ELBASAN – Policia e Elbasanit përcakton 20-vjeçarin Kongres Tabaku si shkaktar të aksidentit të së dielës në Peqin. Shtatë është numri i të lënduarve si pasojë e aksidentit të ndodhur në orët e vona të së dielës, kur dy makina u përplasën mes tyre. Dy prej të plagosurve janë dërguar në gjendje kritike për jetën mëngjesin e së hënës për në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Zëdhënësja e Policisë, Valbona Begu, deklaron se “si pasojë e përplasjes së mjetit tip “Benz”, me targë PE 1587 A, me drejtues shtetasin Kongres Tabaku, 20 vjeç me banim në Peqin, me mjetin të tipit fuoristradë “Mitsubishi” me targë DR 7242 D me drejtues shtetasin Durim Hasa, 42 vjeç me banim në Durrës, mbetën të plagosur shtatë shtetas, mes tyre drejtuesit e mjeteve. Për shkak të shpejtësisë tej normave të lejuara nga ana e drejtuesit të mjetit tip “Benz”, ky i fundit humbi kontrollin në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Gjoçajve”, duke u përplasur me mjetin tip “Mitsubishi”. Përplasja, e cila ka qenë shumë e fortë, ka shkaktuar plagosjen e dy drejtuesve, si edhe të shtetasve Musa Çela, kushëriri i 20-vjeçarit që drejtonte mjetin tip “Benz”, si edhe bashkëshortja, dy fëmijët dhe mbesa e drejtuesit të mjetit tip fuoristradë, konkretisht shtetasit Valentina Hasa, 39 vjeçe, Florjeta Hasa, 13 vjeçe, Blerim Hasa 11 vjeç, si edhe Rosela Isaku 8 vjeçe, të gjithë me banim në Durrës. Mjeti tip “Mitsubishi” shkonte drejt qytetit të Durrësit, ndërsa mjeti tip “Benz” vinte nga superstrada e Peqinit drejt lokaleve në këtë aks rrugor. Menjëherë, Policia transportoi të aksidentuarit për në Spitalin kirurgjik të Elbasanit, ku gjendja e drejtuesit të mjetit, Kongres Tabaku, si edhe e tetëvjeçares Rosela Isaku, paraqiten shumë rëndë dhe për një mjekim të specializuar ato u dërguan në Spitalin Ushtarak. m.s











