program, në katër vite, 2012-2015, pritet që qeveria të shpenzojë gati 600 mijë dollarë. Në totalin e këtyre shpenzimeve pritet që për çdo vit të jenë me qindra të përndjekur të rehabilituar, ku për vitin 2012, 360 persona; për vitin 2013, 390 persona; për vitin 2014, 430 persona dhe për vitin 2015 plot 450 persona. Lidhur me këtë qeveria ka parashikuar edhe stafin e nevojshëm për programin e rehabilitimit dhe integrimit të ish-të përndjekurve.
Mosha mbi 65 vjeç
Ministria e Financave po shpërndan këstin e dytë të dëmshpërblimit për ish-të përndjekurit politikë, që janë mbi 65 vjeç. Pas ndryshimeve të bëra në ligj u vendos që me përparësi të trajtoheshin të gjithë ata ish-të përndjekur që janë gjallë dhe që kanë moshën mbi 65 vjeç të cilët duhet të paraqesin pranë Ministrisë së Financave, certifikatën që vërteton këtë.
NERTILA MAHO
© Panorama.al











