Zaimi: Kuvendi të revokojë dekretin e Presidentit

Jan 25, 2012 | 11:40

Gjeneralmajor Arian Zaimi

Gjenerali i shkarkuar i është drejtuar me një letër Komisionit të Sigurisë

“Procedura e ndjekur nga Ministria e Mbrojtjes, në kundërshtim me ligjin”

Pas nxjerrjes në rezervë nga Presidenti i Republikës, Gjeneralmajor Arian Zaimi i është drejtuar dje me një ankesë Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare, duke argumentuar se lirimi i tij është bërë në mënyrë të jashtëligjshme. Lirimi nga detyra i Zaimit është propozuar nga ministri i Mbrojtjes, Arben Imami dhe më pas mori firmën e kreut të shtetit, Bamir Topi. Gjeneralmajor Zaimi ka kërkuar një seancë dëgjimore në Komisionin e Sigurisë për të paraqitur përplasjet ligjore që ka hasur shkarkimi i tij. Në argumentimin ligjor, ai thekson se dekreti i Presidentit duhet të shoqërohej me një hetim në themel dhe jo të limitohej me argumentimin formal të Ministrisë së Mbrojtjes. “Procedura e ndjekur nga Ministria e Mbrojtjes dhe propozimi i ministrit të Mbrojtjes, drejtuar Presidentit të Republikës për nxjerrjen time në rezervë, vjen në kundërshtim të hapur me nenet 10, 11, 24 dhe 32  të ligjit Nr. 9171, datë 22.01.2004 “Për gradat dhe karrierën ushtarake në FA të RSH” dhe, si i tillë, propozimi duhej të shqyrtohej në themel nga ana e Presidentit të Republikës si në formë ashtu dhe në përmbajtje, me qëllim arritjen e një vendimmarrjeje sa më të drejtë e sa më ligjore. Gjykoj se Presidenti në funksionin e tij si Komandant i Përgjithshëm i FARSH e nuk e ka kryer sipas ligjit këtë detyrim moral dhe ligjor”, thuhet në letrën e Zaimit. Me tej, Gjeneralmajor Arian Zaimi, i cili ka mbajtur së fundmi dhe postin e këshilltarit të ministrit të Mbrojtjes, thekson se: “Ushtarakët dalin në rezervë kur nuk përparojnë në gradë”, jam i mendimit se nuk jam në kushtet e pamundësisë së përparimit të personit tim në gradën pasardhëse”. Në argumentimin ligjor Gjeneralmajor Arian Zaimi thekson se lirimi i tij është bërë 4 vite dhe 4 muaj para mbushjes së vjetërsisë së shërbimit aktiv në Forcat e Armatosura. “Unë si Gjeneralmajor kam të drejtën ligjore të qëndrimit në shërbimin aktiv të Forcave të Armatosura deri në plotësimin e vjetërsisë së shërbimit si oficer prej 35 vjetësh, vjetërsi të cilën më duhet një periudhë prej 4 vitesh e 4 muajsh të tjerë për ta plotësuar”. Ai ka kërkuar nga Komisioni i Sigurisë që të marrë një vendim, në mënyrë që dekreti i Presidentit të revokohet.
“Propozimi i ministrit të Mbrojtjes drejtuar Presidentit të Republikës, si dhe dekreti Nr. 7187, datë 16.12.2011 ‘Për daljen në rezervë të gjeneralmajor Arian Zaimit’, janë në kundërshtim me ligjin Nr. 9171 dt 22.01.2004 ‘Për gradat dhe karrierën e ushtarakut të FARSH’ dhe, si i tillë, ky dekret duhet të revokohet”, përfundon shkresa e Gjeneralit. f.b

Padia në Gjykate
Presidenti i Republikës, Bamir Topi dhe ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, janë paditur në Gjykatë nga dy prej ushtarakëve të lartë të shkarkuar nga detyra dhe nxjerrë në rezervë me dekret të Presidentit në dhjetor të vitit të kaluar. Bëhet fjalë për ish-komandantin e Forcave Detare, kundëradmiralin Kudret Çela dhe ish-këshilltarin ushtarak të ministrit të Mbrojtjes, gjeneralmajor Arian Zaimi, dy nga katër ushtarakët e lartë, për të cilët më 16 dhjetor 2011 Presidenti i Republikës firmosi shkarkimin e tyre nga detyra.

© Panorama.al

Te lidhura