Qeveria ka miratuar projektet më të rëndësishme të ministrive përkatëse, si dhe parashikimet për fondet që do të duhen lidhur me zhvillimin e këtyre projekteve. Në programin buxhetor afatmesëm 2012-2014 jepen edhe detajet për mënyrën se si do të trajtohen kategoritë e ish-të përndjekurve, ishpronarëve dhe personave të papunë që trajtohen me ndihmë ekonomike.
ISH-TË PËRNDJEKURIT
Objektivi i qeverisë është të shqyrtojë rreth 9 mijë dosje në tre vitet e ardhshme për ish-të përndjekurit politikë. Vetëm për vitin 2011 janë shqyrtuar 7 mijë dosje, kurse për tre vitet e ardhshme numri i dosjeve do të jetë i njëjtë për çdo vit. Ndërkohë, sa i preket fondeve të vendosura në dispozicion për trajtimin e kësaj kategorive për vitin 2012, në buxhet janë parashikuar 1.7 miliardë lekë. Për vitin 2013, në programin buxhetor afatmesëm parashikohet që për ish-të përndjekurit të shkojnë 2.3 miliardë lekë, ndërkohë që për vitin 2014, rreth 2.5 miliardë lekë. Pritet në vijim që qeveria të ndërhyjë te parashikimet e bëra për fondet e dy viteve të fundit të programit buxhetor. Ajo ka deklaruar qëndrimin e saj konservator, duke filluar me buxhetin 2012.
ISH-PRONARËT
Programi buxhetor afatmesëm 2012-2014 parashikon edhe kompensimin për ish-pronarët, por këta të ndarë në disa kategori. Kështu, për kategorinë e atyre që do të kompensohen nga paratë që ALUIZN- i grumbullon nga procesi i legalizimi theksohet se numri do të jetë dukshëm më i ulët se në vitin 2011. Nëse përgjatë këtij viti numri i dosjeve të shqyrtuara ishte 1300, në vitin e ardhshëm numri do të jetë 350 dosje dhe në dispozicion të tyre do të jetë një fond prej 1.5 miliardë lekësh. Për vitin 2013 do të shqyrtohen 300 dosje dhe në dispozicion do të jetë një fond prej 1.2 miliardë lekësh, kurse për vitin e fundit të programit, për vitin 2014, parashikohen që të shqyrtohen 250 dosje, me një fond në dispozicion prej 1 miliardë lekësh. Ndërkaq, tek ish-pronarët është edhe kategoria e atyre që do të përfitojnë kompensim nga fondet buxhetore. Për vitin 2012 do të shqyrtohen 200 dosje, për vitin 2013, 500 dosje dhe për vitin 2014, plot 600 dosje, pra në një total, 1300 dosje. Një kategori tjetër që përfiton tek ish-pronarët është edhe ajo që pret vendimin për t’iu kthyer prona apo për t’iu kompensuar kjo nga shteti. Në vitin 2012 pritet që të jepet vendimi për 700 kërkesa, për vitin 2013, për 600 kërkesa dhe për vitin 2014, janë edhe 700 kërkesa të tjera, pra një total prej 2 mijë kërkesash. Kategoria e fundit është ajo e atyre që kanë bërë kërkesë për oborret në përdorim apo që u janë tjetërsuar sipërfaqet, pronë shtetërore. Në total, në tre vitet e ardhshme parashikohet që të shqyrtohen 700 kërkesa. Për shqyrtimin e të gjitha kërkesave dhe dosjeve, qeveria ka miratuar edhe parashikimin e mundshëm për shpenzimet e administratës lidhur me zbatimin e këtyre projekteve
Legalizimet, do mbyllen 233 mijë pasuri
Legalizimet, si një nga proceset më të diskutuara jo vetëm nga qeveria, por edhe nga institucionet ndërkombëtare, zënë një vend të rëndësishëm në programin buxhetor afatmesëm 2012-2014. Kështu, nëse për vitin 2011 parashikohej që të përmbushej synimi i legalizimit të 55 për qind të pasurive informale, pritshmëria për vitin a ardhshëm është edhe më e lartë. Në detaje shpjegohet se nga 50 mijë pasuri informale të vetëdeklaruara për të cilat është në përpunim e sipër informacioni tekniko-ligjor, në fund të vitit 2012 parashikohet që të ketë përfunduar legalizimi i 85 për qind të këtyre pasurive. Në vitin tjetër, 2013, parashikohet që procesi të mbyllet në total i gjithi me 100 për qind të pasurive të legalizuara. Praktika e ndjekur deri tani nga ALUIZN-i për ata që janë në tokën e ish-pronarëve ka qenë ajo e legalizimit përmes pagesës së truallit, ndërkohë që është edhe një tjetër kategori që ka ndërtuar në tokën e vet, por që rezulton si një ndërtim informal. Në këtë kategori bëjnë pjesë edhe shumica e ndërtimeve të trajtuara nga ALUIZNI-i dhe në programin buxhetor rezulton se projekti për urbanistikën ka si synim legalizimin e më shumë se 233 mijë pasurive informale nga mbi 270 mijë të vetëdeklaruara. Të gjithë ata qytetarë që duan të legalizojnë ndërtimin e tyre paraqesin kërkesën pranë ALUIZNI- t dhe ky i fundit pas procedurave të veta përgatit faturën financiare. Pas shlyerjes së saj, nga ana e agjencisë vijohet me të tjera procedura deri në regjistrimin e pasurisë në Hipotekë dhe marrjen e tapisë nga ana e qytetarit.
Gazsjellësi TAP, Naço në Turqi
Forumi Vjetor për Ekonominë dhe Energjinë i vendeve anëtare të organizatës së Detit të Zi, i zhvilluar në Turqi në datat 18-19 nëntor, është ndjekur edhe nga Shqipëria me praninë e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Nasip Naço. Në këtë aktivitet ai u takua edhe me homologun turk, Taner Yildiz, ministër i Energjisë dhe Burimeve Natyrore të Republikës së Turqisë. Në këtë takim, Naço vuri theksin në investimet e rëndësishme të energjisë në vendin tonë, duke kërkuar edhe përkrahjen e Turqisë për një nga projektet më ambicioze, siç është ai i gazsjellësit Trans-Adriatik TAP. Ministri turk nga ana e tij ka dhënë garancinë e mbështetjes dhe nxitjes së investimeve të tilla të rëndësishme në Shqipëri.
NERTILA MAHO
© Panorama.al











